1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rupert Neudeck - Një humanist ndërron jetë

la/dpa, epd1 Qershor 2016

Rupert Neudeck ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare. Një figurë e njohur, jo vetëm në Gjermani, për humanizmin, veprimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Neudeck dha kontribut të veçantë për refugjatët nga Kosova.

https://p.dw.com/p/1Iy6X
Deutschland Berlin Rupert Neudeck
Rupert NeudeckFotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Një humanist i madh gjerman ka ndërruar jetë, një njeri që jetën e tij ia kushtoi shpëtimit të jetës së njerëzve, që nuk hezitonte të shkonte mes vështirësish, aty ku ishte mjerimi. Rupert Neudeck ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare në Köln pas një operacioni në zemër. I njohur edhe për angazhimin e tij në Kosovë dhe ndihmën ndaj refugjatëve kosovarë, jo vetëm në kohën e luftës së Kosovës, por edhe më vonë, Nedueck ishte një njeri konkret i veprimit. Në valën e refugjatëve kosovarë në muajt e parë të vitit 2015, ai bëri thirrje në median gjermane për t'u krijuar shanse punësimi njerëzve nga Kosova në nevojë.

Kritik i hapur

Gazetari dhe teologu katolik Neudeck ishte themeluesi i organizatës së njohur humanitare, "Cap Anamur", që në Detin Jugor të Kinës u shpëtoi jetën më shumë se 11.000 njerzëve. Ishte viti 1979 kur fati i mijëra refugjatëve vietnamezë tronditi botën. Për vite me radhë, Neudeck ishte në njeri që kritikonte hapur, që kërkonte gjithmonë humanizmin. Edhe në librin e tij të botuar në Gjermani në vitin 2014 "Jeto radikalisht", Rupert Neudeck bën thirrje për rezistencë kundër mungesës së humanitetit, torturës, diskriminimit dhe shpërdorimit. Titulli ka qenë edhe motoja e jetës së një burri hollak me flokë të thinjur dhe mjekër.

Rupert Neudeck
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania e kujton Rupert Neudeck me nderim. Kancelarja Merkel e vlerësoi atë si një "aktivist të respektuar në botë për të drejtat e njeriut dhe humanitetin". Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier deklaroi: "Shumë e vështirë, shumë e rrezikshme, shumë e komplikuar - barriera të tilla nuk kishin vlerë për të." Edhe presidenti gjerman Joachim Gauck e vlerësoi figurën e Rupert Neudeck. "Ai shikonte dhe vepronte - dhe këtë një jetë të tërë."