Egjipti furnizon me armë Fatahun e presidentit palestinez | Bota | DW | 29.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Egjipti furnizon me armë Fatahun e presidentit palestinez

Egjipti i ka nisur forcave të sigurimit të presidentit Abaz një kontigjent të madh armatimi, transportimi i të cilit është kryer të enjten përmes territorit izraelit me lejen e qeverisë në Jeruzalem.

Milicë të Fatahut

Milicë të Fatahut

Armatimi kësaj radhe arriti krejt legalisht në Rripin e Gazës. Jo ilegalisht por në pikëkalimin Karni, të vetmin për kalimin e mallrave mes Izraelit dhe Rripit të Gazës. 2.000 armë zjarri dhe dy milionë fishekë - të nisura nga Egjipti për trupat e presidentit Abaz. Presidenti i Autoritetit Autonom duhet të jetë i pajisur për përleshje të mundshme ushtarake me luftëtarët e Hamasit radikal.

E përditshmja izraelite "Haaretz" njoftoi për këtë marrëveshje armatimi, e cila u përgënjeshtrua nga zyra e presidentit palestinez. Në arkat e transportuara përmes pikëkalimit Karni ka patur mjete kancelarike.

Por në Izrael askush nuk dyshon që informacioni për armët është i vërtetë. Amos Gilad, shef i sektorit politik në ministrinë e mbrojtjes, tha për radion izraelite se armët për gardën e presidentit duhet të mbështesin forcat paqësore në rajon.

"Këtu po zhvillohet një luftë mes krijesave si 'Hamastani' apo 'Hisbollahstani' të cilët ndodhen nën drejtimin e ekstremistëve shiitë apo sunitë dhe financohen nga paratë iraniane. Eshtë një luftë mes forcave të cilat mund të kenë ndikim të madh pozitiv në Lindjen e Mesme dhe atyre që kanë ndikim negativ", sqaron Gilad.

Megjithatë vet Izraeli nuk ka të bëj asgjë me këtë armatim. Jeruzalemi nuk pajis me armë Autoritetin Autonom palestinez. Qeveria palestineze ndërkohë ka kërkuar sqarime nga Jeruzalemi. Një zëdhënës i kryeministrit Ismail Hanija tha se armatimi i njërës palë në luftën e brendshme politike palestineze vetëm rrit tensionet në rajon. Konflikti në mes të palestinezëve duhet të zgjidhet me dialog e jo mjete ushtarake.

Por deklaratat e Hamasit nuk i bëjnë përshtypje ministrit izraelit Meir Shitrit: "Ne nuk duam që ata të kenë raketa, as njëra as tjetra palë. Por armë të lehta për vetmbrojtje kjo është e kuptueshme. Andaj për mua është logjike që të mbështesim presidentin Abaz dhe Fatahun kundër Hamasit. Kjo për faktin se Hamasi dëshiron zhdukjen e Izraelit dhe është shumë logjike që ne të mbështesim palën tjetër. Nuk ka rëndësi nëse Hamasi është kundër? Hamasi do të na shkatërroj", sqaron ministri Shitrit.

Në Izrael siç duket llogarisin me atë që lufta për pushtet mes grupeve rivale palestineze të ripëlcasë së shpejti. Para dy javësh Abaz paralajmëroi zgjedhje të reja të parakohshme pasi dështuan të gjitha përpjekjet për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Me këtë paralajmërim ai shkaktoi luftimet në rrugë mes dy organizatave. Në Rripin e Gazës u pa se luftëtatarët e Fatahut nuk kanë gjasa të mposhtin luftëtarët e disciplinuar të Hamasit.

Mbreti jordanez Abdallah ka ofruar ndërmjetësimin e tij në konflikt dhe ka ftuar në Amman presidentin Abaz dhe kryeministrin Hanija. Megjithatë Hanija të enjten është nisur për në Mekë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Sipas rregullave izraelite pikëkalimi kufitar i Rafahut duhet të kalohet në këmbë e jo me makinë. Pasi Hanija nuk e respektoi këtë rregull duke mos dashur të zbres nga makina, Izraeli në shenjë proteste ka mbyllur këtë kalim kufitar. Nën motin e keq që po mbretëron në rajon, qindra plestinezë kanë mbetur duke pritur nga të dyja anët e kufirit.

  • Data 29.12.2006
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJl
  • Data 29.12.2006
  • Autor Bettina Marx
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJl
Reklamë