Erdogan: Turqia i përmbahet blerjes së raketave ruse | Bota | DW | 04.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Erdogan: Turqia i përmbahet blerjes së raketave ruse

Tensionet midis SHBA dhe Turqisë nuk po ulen. Presidenti Erdogan e shpërfill Uashingtonin, sepse - pavarësisht anëtarësisë në NATO - nuk do ta anulojë kontratën e armatimit me Rusinë.

Qeveria turke i përmbahet planit të saj për të blerë një sistem rus të mbrojtjes raketore. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan refuzon të tërhiqet nga marrëveshja me rusët. Kjo i zemëron SHBA, që i kërkojnë partnerit të NATO-s të blejnë sistemin raketor amerikan Patriot, në vend të sistemit rus S-400. Për këtë Erdogani tha në Stamboll se oferta nuk ishte aq e mirë sa ajo ruse.

Uashingtoni ka frikë për spiunazh

Furnizimet e para me S-400 për Turqinë pritet të mbërrijnë në korrik. Uashingtoni ka frikë se Rusia, me anë të sistemit mbrojtës të instaluar në Turqi, mund të mbledhë të dhëna për kapacitetet e avionëve të rinj të maskuar F-35.

Turqia është partnere në ndërtimin e F-35 dhe sipas planit do të marrë disa avionë. SHBA e kërcënon Turqinë me sanksione, po të realizohet biznesi me Rusinë.

Sistemet S-400 besohet se janë në gjendje të shkatërrojnë në ajër avionë luftarakë dhe raketa. Katër divizionet e saj Turqia pritet t'i marrë në verë, me një çmim të përgjithshëm prej 2.5 miliardë dollarësh (2.23 miliardë euro). Një divizion ka dymbëdhjetë platforma startimi me katër raketa secila.

Kohët e fundit ka pasur tensione në rritje midis dy vendeve anëtare të NATO-s. Në vitin 2018, sanksionet amerikane shkaktuan një rënie dramatike të monedhës turke Lira. Uashingtoni i vendosi ato atëherë për shkak të rastit të një kleriku amerikan të arrestuar në Turqi. Edhe në konfliktin e Sirisë, Trumpi dhe Erdogani kanë qëndrime të kundërta.

bri/sti (dpa, afp)