1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa Lindore: Parimet demokratike në buzë të greminës

Thomas Roser
31 Dhjetor 2017

Në shtetet e ish-bllokut komunist në Europën Lindore shteti ligjor po tronditet, gati tre dekada pas rënies së Perdes së Hekurt. Por cilat janë arsyet?

https://p.dw.com/p/2q8lf
Belgien Brüssel EU-Gipfel
Fotografi: Reuters/D. Pignatelli

BE filloi kundër Polonisë një procedurë për shkak të shkeljeve që kanë rrezikuar shtetin ligjor në këtë vend. Në Rumani demonstrojnë dhjetëra mijëra kundër gërryerjes së shtetit ligjor. Budapest, Bukuresht apo Varshavë – megjithë protestat, qeveritë aty bëjnë lëvizje apo marrin vendime që vënë nën kontroll drejtësinë dhe dobësojnë ndarjen e pushteteve. Gati tre dekada pas rënies së Perdes së Herkut, duket se parimet demokratike janë vënë në pikëpyetje.

Si vendoset nën presion shteti ligjor?

Qëllimi është një drejtësi e prerë sipas masës së pushtetit. Në Rumani qeveria synon më shumë ndikim tek prokuroria për të penguar hetime të caktuara për korrupsion. Në Poloni, Ministria e Drejtësisë mund ta tërheqë sipas preferencës presidentin e Gjykatës. Në Hungari të drejtat e e Gjykatës Kushtetuese janë shkurtuar dukshëm pas miratimit të kushtetutës së re në vitin 2011. Në të njëjtën kohë ulja e moshës së daljes në pension të gjykatësve e prokurorëve ka lehtësuar shkëmbimin e nëpunësve të shtetit që janë të padëshiruar.

Rumänien Bukarest Demonstration gegen Korruption
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Mihailescu

Çfarë vështirësish ndesh opozita dhe organet mbikqyrëse të pavarura?

„Fituesi i merr të gjitha" –ndryshe,  shumica e dalë nga zgjedhjet mund të qeverisë e të lerë si të dojë, ky duket parimi i shumë pushtetmbajtësve në Lindjen europiane. Ose mohohen organet e kontrollit që janë të padëshiruara, si Avokati i Popullit, të ngarkuarit për mbrojtjen të dhënave apo këshillat drejtues të Radio Televizioneve ose ato zëvendësohen me njerëz të bindur të pushtetit. Në rast nevoje opozitës i mbyllen mikrofonat, ose i mohohen komisione hetimore.

Po çështja e lirisë së shtypit?

Situata është më e keqe. Kudo ku të shikosh- tek vendet aspirante si Mali i Zi apo Serbia e Bullgaria, Polonia apo Hungaria. Mania për kontroll e pushtetit tejkalon televizionet publike apo agjencitë e mediave të vëna nën kontroll. Me heqjen e mundësive për reklama, zëri shtypit edhe ashtu i dobët meket, me dhënien e licensave apo blerjet nga investitorë të afërt me qeverinë, transmentuesit e dikurshëm opozitarë ndërrojnë linjë. Kështu karikaturistët pa respekt zhduken nga faqet kryesore, gazetat cilësore nga kioskat, reporterët kritikë nga ekranet, programet e padëshiruara nga transmentimi.

Si veprohet me ruajtjen e minoriteteve?

Refugjatët, por edhe pakicat e tjera kombëtare nuk e kanë të lehtë në shtetet lindore europiane. Qeveria e Hungarisë për të rritur sondazhet e veta inicion rregullisht fushata të caktuara kundër imigrantëve. Romët si pakica më e madhe ndeshen rregullisht me diskriminimin e hapur. Pasojat e luftërave në Jugosllavi godasin më fort pakicat. Kështu shqiptarët apo myslimanët boshnjakë në Serbi ankohen për trajtime armiqësore, po ashtu si boshnjakët myslimanë në Serbi apo serbët në Kroaci e Kosovë.

A është kjo tendencë një përjashtim në Europë?

Po dhe jo. „Të gjithë e kanë Wildersin e tyre" (Geert Wilder populist i djathtë holandez, shën.red.), thotë shkrimtarja kroate Dubravka Ugresic. Vërtet në të gjithë Europën kanë marrë hov partitë populiste dhe madje në Austri ato ulen edhe në tryezën e qeverisë. Cilësi specifike e Lindjes është se ka parti shumë të forta në qeveri dhe institucione të dobta shtetërore. Shpesh vendet e punës apo pozicionet drejtuese jepen vetëm sipas dokumentit të anëtarësisë në një parti dhe jo sipas meritave. Retorika e vlerave demokratike duket si fjalë boshe. Disa madje karakterizohen nga një dëshirë e fortë bolshevike për monopolin e pushtetit.

Cili është motivimi i elitave post-socialiste?

Nuk ka një imazh të njësuar. Qoftë ish-disidentë si populisti i djathtë, Viktor Orban, apo trashëgimtarë postkomunistë si ish-autokrati rumun, Nicolae Ceausescu – ata duket se frymëzohen nga vullneti i fortë për pushtet absolut, ndoshta pavetëdijshëm, edhe nga socializimi në një shtet monist. Madje edhe vështrimi drejt vëllait të madh në Kremlin është tek disa skeptikë të BE sërish i preferuar.

Si reagon BE?

Polen Parlament beschließt Justizreform
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/M. Wlodarczyk

Shkeljet e vazhdueshme të Budapestit apo Varshavës ndaj parimeve të BE, e bëjnë Brukselin të duket si një mësues gjimnazi i ofenduar e i shqetësuar por që në thelb është i mbingarkuar. Paralajmërime të zemëruara lidhen me procedura penalizimi që zgjasin me vite dhe duken si të dëshpëruara. Sepse kërcënimin për heqjen e votës Polonisë, Brukseli nuk guxon ta vërë në jetë. Nga njëra anë të dy fëmijët problematikë të BE janë të sigurt për veton që do t'i japin njëri-tjetrit. Nga ana tjetër Orban mund të mbështetet ende tek ndihma e partive simotra në radhët e Partive Popullore Europiane.

Me sa duket kush futet njëherë në klubin e BE nuk ka pse të frikë, ky është konkluzioni i Varshavës dhe Budapestit. Më me konsekuencë BE paraqitet ndaj kandidatëve të rinj që duan të futen në BE.

Si reagon popullsia?

Varësia ndaj një dore të fortë dhe një mentaliteti politik autoritar janë të rrënjosura thellë në Lindje e Juglindje të Europës. Motori potencial i ndryshimeve shoqërore – forca qytetare e re dhe e mirëarsimuar dobësohet për shkak të emigracionit. Numri i atyre bullgarëve, kroatëve apo hungarezëve që kërkojnë në perëndim fatin e zyre është rritur dhe jo pakësuar.

Ka shpresë për ndalimin e këtyre zhvillimeve?

Atmosfera e një epoke demokratike si në vitin 1989 në Europën Qendrore e Lindore është shuar, edhe pse Polonia apo Sllovakia kanë sot një nivel zhvillimi që ishte i imagjinueshëm edhe para anëtarësimit në vitin 2004. Por përplasjet që shoqërojnë tendencat për kontroll të drejtësisë dhe protestat masive në Rumani në fillimin e vitit 2017 janë një sinjal se shumë rumunë nuk duan të kthehen në moçalin e korrupsionit dhe mpleksjeve partiake të viteve 90-të e 2000.