1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edi Rama kryeministër i ri i Shqipërisë

Ani Ruci / Tiranë10 Shtator 2013

Në Tiranë është zyrtarizuar rotacioni politik, rezultat i zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Kryeministri i ri Edi Rama u mandatua nga Presidenti Nishani.

https://p.dw.com/p/19fST
Parlamenti i ri i Shqipërisë mban seancën e parë. 09.09.2013
Fotografi: DW/A. Ruci

Sot paradite Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, mandatoi kryeministrin e ri të Shqipërisë Edi Ramën të formojë qeverinë, pas dorëheqjes dje të Sali Berishës, pas 8 vitesh qeverisjeje të vendit. Në seancën parlamentare parlamentare, të zhvilluar të martën (10.09.2013) paradite u zgjodh me votim të fshehtë edhe i vetmi kandidat për kryetar të Parlamentit, Ilir Meta, kryetatr i LSI. Ai u zgjodh me 91 vota pro duke marrë kështu edhe 8 vota nga opozita e djathtë. Po sot deputetët pas verifikimit të mandateve të tyre nga komisioni përkatës bënë betimin. Parlamenti i ri i Shqipërisë nisi rrugën e tij të legjislaturës së re. Ndryshe nga legjislaturat paraardhëse, ky Parlament e nisi atë pa bojkot të palës humbëse, konkretisht të koalicionit të djathtë, të kryesuar nga Partia Demokratike. Pas tetë vitesh në pushtet e djathta ndodhet në sallën e Parlamentit, tani në rolin e opozitës.

Gjasat e Parlamentit të ri për bashkëpunim dhe dialog

Kryeministri Edi Rama në Parlament.
Kryeministri Edi Rama në Parlament.Fotografi: DW/A. Ruci

Bojkoti, hyrjet dhe daljet e opozitave në Parlament kanë karakterizuar jetën parlamentare të Shqipërisë në 15 vitet e fundit, duke ngjallur kritika të vazhdueshme të institucioneve të BE për mungesë të kulturës së kompromisit dhe të bashkëpunimit, kultivimi i së cilës bën pjesë në kriteret politik të kartës së Kopernhagës, dhe plotësimi i të cilit është kusht për progres në procesin e integrimit europian të vendeve aspirante si Shqipëria.

Bashkëpunimi, çelësi për reforma të thella dhe integrim më të shpejtë në BE

Mesazhi i domosdoshmërisë së bashkëpunimit dhe dialogut mes opozitës së djathtë dhe maxhorancës së majtë dhe fillimit të një faqeje të re në parlamentarizmin e Shqipërisë ka zotëruar në dy seancat e Parlamentit, të mbrëmshmen dhe të paradites së sotme. Ilir Meta, kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit u bëri thirrje sot deputetëve “ të lënë mënjanë konfliktet për një sjellje të re politike”.

“Ky Kuvend duhet të përfaqësojë atë që duhet të jetë pritshmëria e shqiptarëve por dhe praktika më e mirë e europianëve, tolerancën dhe bashkëpunimin, respektin për ligjin e parimet demokratike. Shqiptarët kërkojnë nga ne reforma të thella dhe të qëndrueshme që na integrojnë më shpejt me Europën, reforma që u sjellin më shumë vende pune, që u bëjnë jetën e begatë fëmijëve dhe të ardhmes. Ndaj ftesa ime është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale”, tha sot në Parlament Ilir Meta. Të njëjtin mesazh dha mbrëmë edhe deputeti socialiat Namik Dokle, që drejtoi seancën e pare të Parlamentit të ri, pas refuzimit të Berishës, për ta drejtuar atë, gjë që i takonte sipas rregullores së Parlamentit, si deputeti më i vjetër me 22 vite jetë parlamentare.

Deputeti Namik Dokle hapi seancën e parë të Kuvendit të ri të Shqipërisë.
Deputeti Namik Dokle hapi seancën e parë të Kuvendit të ri të Shqipërisë.Fotografi: DW/A. Ruci

“Kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen në këtë Kuvend. Mazhoranca dhe opozita e re duhet të bashkëpunojnë në të mirë të integrimit të vendit dhe t'i japin fund kulturës së bojkotit të Parlamentit”, tha deputeti socialiat Namik Dokle.

Faktori ndërkombëtar bën thirrje për kulturë bashkëpunimi

Bashkëpunimi, dialogu dhe përqafimi i kulturës së kompromisit janë pritshmëri jo vetëm të maxhorancës së re parlamentare por edhe të faktorit ndërkombëtar. Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Hellmut Hoffmann tha për DW: "Parlamenti i ri ka një shans të madh të zhvillojë më tej kulturën politike drejt kulturës së bashkëpunimit dhe gjetjes së ekuilibrit në debatin politik opozitë – maxhorancë, mes polarizimit dhe konsensusit”. Për ambasadorin e delegacionit të BE në Tiranë, fillimi i legjislaturës së re është një ditë historike. “E gjithë Shqipëria, shoqëria civile, opinioni publik, mediat duhet të punojnë së bashku. Mendoj se të gjithë mund të themi se sot është një ditë historike. Ky Parlament po nis me një përparësi të qartë, që është integrimi i Shqipërisë në Europë”, tha ai.

Analisti i pavarur Eduard Zaloshnja thotë për DW se ka gjasa që bashkëpunimi të zëvendësojë konfliktualitetin: "Shoh tek Ilir Meta një mundësi për të luajtur një rol zbutës në marrëdhëniet mes opozitës së djathtë dhe maxhorancës së majtë, mes Berishës dhe Ramës. Jo se nuk do të ketë situata të tensionuara parlamentare por besoj se do të shmangen rastet ekstreme. Fakti që Ilir Meta mori sot edhe vota nga opozita e djathtë është një tregues për situate jo ekstreme, agresive dhe konfliktuale. Mendoj se edhe Rama si kryeministër do të përpiqet të shmangë provokimet për konflikt nga opozita dhe të fokusohet në realizimin e programit të tij qeverisës”, thotë z. Zaloshnja.

Opinioni zotërues në mediat e pavarura të Tiranës është se bashkëpunimi dhe dialogu përveç marrdhënieve pozitë – opozitë do të varet edhe nga jetëgjatësia e marërveshjes parazgjedhore të Prillit 2013, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.