1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertët britanikë: Terroristët janë njerëz të lindur dhe të rritur në këtë vend

DW11 Gusht 2006

Edhe më tej vazhdon të zotërojë gjendje alarmi në Britaninë e Madhe. Frika nga sulmet e mundshme terroriste ka kapluar edhe vendet e tjera.

https://p.dw.com/p/Aqoo
Rritje e shkallës së sigurisë në Londër
Rritje e shkallës së sigurisë në LondërFotografi: AP

Një ditë pas pengimit të sulmit terrorist nuk ka të dhëna të sigurta për identitetin dhe sfondin e përgjithshëm të të dyshuareve të cilët kanë marrë pjesë në këtë përpjekje për të kryer sulme terroriste. Një gjë është bërë e ditur se policia britanike ka arrestuar në Londër dhe në Birmingham me shumë se 24 vetë. Bastisje të mëdha kanë ndodhur në ëalthamstov në lindje të kryeqytetit britanik. Këtu jeton komuniteti i madh musliman.

Televizioni BBC ka bërë të njohur se tek atentatorët e dyshuar janë gjetur lidhje me organizatën terroriste El Kaida. Pas arrestimeve në Londër kanë pasur arrestime edhe në Pakistan. Burimet e informacionit brenda shërbimeve të fshehta njoftojnë se ekziston një bashkëpunimi i ngushtë në mes zyrtarëve të Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe Pakistanit. Ndërkohë një bankë në Londër ka njoftuar se jane bllokuar xhirollogaritë bankare të 19 personave të arrestuar me qëllim që ata të mos mund t'i transferojnë shpejt parat gjetiu.

Skotland Yard është i mendimit se janë anuluar fluturime të disa aeroplaneve në drejtim Londër-SHBA. Siç duket kokat kryesore te komplotit të planifikuar por të dështuar janë arrestuar, thote Peter Clarke, drejtues i njësisë antiterror në Londër.


"Do të ketë bastisje edhe në disa objekte të biznesit dhe në banesa në Londër dhe gjetiu. Ne mendojmë se operacioni do të vazhdojë edhe për një kohë."

Për shkaqe taktike hetimet vazhdojnë të jenë të heshtura, thotë Peter Clarke. Për arsye të frikës nga mundësia e ekzistimit të planeve të tjera terroriste në Britaninë e Madhe vazhdon edhe për një kohë të jetë në fuqi gjendja e alarmit .

Ministri i punëve të brendshme John Reid thotë: "Ne kemi ndërmarrë masa të nevojshme, për të mbrojtur popullsinë- së pari duke arrestuar persona të dyshimtë dhe masa tjera, për këtë arsye mbetet gjendja e alarmit."

Sipas ministrit britanik nëse do të realizoheshin planet e terroristëve, do të kishte pasoja të mëdha për njerëzit në përmasa deri më tani të panjohura. Edhe Skotland Yard ka folur për një plan të "vrasjes masive".

Grupi terrorist kishte plane të fuste në avion eksploziv në çantë dore për të rrëzuar avionin. Ekspertët e sigurisë dyshojnë se, terroristët kanë planifikuar të fusin eksplozivin në shishe uji. Sipas mediave amerikane në këtë plan terrorist janë angazhuar 50 persona. Këto burime thonë se në plan të sulmeve kanë qenë aeroplanet e kompanive United Airlines, Amerikan dhe Continental Airlines. Ajo që i shqetëson ekspertët është fakti se të dyshuarit i takojnë shtresave të mesme të shoqërisë britanike.

Sajan Gohell thotë: "Ajo që është më e keqe është fakti, se terroristët janë njerëz të lindur dhe të rritur në këtë vend. Kjo i bën të rrezikshme këto kërcënime".

Zyrtarisht ende nuk është bërë e njohur nëse të arrestuarit janë myslimane britanikë me origjinë nga Pakistani. Gjatë dy ditëve të fundit në aeroportin e Londres është krijuar një kaos i vërtetë. Vetem në Britaninë e Madhe sipas të dhënave zyrtare kanë mbetur duke pritur 400 mijë pasagjerë. Në gjithë botën janë ashpërsuar masat e sigurisë në aeroporte.