Ende nuk ka rezultate konkrete për rezolutën e BE-së kundër racizmit | Evropa | DW | 21.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ende nuk ka rezultate konkrete për rezolutën e BE-së kundër racizmit

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Frattini viziton ministren gjermane të drejtësisë Zypries

Franco Frattini dheBrigitte Zypries

Franco Frattini dheBrigitte Zypries

Ministrja gjermane e drejtësisë i ka vënë vetes detyrë të çojë përpara luftën e përbashkët evropiane kundër racizmit dhe ksenofobisë. Arritja e objektivit duket se është më e vështirë sesa e përfytyronin pjesëmarrësit. Kjo përshtypje mbizotëroi gjatë një vizite në Berlin të zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian Franco Frattini. Gjatë takimit u trajtua edhe veprimi i përbashkët kundër lojërave kompjuterike, të cilat glorifikojnë dhunën.

Franco Frattini ishte i impresionuar: Së bashku me ministren gjermane të drejtësisë, socialdemokraten Brigitte Zypries, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian kishte vizituar përmendoren e holokaustit pranë Portave të Brandenburgut. Fusha gjigante ngjyrë graniti e mbushur me shtylla të kujton hebrenjtë e vrarë prej gjermanëve në kohën e nazizmit. Dhe megjithë miliona viktimave ende shumë njerëz, veçanërisht të rinj, dinë pak për këtë krim, u shpreh me keqardhje Frattini gjatë vizitës së tij në Berlin:

"Shumë nxënës nuk e dinë se çfarë do të thotë holokausti në hollësi. Ata kanë dëgjuar në fakt për tragjedinë e holokaustit, por nuk dinë se ku gjendeshin kampet e përqendrimit, përveç kampeve më të njohura, në kuptimin tragjik."

Për arsye të kësaj mosnjohjeje të përhapur Frattini propozoi një konkurs për nxënësit evropianë, në të cilin shtetas të rinj të Bashkimit Evropian do të tematizonin mendimet e tyre pas vizitës së përmendores së holokaustit në Berlin. Kjo është një ide ende e papjekur, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian. Por në këtë kuadër ai shpreson në mbështetjen e ministres gjermane të drejtësisë.

Brigitte Zypries do të ketë mirëkuptim për këtë. Dhe ndoshta ajo dhe homologët e saj do ta kenë më të lehtë realizimin e kësaj ideje sesa marrjen vesh për një direktivë të përbashkët për ndjekjen penale të racizmit dhe ksenofobisë. Gjetjen e një rregulle përkatëse socialdemokratja e kishte shpallur në janar pikërëndesë të punës së vet gjatë presidencës gjermane në Bashkimin Evropian:

"Këtu bëhet fjalë për dënimin e nxitjes së urrejtjes dhe të dhunës për motive raciste. Tjetra është mohimi i holokaustit apo i krimeve të tjera kundër njerëzimit, të konstatuara prej një gjykate ndërkombëtare, e lidhur kjo ndoshta edhe me fyerjen e një popullsie të tërë, të prekur prej këtij kategorizimi krimesh."

Me sa duket ministrat e drejtësisë nuk kanë arritur ende rezultate konkrete. Arsyeja kryesore për këtë është tradita e ndtyshme juridike në vendet e veçanta anëtare të Bashkimit Evropian si dhe vështirësia për vendosjen e kufirit ndaj lirisë së shprehjes, thanë njëzëri Zypries dhe i ftuari i saj Frattini. Ndalimin në mbarë Evropën të simboleve naziste ministrja gjermane e konsideron të pamundur përballë vështirësive që u paraqitën në rënien dakort për trajtimin e mohuesve të holokaustit:

"Kur është e diskutueshme edhe kjo, atëherë në Evropë nuk ka shumicë kur bëhet fjalë për ndalimin e paraqitjes së thjeshtë të kryqeve të thyer naziste."

Megjithatë Zypries dhe Frattini janë optimistë se deri në përfundim të presidencës gjermane në Bashkimin Evropian në fund të qershorit do të jetë arritur direktiva evropiane kundër racizmit dhe ksenofobisë.

Ata duan të dokumentojnë suksese edhe në luftën kundër lojërave kompjuterike që glorifikojnë dhunën. Por Frattini paralajmëroi ndaj pritjeve të tepruara: Në kohën e internetit nuk mjaftojnë vetëm ndalimet. Më të rëndësishme janë puna sqaruese dhe parandaluese. Dhe kjo fillon në familje, tha italiani.

  • Data 21.02.2007
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8o
  • Data 21.02.2007
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8o