1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E drejta gjermane e azilit në hijen e atentatit

26 Dhjetor 2016

Kurrë më parë ligjet e sigurisë dhe të azilit nuk kanë qenë kaq të ashpra sa tani. Po a është kjo zgjidhja për rrezikun terrorist?

https://p.dw.com/p/2Urio
Deutschland Ausweis für Asylbewerber- Aussetzung der Abschiebung
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Pleul

As vetë te partitë konservatore unioniste nuk të kundërshtojnë kur u thua që ligjet e sigurisë dhe të azilit janë ashpërsuar. Kancelarja Angela Merkel konfirmon: "Mund të them se në dy vitet e fundit kemi ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për t'u përballur më mirë me rrezikun terrorist."

Megjithatë, ka politikanë unionistë që nuk janë të qetë. Ata kërkojnë një ashpërsim të mëtejshëm të ligjeve dhe para së gjithash të tonit.

"Duhet të ashpërsojmë tonin përballë partnerëve tanë të koalicionit. Të cilët kanë bllokuar një sërë projektligjesh, të cilat i ka hartuar ministri Federal i Brendshëm, De Maiziere, dhe që janë të gatshme në tryezë", thotë deputeti i Bundestagut, Armin Schuster (CDU).

Armin Schuster -  Edathy-Affäre
Fotografi: picture alliance/dpa/M. Gambarini

Konkretisht bëhet fjalë për dëbimet. Partitë unioniste duan ta zgjasin arrestin në pritje të dëbimit. Para së gjithash partitë unioniste kërkojnë që në arrestin për t'u dëbuar të sillen edhe të ashtuquajturit "rrezikues". Por juristët thonë se pengesat juridike për këtë janë shumë të larta.

Avokati Thomas Oberhäuser kujton se kërkesat në fuqi janë në përputhje me kushtetutën e Gjermanisë. "Dikë që ka mendime të gabuara nuk mund ta shohësh pa e zgjatur si "rrezikues". Por ne duhet të vëmë fakte në tryezë, të cilat edhe ta dëshmojnë që dikush është "rrezikues"".

Ngjashëm e sheh këtë edhe SPD, e cila përndryshe nuk pranon t'i thuash se e tepron me zemërbutësi për këtë temë. Eva Högl, deputete e SPD-së thotë se partia e saj "është absolutisht e mendimit, se të gjithë personat që nuk marrin mbrojtje në Gjermani duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Të kthehen ose vullnetarisht ose duhet të dëbohen. Atje ne duhet t'i intensifikojmë përpjekjet tona."

Kthimet në vendet e origjinës, ky është megjithatë problemi kryesor. Në fillim të vitit 2016, ministri Federal i Brendshëm De Maiziere shkoi në Tunizi dhe kur u kthye kishte në bagazh dhurata  për policinë. Megjithatë, marrëveshja e riatdhesimit me Tunizinë të lë për të dëshiruar, siç e tregon edhe rasti aktual i Amrit.

Eva Högl
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kryetari i Shoqatës Gjermane të Gjykatësve, Jens Gnisa thotë se përveç Tunizisë, duhet përmendur edhe Maroku. "Për mua është skandal, që këto shtete refuzojnë dhe kundërshtojnë që t'i pranojnë shtetasit e tyre sërish në territorin e tyre shtetëror."

Presioni po shtohet. De Maiziere tani do që t'i shpallë Tunizinë, Marokun dhe Algjerinë si shtete të sigurta të origjinës. Por këtë e bllokojnë Të Gjelbrit. 

"Kur tani dëgjon të vijnë thirrje për të ashtuquajturat shtete të sigurta të origjinës, për ashpërsim në dëbime, kjo shpesh nuk ka të bëjë fare me faktin, nëse me këtë mund të pengohen atentate të rënda," thotë Simone Peter, kryetare federale e Aleancës B90/Të Gjelbrit.

Megjithatë, tani në Berlin qarkullojnë shumë propozime dhe nuk mund të presësh ndryshe. Në janar, CSU do t'u mëshojë edhe njëherë propozimeve të saj.