1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX shtrin hetimet në veri të Kosovës

6 Gusht 2010

Pas një liste të gjatë hetimesh nëpër institucionet e Kosovës dhe arrestimit të disa zyrtarëve të lartë, misioni EULEX i ka shtrirë tani hetimet në veri të Kosovës. Hetimet të tjera janë paralajëmëruar edhe në shtator.

https://p.dw.com/p/OdSv

Zyrtarët e misionit EULEX kanë deklaruar se do të vazhdojnë të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë dhe hetimet nuk do të kursejnë as profilet e larta në institucione. Pas një liste të gjatë hetimesh nëpër institucionet e Kosovës dhe arrestimit të disa zyrtarëve të lartë, misioni EULEX hetimet tashmë i ka shtrirë në veri të Kosovës.

Eulex heton në veri të Kosovës

Zyrtarë të këtij misioni, thonë se hetimet janë duke u zhvilluar për 25 raste të dyshuara për krime të ndryshme dhe këto raste përfshijnë edhe profilet e larta në veri të vendit, por nuk specifikohen emrat. Thuhet vetëm se nga hetimet nuk përjashtohen as një numër udhëheqësish të serbëve të veriut të Kosovës, me dyshimin e përfshirjes në korrupsion, krim të organizuar dhe trafikim. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i tha DW-së se nga 25 rastet që po hetohen në veri, disa janë me prioritet të lartë.

“Nga 25 rastet që po hetohen gjashtë janë me prioritet. Këto raste kanë të bëjnë me krimin e organizuar kontrabandë, korrupsion, vrasje dhe tentim vrasje. Sipas prokurorit të lëndës, në rastet që kanë të bëjnë me kontrambandë janë të përfshirë në bashkëpunim serbë dhe shqiptarë”, thotë Blerim Krasniqi.

Për rastet e hetimeve që kanë të bëjnë me kontrabandë mallrash në veri të Kosovës, misionin EULEX është duke e ndihmuar me të dhëna edhe dogana e Kosovës. Naim Huruglica, drejtor i doganave të Kosovës thotë se tashmë janë identifikuar personat fizikë apo kompanitë, që kanë futur mallra të kontrabanduara përmes pikave kufitare në veriun e Kosovës.

“Një pjesë e këtyre lëndëve i është dërguar Prokurorisë së Qarkut të Mitrovicës, që funksionon në qytetin e Vushtrrisë, por ka pasur edhe në Prishtinë. Ne i kemi shkëmbyer të dhënat edhe me EULEX-in. Ky ka qenë aktivitet i vazhdueshëm, nuk ka qenë vetëm me një vend, po varësisht se nga vjen subjekti apo malli i caktuar”, thotë Naim Huruglica.

Strategji e qeverisë në ndihmë të EULEX-it

Nga ana e saj edhe qeveria e Kosovës ka udhëzuar Ministrinë e Brendshme, që të hartojë një strategji për të ndihmuar misionin EULEX në luftën kundër të gjitha dukurive negative në Kosovë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, i tha Deutsche Welle-s se kjo ministri tashmë ka hartuar një sërë planesh dhe dokumentesh strategjike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Fatmir Xhelili.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Fatmir Xhelili.Fotografi: DW

“Kemi hartuar dokumentet strategjike dhe planin e veprimit për luftë kundër krimit të organizuar. Gjithashtu kemi hartuar strategjinë për parandalimin e krimit dhe luftimin e krimit bashkë me planin e veprimit dhe të gjitha këto dokumente strategjike bazë i kanë orientuar aktivitetet e tyre me objektiva të qarta, të përzgjedhura në drejtim të parandalimit dhe të luftimit“, thotë Fatmir Xhelili.

Strategjia e qeverisë së Kosovës për luftimin e dukurive negative, përfshin gjithë territorin e vendit, por, vëmendje e veçantë i kushtohet veriut të Kosovës. Kjo pjesë vazhdon të mos jetë nën kontroll të plotë të institucioneve të vendit, të cilat janë cilësuar si të paligjshme nga serbët lokalë. Dy pikat kufitare në veri u dogjën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe autoritetet ndërkombëtare thanë, se niveli i krimit të organizuar në këtë pjesë të vendit ishte në rritje.

Sidoqoftë, hetimet e misionit EULEX-it në veri të Kosovës, që janë paralajmëruar të zgjasin gjatë muajit gusht, pasojnë fillimin e hetimeve në disa raste të dyshuara për korrupsion dhe krim të organizuar në institucionet e vendit dhe në pronat private të disa personave të caktuar. Hetimet e misionit të EULEX-it, për raste të tjera që mund të rezultojnë me arrestime janë paralajëmruar të zhvillohen edhe gjatë muajit shtator, kur është paralajmëruar edhe shtimi i intensitetit të aksioneve të misionit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani