1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280509 Opel Auto

29 Maj 2009

E ardhmja e Opelit vazhdon të jetë e pasigurt: në takimin e nivelit të lartë në selinë e kancelares nuk u arrit dot një marrëveshje për një investor për filialen gjermane të koncernit amerikan General Motors (GM).

https://p.dw.com/p/HzzV
Opel GMFotografi: AP&DW

Në takimin mes përfaqësuesve të qeverisë gjermane, asaj amerikane, të GM dhe të investorëve koncerni amerikan njoftoi papritur se për të siguruar të ardhmen e Opelit ka nevojë edhe për 300 milionë euro shtesë. Si do të shkojë puna më tej?

Zakonisht diplomatët nuk e shprehin kaq hapur zemërimin e tyre dhe kjo vlen në të vërtetë edhe për ministrin e Jashtëm gjerman. Por pas takimit të dështuar për shpëtimin e prodhuesit të automobilëve Opel Frank-Walter Steinmeier në mënyrë të pazakontë përdori fjalë të qarta.

"Mbrëmja dhe bisedimet, që vazhduan deri natën vonë, në lidhje me të ardhmen e Opelit rrodhën ndryshe nga ç'e prisnim ne të gjithë. Në financim del tani një mungesë e re prej rreth 300 milionë eurosh. Kjo mund të dihej më herët dhe para së gjithash edhe duhej thënë më herët, sikurse mendoj unë. Kjo tregon gjithashtu se komunikimi mes Amerikës dhe Evropës nuk është i mirë sa duhet.".

Peer Steinbrueck, Karl Theodor zu Guttenberg, Roland Koch
Ministri i ekonomisë zu Guttenberg dhe ai i financave Steinbrück të zhgënjyer me amerikanëtFotografi: AP

Edhe ministri federal i Ekonomisë, Karl-Theodor zu Guttenberg, nuk e fshehu zemërimin e tij për palën amerikane, e cila kishte dërguar në Berlin vetëm një avokat pa të drejtë për të marrë vendime

"Në rast se gjykoj për natën e kaluar, mund të them vetëm se ajo, që u zhvillua atje, ishte pjesërisht absurde dhe se unë uroj që pala amerikane të tregojë më tepër seriozitet dhe frymë kooperimi dhe koncesioni."

Amerikanët kishin qenë si një copë sapuni, që s'ta pret dot mendja, thuhet të ketë thënë ministri federal i Financave Peer Steinbrück në komisionin për buxhetin në Bundestag, ku ai dhe Guttenbergu raportuan ditën e enjte. Kjo sepse vendimin për financat e shtetit dhe në këtë mënyrë edhe për garancitë shtetëtore, për të cilat ka nevojë Opeli, vendos parlamenti. Opeli ka nevojë për një financim të përkohshëm prej 1,5 miliardë euro për rastin e mundshëm që koncerni amerikan mëmë GM do të shpallë falimentimin. Kjo kredi provizore me garanci nga shteti duhet të përbëjë bazën për administrimin e përkohëshm të Opelit nga një shoqëri mirëbesimi neutrale, ndërkohë që vazhdojnë bisedimet me investorët. Tani këtyre duhet t'u shtoheshin edhe 300 milionë eurot, qe kërkon GM.

Nqs kredia miratohet, Gjermania do të dijë se "kujt i takon llogaria dhe ku gjendet ajo."

Një problem tjetër përbën edhe fakti që Opeli nuk është i lidhur vetëm me GM, por edhe me bankën e këtij koncerni. Pala gjermane ka frikë se mos paratë, që do të vërë në dispozicion Gjermania, do të derdhen në këtë bankë dhe për këtë ministri i Financave Steinbrück kërkon, në rast se kredia e përkohshme miratohet, që të dijë me saktësi se "kujt i takon llogaria dhe ku gjendet ajo."

Për qeverinë gjermane është e papranueshme edhe qëndrimi i palës amerikane që financimi i ndërmjetëm të bëhet pa kushte. Qeveria gjermane kërkon të dijë konkretisht, se si do të vazhdojë puna në të ardhmen. E pra në këtë mori të panjohurash vetëm një gjë dihet me saktësi: nga katër investorët e mundshëm, për të cilët u bë fjalë këto ditë, pas takimit të nivelit të lartë në Berlin kanë mbetur në garë vetëm dy: koncerni italian Fiat dhe firma austriako-kanadeze e prodhimt të pjesëve për automjete Magna. Të dyja këto janë duke zhvilluar paralelisht negociata me GM dhe palën gjermane.

Deri sot pasdite (29.05) investorët potenciale duhet ta njoftojnë qeverinë amerikane, nëse financimi i përkohshëm i palës gjermane për Opelin do të mund të çojë në një zgjidhje të aftë për të ardhmen. Pas kësaj do të zhvillohen bisedime të tjera. Në rast se ato dështojnë, atëhere sikurse bëri të qartë ministri i Ekonomisë, për Opelin shtrohet çështja e falimentimit.

Autor:Sabine Kinkartz/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica