1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe Gjermania e varfër?

Marlis Schaum 7 Janar 2008

Sipas të dhënave të shoqatave sociale deri në dhjetë milionë njerëz jetojnë në kufirin e minimumit të ekzistencës, ndër ta tre milionë të moshuar, pensionet e të cilëve nuk mjaftojnë.

https://p.dw.com/p/ClMI
Shishet e zbrazura nga pijet mblidhen për tu shitur
Duke mbledhur shishe e hedhura për t`i shiturFotografi: DW/Kate Bowen

Pa dyshim Gjermania bën pjesë ndër vendet më të pasura të botës. Edhe rrjeti i saj social konsiderohet ende në shumë vende të tjera si model që ia vlen të imitohet dhe që mund të shërbejë si rrjetë shpëtimi për çdo nevojtar. Por edhe ky sistem sigurimi mund të dështojë: Sipas të dhënave të shoqatave sociale deri në dhjetë milionë njerëz jetojnë në kufirin e minimumit të ekzistencës, ndër ta tre milionë të moshuar, pensionet e të cilëve nuk mjaftojnë. Disa prej tyre zgjedhin burime të pazakonta të ardhurash shtesë - dhe për këtë u duhet shpesh të luftojnë me ndjenjën e turpit.

Nevojtarë që hanë në mencën sociale, Frankfurt
Nevojtarë që hanë në mencën sociale, FrankfurtFotografi: AP

Studentet nga Britania e Madhe janë të irrituara. Një i ri sapo i ka pyetur nëse mund t'i jepnin shishet e zbrazëta plastike. Të habitura ato ia dhanë. I riu i futi menjëherë në një qese të madhe plastike dhe u largua i kënaqur. Shishet që kthehen, që përndryshe përfundojnë shpesh në kazanë plehrash, i sjellin atij para kur i çon tek shitësit e pijeve.

Është e premte në mbrëmje në rrugën plot lokale të Këlnit Zülpicher Straße. Një grua e moshuar po kërkon me llampë dore nëpër kazanë plehrash. Ajo ka veshur doreza të bardha dhe një xhup të kuq. Permanentin e ka të bërë mirë. 'E bëj këtë punë që prej një viti ngaqë marr shumë pak pension. Në muaj nxjerr rreth 100 euro shtesë, jo çdo ditë. E bëj vetëm të premteve, të shtunave.'

Rradha për të marrë ushqime falas, Mynih 2006
Rradha për të marrë ushqime falas, Mynih 2006Fotografi: AP

Një e re ka ndaluar dhe dëgjon. 'Unë do isha e kënaqur sikur të kisha 600 euro në muaj. Por jam studente, më bëhen shumë ulje çmimesh. Me siguri që mund të bëj punë më të rëndë sesa kjo grua. I admiroj njerëzit që marrin mundimin dhe punojnë për kaq pak euro ora, sepse shumë para nuk janë po ta bësh llogari. Dhe të them të drejtën më vjen keq për ta.'

Keqardhje Ralph-i as që do. Është e shtuna pas natës me party. Ralph-i është ulur në kafenenë Gulliver pranë stacionit hekurudhor të Këlnit. Ai bën pjesë tek njerëzit për të cilët pret që të jenë mbledhës shishesh. Ai është i papunë dhe i pastrehë. 'Kjo filloi para tre vjetësh. Pashë se si e bëntë një i pastrehë tjetër dhe i thashë vetes që edhe ti mund ta bësh. Dhe fillova të mblidhja shishe. Në atë kohë kishte relativisht qetësi, kishte shumë pak mbledhës shishesh. Mund të mblidhje ca para brenda një dite. Por tani gjendja sa vjen e keqësohet, sa vjen e bëhet më e vështirë të nxjerrësh paratë që të duhen për ditën.'

Një burrë që kërkon në plehra, Dyseldorf 2007
Një burrë që kërkon në plehra, Dyseldorf 2007Fotografi: AP

15 deri 20 euro mbledh ai çdo ditë. Kur puna i shkon mirë janë 60 deri 80 shishe plastike në ditë. Gjysmën e parave e shpenzon, mbetjen e kursen. Për të mbledhja e shisheve është një punë krejt e zakonshme.

Prej disa vitesh në të gjitha qytetet e mëdha gjermane numri i të ashtuquajturve mbledhës shishesh sa vjen e rritet. Në Köln, supozon Ralph-i që e njeh këtë rreth njerëzish, ka 100 deri në 200 mbledhës.