Ekstremistët izraelitë themelojnë një ngulim të ri në Rripin e Gazës | Bota | DW | 29.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ekstremistët izraelitë themelojnë një ngulim të ri në Rripin e Gazës

Sa më shumë afrohet mesi i gushtut, koha e tërheqjes së planifikuar izraelite nga Rripi i Gazës, aq më e fuqishme bëhet qëndresa e kolonëve radikalë, që u kundërvihen me thonj e me dhëmbë planeve të qeverisë; edhe në Izrael vetë kanë protestuar në fundjavë dhjetëra mijëra njerëz kundër planit për tërheqje të kryeministrit Ariel Sharon. Në jug të Rripit të Gazës ekstremistët izraelitë themeluan madje një ngulim të ri prej të cilit po e pësojnë tani banorët palestinezë, të cilët rrezikojnë të bien midis dy fronteve.

default

Ngulimi më i ri izraelit në Rripin e Gazës quhet Tal Yam, që do të thotë "vesë deti". Por ky emër poetik nuk përshkruan më shumë sesa disa rrënoja. Deri pak kohë më parë këtu në bregun e Rripit të Gazës qëndronin disa shtëpiza, të cilat para luftës gjashtëditëshe të vitit 1967 u shërbenin si vend pushimi oficerëve egjiptianë. Para pak ditësh ushtria izraelite i shkatërroi këto shtëpiza për të shmangur vendosjen dhe barrikadimin atje të kolonëve hebrenj. Por kolonët e rinj, ekstremistë, të cilët kanë ardhur këtu nga Bregu Perëndimor i lumit Jordan për të penguar tërheqjen nga Gaza nuk u ndalën nga ky veprim. Midis rrënojave të rinjtë themeluan ngulimin e tyre të ri Tal Yam. Prej andej ata depërtuan pardje në një shtëpi ende të papërfunduar palestineze dhe ngritën atje flamurin e tyre të portokalltë, që është kthyer në simbol të lëvizjes së kolonëve. Pronarët palestinezë u përpoqën më kot t'i largonin.

"Ç'do të thotë kjo?! Shtëpia jonë zaptohet me dhunë dhe ushtria e policia edhe i ndihmon zyptuesit. Ne na thanë se do t'i nxirrnin brenda një ore, por këtë na e thanë që dje dhe nuk po ndodh asgjë. Ushtria dhe policia vetëm flasin."

Palestinezët e Moassi-t, të cilët jetojnë krejt pa të drejta midis ngulimeve hebreje dhe të kufizuar në lirinë e tyre të lëvizjes qenë në gjendje t'u shmangeshin pesë vitet e fundit të Intifadës përplasjeve me kolonët dhe ushtrinë izraelite. Tani, pak para tërheqjes së planifikuar të izraelitëve nga Rripi i Gazës ata po përfundojnë thuajse detyrimisht midis gurëve të mullirit. Në përleshjet midis kolonëve dhe forcave izraelite të sigurimit ata rrezikojnë të bluhen.

Um Muhamad jeton me të shoqin dhe shtatë fëmijët e tyre në një shtëpi dykatëshe betoni, vetëm disa qindra metra larg detit dhe ngulimit të ri. Që tani frikësohet nga tërheqja e afërt dhe nga dhuna e kolonëve:

"Kemi frikë. Kemi frikë nga kolonët, se mos na sulmojnë. Po shohim se sa fuqishëm i kundërvihen planit të tërheqjes dhe kemi frikë nga ajo që mund të bëjnë. Ata kanë qenë agresivë që prej fillimit të Intifadës. Shpesh u kanë vënë zjarrin shtëpive palestineze, na kanë sulmuar e na kanë hedhur shishe benzine."

Kryeministri izraelit Ariel Sharon e kritikoi ashpër gatishmërinë për dhunë të kolonëve. Të rinjtë në bregun Neve Dekalim janë shkelës të ligjit, një pakicë e vogël që nuk përfaqëson shumicën e kolonëve, tha ai. Në të njëjtën kohë Sharon ritheksoi vendosmërinë e vet për zbatimin e planit të tërheqjes; sepse, siç tha, ëndrra për të themeluar në krejt tokën historike të Izraelit një shtet hebre, nuk mund të përmbushet.

"Ne largohemi nga Rripi i Gazës, nga një zonë ku nuk ka mundësi që të vendosësh një shumicë hebreje. Të gjithë e kanë të qartë që Gaza nuk do të jetë në asnjë marrëveshje afatgjatë pjesë përbërëse e Izraelit."

  • Data 29.06.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOr
  • Data 29.06.2005
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOr
Reklamë