El Baradei i paraqet sot Këshillit të Sigurimit raportin për Iranin | Bota | DW | 28.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

El Baradei i paraqet sot Këshillit të Sigurimit raportin për Iranin

Dëshira e Uashingtonit është, që kërkesat ndaj Iranit të kenë formën e një rezolute të kapitullit 7, pra një ultimatum detyrues, i cili mund të shoqërohej në rast mosplotësimi me masa ndëshkimore. Pekini dhe Moska janë të mendimit se bisedimet me Iranin duhet të vazhdojë t'i kryejë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

default

Meqënëse qeveria e Teheranit as nuk iu përgjigj pyetjeve të kësaj agjencie dhe as nuk e ka ndërprerë programin për pasurimin e uranit, askush në Nju-Jork nuk pret ndonjë surprizë prej raportit të El Baradeit. Nisur nga kjo ambasadori i SHBA-ve pranë OKB-së, John Bolton, thotë:

"Ky është pikërisht shkaku përse qeveria e Iranit përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë në botë dhe përse është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit të ndërmarrë aksione, të cilat ne do t'i kërkojmë menjëherë sapo të kemi në dorë raportin."

Dëshira e Uashingtonit është që kërkesat ndaj Iranit të kenë formën e një rezolute të kapitullit 7. Vendimi i fundit i KS për Iranin nuk ishte një rezolutë, e këtij tipi, pra një ultimatum detyrues, i cili mund të shoqërohej në rast mosplotësimi me masa ndëshkimore. Ishte pra më tepër vetëm një kërkesë ndaj Teheranit zyrtar.

Megjithatë konsultimet e kërkuara nga Bolton, të cilat do të fillojnë të mërkurën e ardhshme më 3 maj dhe do të zhvillohen me dyer të mbyllura, nuk është se përmbajnë në vetvete ndonjë potencial të madh kërcënues. Kjo sepse anëtarët me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia janë tërësisht kundër sanksioneve dhe jo më pastaj ndaj një goditjeje ushtarake. Këtë e bëri të qartë edhe ambasadori kinez pranë OKB-së, Wang Guan Gya:

"Qofshin sanksione të bashkësisë ndërkombëtare, sanksione të një vendi të vetëm apo të një grupi vendesh, Kina nuk do t'i përdorë kurrë sanksionet dhe nuk do të pranojë kurrë sanksione kundër Kinës."

Ambasadori kinez refuzon edhe kërcënimin për nxjerrjen e një rezolute të tipit kapitulli 7. Pekini dhe Moska janë të mendimit se bisedimet me Iranin duhet të vazhdojë t'i kryejë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Sipas tyre deri më sot nuk është vërtetuar se Irani e ka shkelur vërtet marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore.

Prej këtyre qëndrimeve të kundërta duket se bisedimet në Këshillin e Sigurimit do të përfundojnë në qorrsokak. Për këtë Uashingtonit i mbeten dy rrugë, ose të krijojë një koalicion të të vullnetshmëve, kësaj radhe për sanksione, ose si në rastin e Koresë së Veriut, të hyjë në bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin.

  • Data 28.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLf
  • Data 28.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLf
Reklamë