1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eskpertët propozojnë masa teknike për shmangien e përmbytjeve në të ardhmen

10 Dhjetor 2010

A ka mundësi teknike që në plan afatgjatë zona e Nënshkodrës të mund të mbrohet nga vërshimet? Ekspertët e menaxhimit të burimeve hidrike, ata të mbrojtjes së mjedisit po u parashtrojnë propozime konkrete autoriteteve.

https://p.dw.com/p/QV7q
Ushtarët u vijnë në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura.
Ushtarët u vijnë në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura.Fotografi: Verteidigungsministerium Albanien

Mehmet Hasalami, ekspert i veprave energjitike, mendon se përmbytja e ditëve të fundit nuk duhet të kalojë vetëm me një listë masash pragmatiste për ta kaluar edhe këtë herë, me kalkulime dëmesh dhe rimbursimesh për qytetarët e bizneset dhe aq më keq me betejë me sfond politik për fajtorët dhe "heronjtë". Duhen masa inxhinierike që në vetvete janë punime normale që kërkojnë një angazhim të të gjithë strukturave dhe specialistëve të fushës, thotë Hasalami:

Eksperti Mehmet Hasalami, në bisedë me Deutsche Welle-n.
Eksperti Mehmet Hasalami, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW

"Ky projekt duhet të zgjidhë përfundimisht disa çështje, duke filluar nga kaskada e hidrocentraleve. Për mbrojtjen e digave, menaxhimin e portave të tyre, mbrojtjen e shpateve anësore të digave në të tre basenet kryesore të hidrocentraleve, të Komanit, Vaut të Dejës dhe Fierzës. Pastaj është rregullimi tërësor i argjinaturave të vjetra, duke i mbilartësuar ato, si dhe duke ndërtuar të reja. Po kështu duhet bërë dhe pastrimi i të gjitha kanaleve në zonën e përmbytur."

Hasalami shikon si të detyrueshëm thellimin ose pastrimin e lumit Buna në pikëtakimet që ai ka me lumenjtë Drin e Kir. Me një gjatësi afër 44 km lumi është arterja kryesore, që luan rolin e shkarkuesit dhe çliruesit për sasitë e ujërave të tepërta. Pastrimi i lumit të Bunës është bërë për herë të fundit që në vitet '70 të shekullit të kaluar, kujton Mehmet Hasalami dhe më pas çdo gjë është neglizhuar dhe harruar.

Ai përmend si nevojë për ndryshim rrënjësor të të gjithë ndërtimeve në pjesën e NënShkodrës, "duke vendosur një nivel kufi të lejuar mbi nivelit e detit, ku mund të realizohen ndërtimet për qëllime banimi, apo për veprimtari biznesi etj. Këtu pushteti lokal dhe autoriteti, që menaxhon ndërtimet pa leje, duhet të jetë i rreptë për çdo shkelje të ligjit dhe planeve urbanistike."

Por njëri prej ekspertëve më të njohur për mjedisin në Shqipëri, prof. Sazan Guri është kundër propozimit për të thelluar lumin Buna në Shkodër, apo dhe për të thelluar rrjetin e kanaleve në atë zonë. Ky do të ishte një gabim i rëndë inxhinierik, shprehet prof. Sazan Guri.

"Lumi Buna ka procesin e vet natyror. Nëse ti e thellon më shumë se duhet atë, pra që ajo të marrë më shumë se 200 metra kub për sekondë, sa merr aktualisht, atëhere do të 'vidhej' deti dhe i bie ta mbushësh shumë herë më shpejt. Kjo mund të jetë një kosto e pamatë dhe e pallogaritshme. Ndërkohë që ka masa të tjera shumë më të thjeshta, të përshtatshme, të domosdoshme. Urgjentisht të fillojë ajo që është premtuar nga kryeministri, për të mbjellë rreth 25 milion pemë, drurë frutorë, ullinj etj."

Prof. Guri kërkon masa më të rrepta ligjore për ata që presin dhe dëmtojnë drurët a pyjet në tërësi, pasi sipas tij, ato janë burim për mjaft fenomene negative natyrore. Ai shikon si instrument amortizues ndërtimin sa më parë të hidrocentralit të Skavicës.

Prof. Sazan Guri, në bisedë me Deutsche Welle-n.
Prof. Sazan Guri, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW

"Kjo vepër hidrike do të arrijë të thithë disa herë më shumë sasira ujore, duke evituar një përmbytje si kjo e ditëve të fundit."

Ngritjen e hidrocentralit të Skavicës e përshkruan si mjaft të dobishëm dhe Mehmet Hasalami. Prof . Guri shton se ndërtimi i një "by pass-i" në vendin ku bashkohet Buna me Drinin deri në derdhje, është një tjetër proces, që sipas tij duhet të përfshihet sa më parë në strategjinë antipërmbytje.

"Dhe ujrat e zeza të mos derdhen në liqene, si në atë të Shkodrës, të Ohrit etj. Të ndërtohen impiante pastruese për të evituar këtë aspekt shumë negativ për natyrën. Për këto sisteme mbrojtëse, por dhe për masat e tjera që lidhen me menaxhimin dhe sistemin e burimeve dhe derdhjeve hidrike duhen afate konkrete. Duhen realizime hap pas hapi, pasi nëse do të vonojmë akoma, kostot do të jenë disa herë më të larta nesër. Edhe përmbytjet dhe katastrofat do të jenë ciklike dhe gjithnjë e më të forta dhe më dëmtuese"- thotë prof. Sazan Guri.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani