Energjia, Rusia, Alkooli, Emigrimi - prioritetet e presidencës finlandeze të BE-së | Politika | DW | 06.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Energjia, Rusia, Alkooli, Emigrimi - prioritetet e presidencës finlandeze të BE-së

Finlanda prezantoi përpara Parlamentit Evropian në Straßburg qëllimet politike të periudhës së saj në postin e presidentes së radhës të BE-së

Kryeministri finlandez Vanhanen

Kryeministri finlandez Vanhanen

Duke deklaruar se parlamenti finlandez do ta ratifikojë së shpejti kushtetutën aq të diskutueshme të BE-së, kryeministri i Finlandës theksoi se në një periudhë afatgjatë arsye e shëndoshë njerëzore do të tregojë se Evropa gjithnjë në rritje ka nevojë për një reformë të kushtetutës së BE-së. Gjithësesi vazhdimin e procesit të ratifikimit të kushtetutës finlandezët do t'ia lënë në dorë Gjermanisë, e cila pason në këtë post Finlandën në fillim të vitit 2007.

Për shkak se Finlanda ka një vijë të gjatë kufitare me Rusinë, madje më të gjatën ndër vendet e tjera të BE-së, ajo kujdeset për marrëdhënie të mira fqinjësore me rusët. Pikërisht këto marrëdhënie të mira kryeministri finlandez Vanhanen do t'i shfrytëzojë gjatë këtyre gjashtë muajve të presidencës finlandeze. Kështu pritet të hartohet një marrëveshje e re për marrëdhëniet mes Rusisë dhe BE-së. Qëllimi i saj është një bashkëpunim më i ngushtë në çështje që kanë të bëjnë me politikën energjitike dhe të krijimit të një zone të tregtisë së lirë. Nuk janë të pakta vendet e BE-së të cilat kanë frikë se Kremlini mund t'i shfrytëzojë gazsjellësit dhe furnizimin me gaz si mjete për presion politik. Matti Vanhanen tërhoqi me këtë rast vëmendjen për varësinë e dyanshme mes BE-së dhe Rusisë:

"Politika energjitike është pjesë e partneritetit tonë strategjik me Rusinë. Ata kanë nevojë për teknikën dhe paratë tona, ne kemi nevojë për naftën dhe gazin e tyre. Kjo formë kooperimi duhet t'i bëjë të dyja palët që të mund t'ia dalin mbanë në botë."

Parakusht për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë mes BE-së dhe Rusisë është anëtarësimi i Rusisë në OBT. Një gjë e tillë deri më sot ka dështuar ndër të tjera për shkak të mosmarrëveshjeve për taksat që kërkon Rusia për avionët që fluturojnë mbi Siberi.

Deri në fund të vitit Finlanda duhet ta ketë bërë të qartë se si do të jetë kursi i ardhshëm i BE-së në lidhje me zgjerimin me anëtarë të rinj. Franca dhe Gjermania kërkojnë që si kriter në këtë drejtim të jetë sesa është në gjendje BE-ja që të përballojë anëtarë të rinj. Turqisë i është lënë kohë deri në fund të vitit që të njohë Qipron ai anëtare e BE-së. Në rast të kundërt bisedimet për anëtarësim që sapo kanë filluar do të pezullohen.

Për shkak të rrudhjes dhe plakjes së popullsisë në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, Matti Vanhanen u shpreh për zgjerimin e mundësive për emigrim legal në Evropë. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet modeli ekonomik dhe standardi evropian i jetesës.

"Ne kemi nevojë për emigrim legal edhe për të qenë ekonomikisht të sukseshëm. Kjo është një nga rrugët për t'u përballur me pasojat e globalizimit."

Gjermania është ndër shtetet kryesore që e refuzon miratimin e një politike unike për emigrimin dhe azilin në radhët e BE-së. Madje në Berlin shihet me kritikë edhe ideja e hedhur prej Vanhanen që vendimet në fushën e politikës së brendshme dhe atë të të drejtësisë së BE-së të merren sipas parimit të shumicës relative.

Kritikave nga radhët e Parlamentit Evropian në drejtim të kryeministrit finlandez se këtij i mungon pasioni për Evropën, politikani liberalo-demokrat Matti Vanhanen, iu përgjigj se në periudhën e Finlandës si presidente e BE-së, ai nuk ka ndër mend që të drejtojë me emfatizëm, por me realizëm dhe në mënyrë teknokratike. Vanhanen tha se qëllimi i tij nuk është që të fitojë ndonjë çmim për fjalime të bukura, por të arrijë përfundime.

Një ndër projektet e kryeministrit finlandez, i cili ka namin se i pëlqen të pijë, është ulja e nivelit të alkoolizimit në radhët e BE-së. Sipas mendimit të tij të gjitha vendet e BE-së duhet t'i ngrenë taksat për birrën, verën apo pijet e forta alkoolike në nivelin e Finlandës. Një gjë e tillë refuzohet nga Estonia, sepse për shkak të çmimeve të ulta të pijeve në këtë vend, një numër i madh turistësh nga Finlanda apo Suedia i hipin tragetit për të shkruar në Estoni vetëm për t'u dehur.

  • Data 06.07.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpJ
  • Data 06.07.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpJ