Emigrantët nuk janë barrë për sistemin social gjerman | Gjermania | DW | 28.11.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Emigrantët nuk janë barrë për sistemin social gjerman

Një studim i ri i Fondacionit Bertelsmann ka treguar se sistemi social në Gjermani ka pësuar rritje financiare për shkak të emigrantëve por në të njëjtën kohë kërcënohet edhe nga humbjet për shkak të mos integrimit.

Kur erdhi në moshën 14-vjeçare në Berlin, Nihat Sorgec u zhgënjye. Ai erdhi në një kohë që të huajt në Gjermani quheshin ‘Gastarbeiter', njerëzit të cilët vinin të punonin dhe supozohej se pas disa vitesh punë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Sorgec ishte në klasë me të huaj të tjerë, atëherë nuk kishte koncept integrimi.

"Shpejt kuptova se nëse do të bëhesh dikush, atëherë duhet të jesh më i mirë se mesatarja," thotë ai. Ai nisi të lexojë libra për fëmijë për të mësuar më mirë gjermanishten. Më pas ai kërkoi që të shkonte në një klasë me nxënës gjermanë.

Nihat Sorgec

Nihat Sorgec

Emigrantët nuk janë barrë e sistemit social gjerman

42 vjet më vonë Sorgec lexon njoftimin për shtyp të Fondacionit Bertelsmann, që ka bërë një analizë të benefiteve që vijnë nga emigrantët. Inxhinierin, i cili drejton qendrën e Bildungswerk Kreuzberg që ndihmon të rinjtë me prejardhje migracioni, e shqetëson kjo fjali: " 6.6 milion njerëz pa pasaportë gjermane kontribuan me 22 miliardë euro në sistemin social gjerman në vitin 2012."

“Pse është bërë vetëm për ata që nuk kanë një pasaportë gjermane? Unë nuk jam i përfaqësuar në këtë studim," thotë ai. Pjesa më e madhe e studimeve bazohen në të dhënat e censusit, që regjistrojnë kombësinë, por nuk marrin parasysh prejardhjen e migracionit. Ata të huaj, të cilët kanë një pasaportë gjermane dhe që në përgjithësi janë emigrantët më të suksesshëm janë lënë jashtë statistikave.

Studimi hedh poshtë supozimin se emigrantët janë një barrë për sistemin social gjerman. Sipas një sondazhi të kryer nga fondacioni, dy të tretat e gjermanëve mendojnë se emigrantët janë një barrë për Gjermaninë. Fondacioni ka llogaritur gjithashtu se mesatarisht të huajt paguajnë 3000 euro më shumë në taksa dhe kontribute sociale në krahasim me atë që marrin në formën e benefiteve.

Më shumë integrim do të thotë më shumë para në arka

Studimi mund të lexohet edhe ndryshe. Numri i emigrantëve të papunë është tre herë më i lartë se i gjermanëve. Prandaj nevojitet më shumë punë në edukimin e brezit të dytë të emigrantëve. 40% e fëmijëve të emigrantëve marrin edukim më të lartë se prindërit e tyre, ndërkohë 60% të tjerë jo. Nëse brezat e rinj të emigrantëve do të ishin integruar më mirë në tregun e punës, kontributi i tyre do të ishte katër herë më i madh.

Nihat Sorgec, të hënën do të ulet në krah të Kancelares Angela Merkel si përfaqësues i një shoqate emigrantësh në një takim, ku do të prezantohen reuzltatet e një samiti për integrimin. Ai ka takuar edhe Presidentin e SHBA Barak Obama në një takim me myslimanët më të suksesshëm në botë. Sorgec ka marrë shumë çmime për punën e bërë me të rinjtë.