E drejta e qëndrimit - temë delikate në Gjermani | Gjermania | DW | 26.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E drejta e qëndrimit - temë delikate në Gjermani

Në Gjermani po diskutohet në mënyrë të zjarrtë se si duhet vepruar me 180.000 të huajt që jetojnë aktualisht në Gjermani, por nuk kanë leje zyrtare qëndrimi.

Të huaj në Gjermani

Të huaj në Gjermani

Të huajt që kanë leje të kufizuar qëndrimi në Gjermani, do të kenë mundësi më të zgjeruara qëndrimi. Këtë vendim e morri Unioni kristian demokrat dhe partia socialdemokrate pas debateve që zhvilloi mbi këtë temë kaq delikate. Përveç kësaj një tekst prej rreth 500 faqesh përqëndrohet tek ligjet e BE-së për të drejtat e të huajve dhe azilkërkuesve. Ministri i brendshëm gjerman Volfgang Shojble i mbroti edhe njëherë propozimet e tij: Vendimi i ri për lejen e qëndrimit të të huajve në Gjermani duhet të ketë parasysh edhe ndryshimin e situatës së sigurisë në vend, sidomos pas atentateve të dështuara me valixhet me bomba në stacionet e trenit:

"Falë këtij projektligji të ri, njerëz nga vende të ndryshme të botës dhe që jetojnë prej vitesh në Gjermani, do të kenë mundësi të jetojnë në paqe dhe më mirë me njëri-tjetrin."

Por organizata të ndryshme që angazhohen për të drejtat e migrantëve janë të zhgënjyera nga e drejta e re për të huajt. Kritikuesit kanë shfaqur shqetësimin se vetëm disa pak mijëra do ta marrin lejen e pakufizuar të qëndrimit. Të huajt duhet të përmbushin shumë kritere. Kush është beqar duhet të jetë të paktën prej 8 vitesh në Gjermani, kush është i martuar të paktën 6 vjet. Ata që kanë gënjyer gjatë kërkesës së tyre për azil, nuk do të kenë ndonjë të drejtë qëndrimi. Përveç kësaj nevojiten njohuri të gjermanishtes, një vend pune dhe një dosje e pastër, pa asnjë vepër penale.

Një përparim i madh është se ata që kanë leje qëndrimi kanë të drejta të barabarta me gjermanët dhe qytetarët e BE-së për vende pune dhe mund të marrin deri në fund të vitit 2009 një leje të kufizuar qëndrimi. Shojble theksoi se kush mund ta mbajë vetë familjen e tij që nga 1 janari 2010, atëherë ai ka të drejtë për një leje të pakufizuar qëndrimi:

"Për të arritur integrimin është e rëndësishme që përveç këtij projektligji, ne të mund t´i përmirësojmë shanset e jetesës për të huajt që jetojnë këtu dhe të sigurojmë shanset për hyrjen e tyre në tregun e punës. Kështu shoqëria jonë do të mbetet e hapur për të huajt dhe ne do të kemi parasysh nevojat për sigurinë në vend."

Tek të gjelbërit, partinë e majtë dhe organizatat për emigrantët disa pika të këtij projektligji kanë shkaktuar reagime të ashpra. Ata kritikojnë për shembull se nuk është e drejtë që në rast se bashkëshortja apo familja vijnë më vonë në Gjermani, ata duhet të dëshmojnë më parë se kanë njohuri të gjuhës. Të vetmet përjashtime bëhen tek qytetarë nga SHBA-s, Kanadaja, Japonia apo Korea e Jugut.


Bashkëshortët që duan të bëjnë bashkimin familjar duhet të jenë në të ardhmen të paktën 18 vjeç. Kush do të marrë pashaportën gjermane, duhet të japë një provim diturie. Ata që nuk pranojnë të marrin pjesë në kurset e integrimit, duhet të llogarisin me sanksione. Organizata e punës "Pro Asyl" e akuzon qeverinë që i ka ndryshuar ligjet e BE-së në disa pika, si për shembull që në të ardhme refugjatët nga Iraku dhe Afganistani të kenë në Gjermani më pak siguri sesa në vende të tjera. Ndërkohë landeve të tjera u jepet mundësia që të mos u japin leje qëndrimi atyre të huajve që vijnë nga vende të ashtuquajtura "vende që përbëjnë rrezik".

  • Data 26.04.2007
  • Autor Bernd Grässler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwn
  • Data 26.04.2007
  • Autor Bernd Grässler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwn