Ekzekutimi i Saddam Hussein-it ne shtypin ndërkombëtar | Studimi në Gjermani | DW | 06.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ekzekutimi i Saddam Hussein-it ne shtypin ndërkombëtar

Dy temat më të rrahura në komentet e shtypit ndërkombëtar në javën që lamë pas ishin: Ekzekutimi i ish-presidentit irakian Saddam Hussein dhe presidenca e dyfishtë e Gjermanisë, e Bashkimit Evropian dhe G8-ës.

default

Gazeta amerikane "New Jork Times" trajton pasojat e ekzekutimit të Saddam Husseinit:

"Për qeverinë e Bushit, që pretendon se ka hyrë në luftën e Irakut për të ndërtuar atje demokraci e drejtësi, pamjet që u panë nga e gjithë bota ishin të turpshme. Fatkeqësisht amerikanët do të bëhen përgjegjës për këtë, ndërsa populli irakian ndoshta do të vuajë edhe më shumë. Në vend që të ishte një dalje simbolike nga epoka më e errët e Irakut, ai tani do të nxisë një epokë të re hakmarrjeje ndërmjet grupeve rivale brenda vendit."

BASLER ZEITUNG që botohet në Zvicër shkruan:

"Në ekzekutimin e Saddamit kemi të bëjmë me një vrasje të vonuar tirani që e lehtëson ndërgjegjen kolektive të Botës që e la atë kaq gjatë të ndikojë në politikë. Por ajo kërkon me forcë edhe një gjykatë penale botërore, që raste të tilla i zgjidh me procedura juridike transparente ndërkombëtare e që natyrsisht e përjashtojnë mundësinë dënimit me vdekje."

Gazeta serbe "Danas" është më kritike:

"Ecuria e procesit të Saddamit në Bagdad, ekzekutimi i dënimit me vdekje dhe kritika e mëpasshme ndaj tij dëshmojnë për hipokrizinë e botës demokratike, para së gjithash të atyre shteteve, që e shohin veten si pararojë të saj. Pikërisht këto shtete në një farë mënyrë u bënë ndihmësat e ndihmësve në linçimin brutal ndaj Saddamit pa marrë pjesë në ekzekutim, pra në zbatimin e dënimit me vdekje."

Revista britanike "TIMES" parlajmëron që të mos paragjykohen irakianët:

"Tmerret që ata kanë hequr nën tiraninë e tij për vite të tëra janë të papërfytyrueshme për shumicën në perëndim. Poshtërimet që u janë bërë viktimave të tij janë shumë më keq se talljet e ekzekutimit. Sidoqoftë: Iraku do të shkëputet nga e kaluara kur të heqë dorë nga këto sjellje. Ky do të ishte mësimi më i mirë që do të duhej të nxirrte qeveria irakiane nga kjo ngjarje makabre."

CORRIERE DELLA SERA që botohet në Romë e merr ekzekutimin si shkas për të kritikuar dënimin me vdekje:

"Kush ka për detyrë që të kujdeset për drejtësi, nuk mund të zbresë në një shkallë me kriminelët, qoftë ky edhe një ish-tiran. Nga konsolidimi i këtij parimi ka lindur rrefuzimi që i bën Evropa dënimit me vdekje, e që tek shumë njerëz forcohet nga motive fetare... . Pra mbeten dy qëllime: të nxitet zhvillimi i ndërgjegjes dhe të ngrihen edhe më shumë gjykata ndërkombëtare që nuk parashohin litarin."

Gazeta britanike "Financial Times" trajton pozitën e Gjermanisë si kryetare e radhës së Bashkimit Evropian dhe e Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë, G8-ës:

"Duke pasur parasysh "kaosin e përhershëm" në Linjen e Mesme, qeverinë e dobësuar dhimbshëm të Shteteve të Bashkuara dhe BE-në që me largimin e dy krerëve të saj më të vjetër, Jacques Chirac-ut dhe Tony Blair-it, do të jetë shumë e ngarkuar me veten, për kancelaren Angela Merkel ky do të jetë udhëtimi provë. Por edhe një moment i rëndësishëm për një Gjermani gjithnjë e më të vetëdijshme për t'i dhënë politikës ndërkombëtare nuancat e veta."

E përditshmja italiane "LA STAMPA" plotëson:

"Në se gjysmëviti i presidencës gjermane të BE-së do të dështonte atëherë do të merrte fund edhe mirëbesimi në procesin e ribashkimit evropian. Evropa do të binte në një moçal politik. Po ta kesh parasysh këtë kërcënim atëherë mund të diktosh shkathtësinë e kancelares për të vendosur që në fillim të presidencës një tjetër qëllim të përbashkët, që do të vazhdonte edhe në rast se procesi i rigjallërimit të kushtetutës dështon: një marrëveshje transatlantike ekonomike ndërmjet Evropës dhe Shba. Bëhet fjala për të vetmen fushë në të cilën Evropa flet me një zë."

Ndërsa "The Guardian" nga Londra shënon

"Angela Merkel, që vazhdimisht merr lëvdata për vendosmërinë që tregon, duhet ta përdorë ndikimin që ka për ta nxjerrë BE-në nga diskutimi për kushtetutën e shpallur të vdekur e të fitojë mbështetje për disa reforma institucionale të domosdomshme, qofshin këto edhe minimale, në mënyrë që ky spektakël i ngatërruar me 27 anëtarë të vazhdojë rrugën: Siguria në fushën e energjetikës, - e lidhur me këtë - marrëdhëniet me një Rusi gjithmonë e më të vështirë, si edhe një strategji e përshtatshme ambjentaliste janë sfida shumë serioze."

  • Data 06.01.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmE
  • Data 06.01.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmE