Erdoan përforcon pozicionin | Evropa | DW | 29.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erdoan përforcon pozicionin

Partia e tij fiton zgjedhjet komunale në Turqi

Kryeministri turk Erdoan

Kryeministri turk Erdoan

Në zgjedhjet komunale që u mbajtën të djelën në Turqi, partia islamike-konservatore në pushtet ka rritur një fitore të qartë. Në të gjithë vendin partia e kryeministrit Rexhep Taip Erdoan pas numërimit të më shumë se gjysmës së votave është në krye me rreth 42,4%. Partia Republikane në opozitë ka marrë vetëm 17,9% të votave. Atmosfera e votimeve u errësua nga disa përplasje të dhunshme në të cilat u vranë shumë vetë dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë.

Në parlamentin në Ankara partia e kryeministrit turk Erdoan mban shumicën prej dy të tretash; tani islamistët konservatorë kanë arritur e madje zgjeruar këtë pozicion solid edhe në qytete dhe komuna. Ata do të qeverisin tani tre të katërtat e të gjitha qyteteve të mëdha, ndër të cilat edhe dy qytetet më të mëdha të Turqisë: Stambollin dhe Ankaranë. Ata fituan edhe në Antalia, atdheun e liderit opozitar socialdemokrat. Vetëm juglindja kurde mbeti në duart e partisë kurde DEHAP. Aty ndodhen edhe numri më i madh i incidenteve, zënka e shkëmbime zjarri në të cilat humbën jetën shumë vetë dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.

Kursi i 18 muajve të fundit të fituesit i zgjedhjeve, kryeministrit Rexhep Taip Erdoan duket se është aprovuar: reforma për Evropën dhe një program ekonomik i cili është përshëndetur edhe nga kredidhënësi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Deri tani Erdoan është përpjekur për arritjen e një barazpeshe dhe konsensusi. Fjala e tij falenderuese pas fitores tregoi se ai mendon të vazhdojë ndjekjen e këtij kursi të kujdesshëm: "Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 3 nëntorit baza e zgjedhëse e partisë islamike konservatore është zgjeruar. Ne e dimë se kjo njëkohësisht shton përgjegjësinë mbi supet tona" - tha Erdoan.

Pra jo britma triumfi por më shumë tone të ulëta. Ndoshta kryetari i qeverisë ishte madje i lehtësuar që fitorja e tij mbeti nën 50%. Ndryshe baza e zgjedhësve të tij do të kishte kërkuar me insistim përmbushjen e premtimeve të shkuara elektorale si p.sh. lejen për mbajtjen në shkolla e universitete të shamisë së kokës. Me këtë fitore të qartë por jo absolute Erdoan mund edhe më tej të nxjerrë si arsye forca të fuqishme kundërshtare. Veçanërisht e djathta ekstreme ka mbetur shumë e fortë. Nacionalistët e kishin ndërtuar fushatën e tyre elektorale mbi një temë të vetme: "Qipro nuk duhet tradhëtuar" - ishte parrulla e tyre. Të hënën (29.03) Erdoan do t'i bashkangjitet bashkë me kryeministrin grek Kosta Karamanlis grupit të negociatorëve të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan. Pozicioni i nacionalistëve turq nuk është dobësuar nga zgjedhjet e fundit. Kjo i lë kryeministrit turk pak hapësirë për lëshime në negociatat për ribashkimin e ishullit përpara anëtarësimit në BE më 1 maj të këtij viti.

  • Data 29.03.2004
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHr
  • Data 29.03.2004
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHr