1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende asnjë siguri për ftesë në samitin e Bukureshtit

30 Janar 2008

Jaap de Hop Schefer: reformat e ndërmarra duhet të jenë të pakthyeshme. Duhet të bëni kujdes në reformat në drejtësi, atë të sistemit zgjedhor si dhe në forcimin e kulturës politike në marrëdhëniet pozitë – opozitë.

https://p.dw.com/p/Czj6
Fotografi: AP

Ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me ftesën që Shqipëria shpreson të marrë gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s që do të mbahet nga 2 deri në 4 prill në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Edhe vizita e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha në selinë e Aleancës Atlantike në Bruksel nuk hodhi ndonjë dritë më shumë në këtë drejtim.

Shqipëria paraqitej në këtë takim, i fundit para atij të Bukureshtit, në nivelin e saj më të lartë. Përveç kryesministrit në delegacionin shqiptar bënin pjesë ministri i Mbrojtjes Fatmir Mejdiu, ai i jashtëm Lulzim Basha, si dhe përfaqësuesit e opozitës Ilir Meta dhe Ylli Bufi. Ky nivel i lartë mund të kuptohet si përpjekje që Shqipëria të tregohej para zyrtarëve të lartë të Aleancës Atlantike si një vend me demokraci të konsoliduar dhe funksionale.

Megjithatë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Skefer ndër tri çështjet kryesore vuri në dukje sidomos thellimin e kulturës politike të bashkëpunimi pozitë opozitë në Shqipëri, hartimin e reformës zgjedhore si dhe atë në drejtësi.

Kryeministri shqiptar Berisha u përpoq gjatë ekspozesë së tij të theksojë se gjithë klasa politike shqiptare dhe mbarë vendi janë të përgatitur për të hyrë në NATO dhe e meritojnë ftesën në samitin e Bukureshtit.

Por duke qenë i ndërgjegjshëm se ende asgjë nuk është vendosur, ai nënvizoi se sido që të jetë nuk do të jemi asnjëherë humbës, siç nuk do ta humbasim kurrë shpresën për t'u anëtarësuar në NATO.