1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190710 Afghanistan Bilanz London

Angelina Verbica20 Korrik 2010

Bilanci afgan gjashtë muaj pas konferencës së Londrës

https://p.dw.com/p/OQEW
Ushtarë afganë në stërvitje ushtarake në KabulFotografi: dpa

Në fund të janarit të këtij viti në Londër u mbajt një konferencë për të ardhmen e Afganistanit. Bashkësia ndërkombëtare kërkoi me forcë "afganizimin" e procesit të paqes, të ngecur në vend. Kështu për shembull përgjegjësia për sigurinë distrikt pas distrikti duhet t'u kalojë afganëve. Presidenti afgan Hamid Karsai premtoi nga ana e tij se do të marrë masa serioze kundër korrupsionit. Në konferencën pasuese në Kabul të martën (20.7.) bëhet një bilanc paraprak i arritjes së objektivave të miratuar në Londër.

Dossierbild 2 Jirga Karsai Afghanistan
Presidenti afgan Hamid KarsaiFotografi: AP

Gjendja në Afganistan është më kritike se kurrë. Rreth gjashtë muaj pas konferencës së Londrës nuk duket në horizont ndonjë kthesë pozitive. Përkundrazi: gjashtëmujori i kaluar ishte më i përgjakshmi që prej fillimit të misionit ISAF në vitin 2001. Ushtria afgane përballë këtyre zhvillimeve nuk e sheh veten të aftë të marrë në duar përgjegjësinë për sigurinë, ashtu siç synohej në fillim të vitit në Londër. Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me superioritetin e talibanëve, se sa me mangësitë e shumta të forcave afgane, thotë gjeneral Zaher Azimi, zëdhënës i Ministrisë afgane të Mbrojtjes:

"Ne nuk mund të veprojmë të pavarur, pasi na mungon për shembull flota ajrore ushtarake. Edhe automjetet e blinduara deri tani na kanë munguar plotësisht."

General Zaher Azimi bei einer Pressekonferenz in Kabul
Zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Gjeneral Zaher Azimi në një konferencë shtypiFotografi: DW / Farahmand

Pak pas konferencës së Londrës për Afganistanin zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes ishte shprehur plot shpresë. Por ndërkohë entuziasmi i tij është zbehur, mendon gjeneral Azimi. Ajo, që ka mbetur, është dëshira për përmirësim.

"Njerëzit në Afganistan shpresojnë që forcat afgane të sigurisë të mund të kujdesen për sigurinë e vendit të tyre. Por kjo duhet të ndodhë, kur ne të jemi të aftë për këtë."

Ministri afgan i Financave Omar Zakhelwal ushtron ndërkaq kritikë të hapur ndaj partnerëve të vendit të tij: Ata duhet t'i përmbahen marrëveshjeve të arritura. Qeveria afgane nga ana e saj i ka përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara në konferencën e Londrës, thotë Zakhelwal:

"Çdo ministri, çdo autoritet ka hartuar krahas një strategjie për të ardhmen edhe një koncept efektiv për luftimin e korrupsionit. Kështu ne kemi arritur shumë më tepër nga sa pritej prej nesh."

Aufbau in Afghanistan
Studentë afganë në përurimin e një konvikti studentëshFotografi: DW

Ministri afgan i Financave shpreson të ketë të drejtë të përdorë së shpejti 50% të fondeve të ndihmës ashtu siç është premtuar në Londër. Deri tani qeveria afgane ka marrë vetëm 20% të këtyre fondeve. Por përballë shtrirjes së gjerë të korrupsionit në vend, shumë vende donatore janë skeptike. Ato i druhen keqpërdorimit dhe abuzimit me paratë e ndihmës.

Kritikët akuzojnë presidentin Karsai për mungesë koncepti

Megjithë deklaratat e qeverisë për përparime në luftën kundër korrupsionit, kritikët e qeverisë afgane e akuzojnë presidentin Karsai se nuk ka asnjë koncept për zgjidhjen e problemeve madhore të vendit, pra edhe për shpërdorimin e parave të ndihmës.

Analistët mendojnë se bashkëpunimi i pamjaftueshëm dhe hedhja reciproke e fajit mes Kabulit dhe bashkësisë ndërkombëtare janë shkaqet kryesore për mosarritjen e objektivave të konferencës së Londrës.

Autor: Ratbil Shamel/Eiana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica