1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro Spanien

27 Maj 2010

Shtetëzimi i një arke kursimesh në Spanjë e ka ushqyer sërish frikën në tregje. Kryeqytetet evropiane miratojnë njëri pas tjetrit paketa kursimesh.

https://p.dw.com/p/NYAc
Fotografi: DW

Pas paketës 3 vjeçare të shpëtimit për Greqinë - që kap shumën 120 miliardë Euro - dhe çadrës shpëtuese prej 750 miliardësh për Euron, "Evropa duhet ta shtrëngojë rripin sa më fort që të jetë e mundur", deklaroi Komisari i Ekonomisë të BE, Olli Rehn në Forumin Ekonomik të Brukselit.

"Në të gjithë Evropën do të ketë masa kursimi dhe reforma të forta strukturore", deklaroi komisari. Ndërsa Euro ra në nivelin më të ulët të tetë viteve të fundit.

Pak përpara kësaj, ndërhyrja shtetërore në arkën spanjolle të kursimeve CajaSur ushqeu frikën, se Athinën mund ta pasonte Madridi. Dhe se vala e falimentimeve në Madrid nuk do të njihte fund. Sepse megjithëse arka spanjolle e kursimeve në fjalë është relativisht e vogël, ndërhyrja në të tregon brishtësinë e degës ekonomike.

Një paketë ambicioze

Spanja tashmë e ka prezantuar paketën e saj të kursimeve, e cila parashikon kursime prej 15 miliardë eurosh për periudhën 2010-2011. Do të ketë shkurtime pagash në sektorin publik, në investimet shtetërore dhe në ngrirjen e pensioneve. Protestat nuk u vonuan - po ashtu edhe pyetja, nëse "rasti Greqi" nuk do të pasohet nga "rasti Spanjë".

"Në tregjet financiare situata është shumë e paqetë, sepse nuk dihet nëse ka edhe shumë vende të tjera të Evropës që kanë deficite shumë të larta buxhetore. Tregjet financiare kanë nevojë për një perspektivë afatgjatë - dhe këtë ne nuk e kemi gjetur", deklaron presidenti i Institutit për Ekonominë Botëore në Kiel, Dennis Snower.

Megjithëse Fondi Monetar Ndërkombëtar i përshëndeti në raportin e tij më të fundit në Madrid "masat ambicioze" për reduktimin e deficitit buxhetor, ai paralajmëroi edhe që ato duhet të shoqërohen nga reforma strukturore - për shembull në tregun e punës. Deficiti spanjoll, megjithë krizën, në katër muajt e parë të 2010 u ul me 18%.

Nga recesioni në depresion?


"Unë kam frikë. Kur vende si Greqia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda e shohin veten të detyruara të marrin masa të tilla drastike, për të kompensuar buxhetin e tyre, kjo mund t'i marrë me vete ekonomitë e tyre, të cilat mund të kalojnë nga njëri depresion në tjetrin. Kjo madje do ta dëmtonte më shumë Euron", tha Snower. Njëkohësisht Britania e Madhe, e cila vetë nuk bën pjesë në zonën e Euros i justifikoi masat e saj të kursimit me krizën në zonën e Euros. Plani britanik i kursimeve përmban shkurtime prej 7, 3 miliardë eurosh në periudhën 2010-2011.

"Pika e dobët në Evropë është që ne kemi një rregull të marrjes borxh - 60% të produktit social bruto mund të jetë borxhi i shtetit në bazë të Paktit të Stabilitetit - megjithatë ne nuk kemi ndonjë mekanizëm, që ta vërë në jetë këtë", mendon eksperti.

Një komision rregullator për buxhetin shtetëror


Komisione për rregullimin e marrjes borxh, sipas Snower-it, megjithatë mund të ngrihen në çdo vend brenda natës. Diçka e ngjashme ka ekzistuar në vitet '80, kur patëm një shkallë të lartë inflacioni. Atëherë u themeluan Bankat e pavarura Qendrore, detyra e të cilave ishte luftimi i inflacionit.

Autor: Mira Banchón/Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj