1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E tepërt dhe e shtrenjtë

1 Mars 2007

Agjencia e BE-së për të drejtat themelore nuk mund të bëjë atë që s´mund ta bëjnë institucionet ekzistuese të BE-së

https://p.dw.com/p/Ar8h
Parlamenti Evropian
Parlamenti EvropianFotografi: AP

Deri më sot ka ekzistuar një institucion për vëzhgimin e racizmit dhe ksenofobisë në vendet e BE-së. Këtej e tutje kjo do të zëvendësohet prej Agjencisë për mbrojtjen e të drejtave themelore. Të martën (01.03) ky institucion i ri nisi punën në Vjenë. Por ceremonia festive e hapjes së agjencisë mbulon faktin që për një kohë të gjatë krijimi i një seksioni të tillë ishte i diskutueshëm, komenton Bernd Riegert për DW-në.

Mbi karakterin e një zyre të re të BE-së për të drejtat themelore mund të debatosh gjatë. Eshtë kjo agjenci një qen i mprehtë zbulimi, apo më shumë një tigër prej letre? Për këtë çështje debatojnë ekspertët qysh nga viti 1998 teksa u ndërmorr inciativa për hapjen e kësaj agjencie. Por një gjë është e sigurtë: agjencia e re është e tepërt dhe e shtrenjtë. Detyrat që i janë ngarkuar asaj, ndërkohë përmbushen prej të tjera institucioneve të BE-së.

Një ndër to është Këshilli i Evropës në Strazburg, qëllimi i të cilit është respektimi i të drejtave të njeriut jo vetëm në BE, por në të gjithë Evropën. Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut, së cilës mund t´i referohet çdo qytetar, prej dekadash mbështetet në mënyrë efikase prej Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Jo pa arsye Këshilli i Evropës prej kohësh ka insistuar kundër krijimit të agjencisë për të drejtat themelore. Për këtë ekziston Gjykata Evropiane, pra gjykata më e lartë e BE-së me seli në Luksemburg. Edhe kjo gjykatë për dhejtëvjeçarë të tërë është karakterizuar për drejtësinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave themelore. Të gjitha vendet e BE-së garantojnë në kushtetutat e tyre përkatëse të drejtat themelore të individit. Zbatimi i tyre mbikqyret prej gjykatave kombëtare.

E gjitha që mund t´i vërë kapakun tani agjencia e re në Vjenë është raporti vjetor mbi shkeljet e të drejtave themelore në BE. Por qytetarët as mund t´i drejtohen direkt kësaj agjencie, dhe as vet agjencia nuk lejohet të raportojë mbi drejtësinë dhe policinë në vendet antare. Kkjo pasi nëpunësit e saj vetëm do të përpilojnë statistika dhe do të përmbledhin të dhënat ekzistuese. Me kërkesë të Parlamentit Evropian ky institucion mund të japë ekspertizë mbi atë, se ç´efekt mund të kenë ligjet e reja ndaj të drejtave themelore.

Në thelb agjencia e sajuar do të bëjë atë që e ka bërë deri më sot zyra e mbikqyrjes në Vjenë, e cila ekziston qysh nga viti 1998, konkretisht ajo raporton mbi ksenofobinë, racizmin dhe antisemitizmin në BE. Kjo është një detyrë kuptimplotë. Por është e dyshimtë, që kjo detyrë duhet të përmbushet larg Brukselit në Vjenë me 100 nëpunës me një kosto prej 24 milionë eurosh në vit. Do të kish mjaftuar sikur një institucion i tillë t´i atashohej komisionerit përgjegjës për drejtësinë dhe punët e brendëshme të BE-së në Bruksel. Kësisoj e gjitha do të kishte më pak pompozitet, por do sillte të njëjtin rendiment.

E re është në fakt, që nëpunësit e të drejtave themelore në Vjenë tani do të kujdesen për kandidatët e Ballkanit për antarësim në BE. Ndërkohë që të gjitha këto vende janë aktualisht antare të Këshillit të Evropës dhe janë të detyruar të përmbushin një sërë kushtesh. Pa respektimin e të drejtave themelore nuk ka antarësim në BE. Kjo verifkohet çdo vit prej Komisionit të BE-së në raportet mbi arritjet e këtyre vendeve. Agjencia e të drejtave themelore, që jo më kot ishte e diskutueshme për vite me radhë midis vendeve antare, ndoshta do të ndjekë qëllime më sublime, por megjithatë ajo është e tepërt.