EJL: Model i ekuilibruar ekonomie - mungojnë vendet e punës | Ballkani | DW | 25.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

EJL: Model i ekuilibruar ekonomie - mungojnë vendet e punës

Raporti i vitit 2018 i UNCTAD-it për Zhvillimin Ekonomik Botëror e vlerëson ekonominë në Europën Juglindore si të ekuilibruar, por me nevoja të mëdha për krijimin e vendeve të punës.

Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe zhvillimin, e njohur si UNCTAD-i, ka bërë publike raportin e zhvillimit ekonomik të botës për vitin 2018. Pas një periudhe të gjatë stanjacioni ekonomia botërore më në fund po forcohet dhe në vitin 2017 pati rritje 3 përqind, rritje që pritet të vazhdojë më 2018 dhe 2019, theksohet në raport.   

Zhvillimi ekonomik nuk ka qenë i njëjtë në gjithë rajonet dhe vendet. Më dinamike paraqitet Azia Lindore dhe Jugore.

Për Europën Juglindore, raporti i ka zgjedhur fjalët me kujdes për të treguar për një zhvillim që nuk ka ngecur, por as nuk ka bërë shumë përpara. "Zhvillim i moderuar ekonomik, relativisht i balancuar” thuhet për zhvillimin ekonomik të EJL. Ky zhvillim është mbështetur nga përmirësimi i perspektivës ekonomike në BE dhe nga rritja e kërkesës në vend.

"Investimet në infrastrukturë kanë vazhduar të nxisin zhvillimin sidomos në Mal të Zi. Konsumi privat ka luajtur një rol më të madh, sidomos në Shqipëri, ku është rritur numri i vendeve të punës dhe rrogat. Në Serbi, ekonominë më të madhe të rajonit, dimri i vështirë ndërpreu lidhjet e transportit duke ulur aktivitetet në fushën e ndërtimit. Thatësira e vitit shkaktoi uljen e prodhimit në bujqësi. Këto faktorë ulën perspektivat e zhvillimit. Mungesa e sigurisë në politikën vendase ka rënduar mbi investimet e biznesit dhe mbi konsumin privat,” shkruhet në raport.

Borxhi publik mbetet barrë

Rritja totale e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në rajon ra nga 2.9 për qind në 2016 në rreth 2.5 për qind në vitin 2017, por pritet të ngrihet në 3.2 për qind në vitin 2018. Rajoni po sheh rritje të investimeve nga Kina, kryesisht në formën e projekteve të ndërtimit, të financuara nga kreditë kineze. Ndërkohë që sigurojnë përmirësimin e mirëpritur të infrastrukturës, këto kredi rrisin shumë borxhin publik. "Modeli aktual i rritjes në rajon është më i balancuar se në periudhën para krizës, kur ekspansioni i shpejtë u shoqërua me deficite të mëdha parash dhe rritje të borxhit privat dhe publik”, vërejnë ekspertët e UNCTAD.

Megjithatë, mungesa e parave krijon nevojë për financime nga jashtë, duke e bërë rajonin të pambrojtur para rreziqeve të ndryshimit të kushteve të financimit. Investimet e huaja mbeten burimi kryesor i financimit në rajon dhe rritja e eksporteve do të ulte në të ardhmen prishjen e ekuilibrave nga jashtë.

Shtimi i vendeve të punës

Për të kapërcyer problemet strukturore të rajonit, kërkohet rritje më e madhe ekonomike. Për të parandaluar largimin e njerëzve - sidomos të të rinjve, kërkohet nxitje më e madhe në krijimin e vendeve të punës. Papunësia ka mbetur e lartë në Bosnjë Hercegovinë dhe në Maqedoni, megjithë futjen e programeve në sektorin publik. Përkundër progresit në konsolidimin fiskal dhe disa suksese në stabilizimin e borxhit publik në Shqipëri dhe Serbi, barra e borxheve mbetet e rëndësishme. Në Maqedoni dhe Mal të Zi janë planifikuar të bëhen shpenzime të tjera për infrastrukturën, çka mund të çojë në shtimin e deficitit fiskal. "Perspektivat ekonomike të Evropës Juglindore varen nga dinamika e rritjes ekonomike në Bashkimin Evropian. Tensionet gjeopolitike janë gjithashtu një rrezik. Perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet instrumenti më i rëndësishëm politik në rajon dhe në shumë aspekte, zhvillimet në këtë front do të përcaktojnë perspektivën politike dhe ekonomike,” thuhet në raportin e UNCTAD.

Reklamë