Ekzekutimet janë çnjerëzore, njësoj si vrasjet | Studimi në Gjermani | DW | 14.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ekzekutimet janë çnjerëzore, njësoj si vrasjet

Ekzekutimi i të dyshuarit si vrasës Tookie Williams në Kaliforni ka shkaktuar një valë të gjerë kritikash. Në komentet e gazetave të sotme gjermane, dënimi me vdekje damkoset si një mjet ndëshkimi i kaluar nga koha dhe antinjerëzor dhe evidentohet e veçanta në rastin Uilliams.

default

Gazeta BERLINER KURIER thekson se në shtetet e civilizuara të botës, ekzekutimet i përkasin së kaluarës:

"SHBA duhet të përmenden në rastin e kësaj çështjeje me të njëjtën frymë me ato regjime që Uashingtoni i quan shtete të pabesa. Një shoqëri jo edhe aq e këndshme. Schwarzenegeri u shërbeu mbrojtësve të dënimit me vdekje në vendin e tij. Por Uilliamsi është bërë pas 24 vjetësh në qelinë e vdekjes një njeri tjetër. E parë me këtë sy, ekzekutimi i tij është një vrasje gjakftohtë."

Për gazetën OFFENBACH-POST, ekzekutimi është në kundërshtim me autoportretin politik të SHBA:

"Po, ekzekutimet janë çnjerëzore, njësoj si vrasjet. Por një shtet që i sheh ato si dënim, që hiqet njëkohësisht si shpikës i të drejtave të njeriut dhe bën në të gjithë botën reklamë për të mirën, bëhet në gradën më të lartë jo i besueshëm. Dhe dënimi me vdekje me të vërtetë që nuk bën efekt frikësimi, sic dihet mirë. Në fund të fundit ai është më tepër një akt mizor hakmarrjeje, se sa një dënim i drejtë."

Gazeta berlinase TAGESZEITUNG nxjerr në pah pakuptimësinë e ekzekutimit:

"Historia e Tooki Williams është gati një pjesë mësimi kundër dënimit me vdekje. Sepse, prej arrestimit të tij në moshën 26 vjecare, 25 vjetët kur ai priste vdekjen e ndryshuan atë rrënjësisht. Dënimi me vdekje shqiptohet në SHBA vetëm në 1 përqind të të gjitha vrasjeve- dhe ai bie shpesh mbi të varfrit dhe të zinjtë; dhe në të paktën 450 raste të konfirmuara, të pafajshmit."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera veçon:

"Mund të pyesësh edhe nëse është punë e mençur që të diskutosh në këtë debat cështjen më fundamentale, pra cështjen nëse shteti ka një të drejtë të ekzekutojë një vrasës. Nëse dënimin me vdekje e barazon me vrasjen, atëherë mund të korrësh vërtet duartrokitje prej atyre që janë sido që të jetë kundër dënimit me vdekje. Të gjithë të tjerët kjo çështje megjithatë nuk do t'i bindë. Më e mençur do të ishte që kësaj pyetjeje të mos i jepet përgjigje dhe që të kërkosh atë, të cilën e ka borxh cdo shoqëri e civilizuar: të drejtën për mëshirë dhe falje, respektin për jetën, edhe në ato raste kur kemi të bëjmë me jetën e atij që u ka marrë jetën të tjerëve."


Ndërrojmë temë: në shumë shkolla në jugperëndim të Gjermanisë është futur si lëndë mësimi, ora e fesë islame. Këtë e komentojnë sot disa gazeta.

Fillimisht shkëpusim një citat nga SCHWARZWALDER BOTE:

"Po të flasësh esëll, në radhë të parë duhet të tërheqësh vëmendjen për diçka: me futjen e mësimit të fesë islame në jugperëndim të Gjermanisë, politika arsimore në Gjermani mbërriti me të vërtetë edhe në shkollat tona. Jo shumë më tepër se një dëshirë e thjeshtë është shpresa se mësimi i fesë islame në shkolla do t'u heqë tullën e fundit shkollave të kuranit. Për një kohë shumë të gjatë janë mbyllur sytë nga fakti se çështja e fesë luan një rol shumë të rëndësishëm për integrimin e të huajve. Nëse lënda e re e mësimit do të rezultojë me sukses, nga kjo nuk do të përfitojnë dicka vetëm shkollat."

ESSLINGER ZEITUNG është e mendimit:

"Ai që kërkon t'i bëjë myslimanët e rinj pjesëtarë të një shoqërie të hapur, ai duhet të vendosë sinjale edhe në drejtime të tjera: për shembull, kur vjen puna për të penguar martesat me detyrim ose për të ndaluar prindërit që t'i largojnë vajzat nga mësimi i fizkulturës. Përballë këtyre, futja graduale e orëve të fesë islame në shkolla është një hap i vogël."

  • Data 14.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsO
  • Data 14.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsO