Evropa dhe ″mburoja mbrojtëse me raketa″! | Politika | DW | 13.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Evropa dhe "mburoja mbrojtëse me raketa"!

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung ka mbrojtur qëndrimin e tij pro planene amerikane para parlamentit evropian në Bruksel. Ai u shpreh për përfshirjen e Evropës juglindore në sistemin amerikan të mbrojtjes me raketa

Franc Jozef Jung, ministri gjerman i mbrojtjes

Franc Jozef Jung, ministri gjerman i mbrojtjes

Brenda koalicionit qeveritar gjerman ka opinione të ndryshme për planet amerikane, ndërkohë që partia socialdemokrate e refuzon sistemin amerikan të mbrojtjes me raketa në Evropën lindore. Kjo temë pritet të sundojë edhe takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo në 26 dhe 27 prill.


Koalicioni i madh qeveritar nuk është i barabartë me qeverinë federale, në këtë pikë ministri gjerman i mbrojtjes bën një dallim të vogël: "Unë mund të them vetëm se kemi një pikëpamje të përbashkët brenda qeverisë gjermane dhe pjesa tjetër është diskutim politik."

Pjesa tjetër, me këtë, ministri Jung ka parasysh debatin politik me socialdemokratët dhe kryetarin Kurt Bek. Në radhët e tyre është i madh skepticizimi për planet amerikanë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes me raketa me baza në Evropë. Jung kohët e fundit po bën gjithnjë e më të qartë që qeveria gjermane i mbështet planet amerikane, me kusht që amerikanët të mos veprojnë në mënyrë të veçuar.

Ai dhe kancelarja gjermane do të nisin debatin në NATO për "mburoja mbrojtëse antiraketore" ky është përkufizimi më i fundit gjerman për planet amerikane. Kjo sepse ky plan është në interes të evropianëve: "Gjendja kërcënuese ka ndryshuar. Ne kemi sot një situatë kërcënuese për shkak të terrorizmit ndërkombëtar, armëve të shfarosjes në masë, si edhe vatrave të krizës në botë. Ne duhet të reagojmë ndaj këtij kërcënimi."

Jung u shpreh para dhomës së jashtme të parlamentit evropian se nuk mjafton një mbrojtje vetëm nga Evropa veriore dhe qendrore, Evropa juglindore duhet të përfshihet gjithashtu në këto plane. Ministri kujtoi se që në vitin 2002 në Prag është dhënë porosia për të bërë një studim për mundësinë e ngritjes së një sistemi të tillë.

Në fund të prillit në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo pritet që të nxitet edhe më tej dialogu me Rusinë. Ministri gjerman është optimist: "Unë kam shumë shpresa që ne këtë pikë do të arrijmë në ujdi, këtë ma ka theksuar edhe kolegu Ivanov, që sigurisht Rusia ka një interes të përbashkët mbrojtjeje, kujtoj këtu zhvillimet e mundshme në Iran."

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Skefer u shpreh se në kuadër të programit atomik iranian, nuk duhet të injorojmë faktin që Teherani ka testuar raketa me një rreze veprimi prej 1.800 kilometrash.

Para deputetëve të dhomës së jashtme të parlamentit evropian, ministri gjerman i mbrojtjes, Jung vlerësoi përpjekjet për një politikë të përbashkët të sigurisë në Bashkimin Evropian, ku edhe tema e një ushtrie evropiane nuk është më tabu.

Për më tepër Jung thotë: "që në plan afatgjatë ne do të duam një ushtri evropiane.Ju thashë se prej 1. janarit ne kemi forcën evropiane të mbrojtjes "Battle group". Ne do ta plotësojmë atë me forcat detare dhe ajrore, dhe unë mendoj se në plan afatgjatë do të kemi edhe ushtrinë evropiane."


  • Data 13.04.2007
  • Autor Kristofer Plas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmZ
  • Data 13.04.2007
  • Autor Kristofer Plas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmZ