Eurodeputët kërkojnë që çamët në Greqi të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri | Evropa | DW | 15.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurodeputët kërkojnë që çamët në Greqi të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri

E lënë në harresë për afro një gjysëm shekulli, pak nga pak çështja çame po fiton njohje ndërkombëtare. Gjatë këtyre 2 muajve të fundit ky problem është trajtuar edhe nga një organizëm me njohje dhe reputacion ndërkombëtar siç është Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Por më së fundi për këtë çështje po tregon interes edhe Parlamenti Europian. I fundit në radhë mund të konsiderohet edhe memorandumi që 6 eurodeputetë të Parlamentit Europian i kanë dërguar komisionerit përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten, i titulluar "Dhunim i të drejtave të pakicës çame në Greqi". Çamët në Greqi duhet të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri - i rekomandojnë një grup parlamentarësh europianë komisionerit të Bashkimit Europian, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten.

Eurodeputetët Marko Panela, Maurizio Turko, Marko Kapato, Xhanfranko del'Alba, Benedeto della Vedova dhe Olivier Dypui theksojnë se vetëm kur pakica kombëtare çame në Greqi dhe ajo greke në Shqipëri do të gëzojnë të njëjtat të drejta, vetëm atëhere marrëdhëniet midis popujve grek dhe shqiptar do të jenë vërtet të forta dhe të sinqerta.

Eurodeputetët në fjalë vërejnë se në qershor të 1944, 44. mijë shqiptarë të besimit musliman, u dëbuan me forcë nga tokat e tyre në Çamëri, me akuzën se kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ky dëbim shënon edhe epilogun e genocidit të kësaj popullsie, të cilave për më shumë iu konfiskua gjithë pasuria, duke përfshirë këtu trojet e shtëpive, toka bujqësore, bagëtia etj.

Edhe popullsia orthodokse çame që mbeti në Çamëri nuk gëzon dot të drejtat e njohura në vendet anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë të drejtat e pakicave etnike dhe gjuhësore, siç është e drejta për të mësuar gjuhën shqipe në shkollat shqip, të cilat janë të ndaluara nga shteti grek - shkruhet në këtë memorandum.

Vetëm në rast se 2 pakicat kombëtare, në Greqi dhe Shqipëri, vihen në pozita të barabarta politikisht dhe juridikisht, vetëm atëhere ndërmjet 2 popujve, shqiptar dhe grek, do të ekzistojnë lidhje miqësie të sinqerta dhe të qëndrueshme, vëjnë në dukje parlamentarët europianë.

Njëkohësisht eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Dela Vedova dhe Del Alba i bëjnë thirrje përfaqësuesit të Komisionit Europian që të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që popullsia çame e besimit mysliman që është dëbuar nga Çamëria,

të lejohet të kthehet në tokat e saj, të gëzojë të drejtat e rikthimit të pronës si dhe t'i njihen dhe të përfitojë dëmshpërblim për humbjet që ka pësuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Dhe në fund eurodeputetët kërkojnë që edhe për çamët orthodoksë që kanë mbetur në Çamëri, Komisioni Europian të ndërhyjë që edhe atyre tu njihet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentat zyrtare dhe që ky grup popullsie të gëzojë po ato të drejta që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri.

Duhet thënë se memorandumi i eurodeputetëve të sipërcituar vjen disa dita pas një prononcimi të një eurodeputeti katalan, Mayol Ribeiro, i cili ngrinte çështjen e mohimit nga shteti grek të pakicave kombëtare në Greqi.

Njëkohësisht në një raport që pritet të publikohet në muajin mars nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, theksohet se politika e dëbimit të çamëve nga Greqia ka filluar të vihet në zbatim që në vitet 20 të shekullit të kaluar, para shumë përpara Luftës së Dytë Botërore. Në raport pohohet se deportimi i parë i çamëve nga vatrat e tyre u bë gjatë shkëmbimit të popullsive ndërmjet Greqisë dhe Turqisë së Ataturkut në vitet 1920. Grekët e Bosforit u vendosën atëhere në veriperëndim të Greqisë në tokat e çamëve myslimanë të cilët qeveria greke i dëboi drejt Turqisë. Por në ndryshim nga parlamentarët europianë, Grupi Ndërkombëtar i Krizave vëren se si shqiptarët e hershëm në Greqi të njohur si arvanitas, ashtu edhe çamët orthodoksë janë tashmë pothuajse të asimiluar në shoqërinë greke.

  • Data 15.02.2004
  • Autor Viron GJYMSHANA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIP
  • Data 15.02.2004
  • Autor Viron GJYMSHANA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIP