1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eshtë fjala për kokën e Merkelit, apo vetëm për kolltukun e presidentit?

6 Tetor 2005

Bisedimet e sondazhit mes unionit kristiandemokrat-kristiansocial dhe partisë socialdemokrate për krijimin e një koalicioni të madh janë tema e komenteve dhe kryeartikujve në shtypin e ditës. Boshti i komenteve në përgjithësi ka të bëjë me diskutimin, se cili do të jetë kancelari i ardhshëm.

https://p.dw.com/p/ArtV
Fotografi: Bilderbox

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Rregulli thotë, që partneri më i fortë i koalicionit mbulon edhe postin e kancelarit dhe po vet e përcakton, se cili do të jetë ai. Rrjedha e tri raundeve të bisedimeve të sondazhit tregoi, se kryetari i socialdemokratëve Myntefering dhe kancelari Shrëder, që pretendojnë se merren me çështjet parimore, në fakt për të pranuar këtë parim kaq të thjeshtë, vazhdojnë të kërkojnë si çmim çëshjtjen e personelit. Eshtë fjala thjeshtë për kokën e Merkelit, ...apo vetëm për kolltukun e presidentit? Nëse takimi i nivelit të lartë i planifikuar tani shpejt do të sjellë sqarime, është e pasigurt. Pasi për socialdemokratët ia vlen që të luajnë me faktorin kohë. Jo vetëm që Merkeli hoqi dorë nga kërkesa për ta vendosur qysh të mërkurën çështjen e kancelarit, por edhe Unioni ka filluar të japë shenja për një lëvzije në drejtim të tërheqjes së kandidates për kancelare, gjë që e ka shpresuar Shrëderi", vë në dukje komentatori i "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

E përjavshmja "Die Zeit" shkruan: "Përse ishin kaq shumë që nuk e donin Angela Merkelin? Përse Shrëderi vazhdon të preferohet prej kaq shumë njerëzve, pavarësisht nga gabimet që ka bërë? Arësyeja është, se ai ishte i pari kancelar që u besoi gjermanëve. Pothuajse të gjithë paradhësit e tij kanë pasur rezerva kundrejt popullit të vet, madje edhe vet Helmut Koli, që besonte, se vetëm gjermanët e ngopur janë gjermanët civilë, ndaj dhe nuk u kërkoi atyre të shpenzonin asgjë për bashkimin. Shrëderin njerëzit e duan, sepse edhe ai i do ata. Merkeli në të kundërt të krijon përshtypjen, se nuk ka besim tek njerëzit. Ndoshta kjo nuk është aspak e vërtetë, por tjetër shpjegim nuk ka", vërën "Die Zeit".

Në komentin e "Aachener Zeitung" lexojmë: "Fakti që kokat drejtuese të Unionit kristiandemokrat preferojnë të fokusojnë tani më shumë tërheqjen e Merkelit nga kandidatura për kancelare, se sa heqjen dorë prej pushtetit, është mëse i kuptueshëm. Sepse nëse socialdemokratët, në bisedimet e nivelit të lartë do t´i përmbahen me forcë çështjes së kancelarit, në radhët e kristjandemokratëve dhe kristjansocialëve do të ngrihen ato zëra, që besojnë se dikush tjetër do ta çajë nyjen e krijuar. Ky do të ishte edhe triumfi i fundit i Shrëderit: ai pra do ta pengojë atë" (nënkuptohet Merkelin), komenton "Aachener Zeitung".


Ndërsa për "Badische Neueste Nachrichten" Merkelit po i shtohen mundësitë për t´u ulur në zyrën e kancelarisë në Berlin: "Shtegu i ngushtë drejt të cilit u nis Angela Merkel për në kancelari po zgjerohet dita ditës. Qysh në fillim dihej që unioni kristjandemokrat dhe socialdemokratët në bisedimet e treta të sondazhit do të gjenin mjaft të përbashkëta për një koalicion të madh. Por siç duket Angela Merkel dhe kreu i socialdemokratëve Franc Myntefering, kanë avancuar në pikën deri tani më delikate të bisedimeve, në çështjen e kancelarit", mendon komentatori i "Badische Neusete Nachrichten".

Në komentin e "General Anezeiger" lexojmë: "Ende nuk është e sigurtë, se sot ose ndonjëherë tjetër do të krijohet vërtetë një aleancë e shumëpërfolur mes kristjandemokratëve/kristjansocialëve dhe socialdemokratëve. Angela Merkel, shanset e së cilës për t´u bërë e para kancelare e Gjermanisë janë përmirësuar dukshëm, tha dje se kjo ishte "një ditë e mirë". Edmund Shtojber, kreu i kristiansocialëve mendon se ka një "taban të përbashkëtash për koalicionin mes të zinjve dhe të kuqve. Ndërsa Shrëder dhe Myntefering u shprehën optimistë. E pra mund të shpresojmë për mirëkuptim dhe si rjedhojë edhe për krijimin e një qeverie të qëndrueshme. Por do të gabonim po të nxitoheshim. Dështimi nuk mund të përjashtohet, ashtu siç nuk mund të përjashtohet as një takim pasues pas takimit të shpejtë të kokave të partive", tërheq vëmendjen "General Anzeiger".