1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

19 Shkurt 2010

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton, siguroi Kosovën se të gjitha vendet anëtare të BE-së edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë do të mbështesin në rrugën drejt BE-së.

https://p.dw.com/p/M5yu
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton, viziton Kosovën.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton, viziton Kosovën.Fotografi: AP

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politike të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton, sigurojë autoritet e Prishtinës se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Ajo tha se BE-ja dhe vendet e ballkanit duhet të gjejnë rrugë pragmatike për bashkëpunim. "Dëshiroj të them se pajtohem plotësisht me vlerësimin, se Kosova i përket Evropës. Ky rajon është prioritet për mua dhe nuk është aksident që unë vizitojë rajonin vetëm disa javë pas marrjes së detyrës si kryediplomate evropiane. Dua të them se duhet të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen”, tha Katherine Ashton.

Liberalizimi i vizave duhet të ecë përpara

“Ne duhet të gjejmë rrugë pragmatike për bashkëpunim rajonal dhe besojë, se tashmë kemi filluar bisedimet se si ta gjejmë këtë rrugë për të ecur përpara. Ne do ta ofrojmë mbështetjen tonë. Ne e pranojmë se Kosova duhet të ecë përpara me procesin e liberalizimit të vizave dhe javët e ardhshme në Kosovë do të vijë një ekip ekspertësh nga BE-ja, për tu shpjeguar autoriteteve kosovare disa kushte që duhen plotësuar," tha Katherine Ashton.

Zonja Ashton takoi në Prishtinë shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Faith, shefin e misionit EULEX, Yves de Kermabon, shefin e zyrës së Komisionit Evropian, Renzo Davidi dhe zhvilloi një bisedë më të gjatë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kosova të trajtohet njësoj si vendet e tjera të rajonit

Ky i fundit kërkoi nga kryediplomatja evropiane që edhe Kosova të trajtohet njejtë nga BE-ja, sikur vendet tjera të rajonit të Ballkanit. “Ne do t'i plotësojmë të gjitha kriteret e nevojshme dhe natyrisht kërkohet trajtim adekuat dhe i barabartë me vendet tjera të rajonit për integrim në BE. Ky proces do të jetë dinamik, aktiv dhe ne do të vazhdojmë t'i kryejmë të gjitha përgjegjësitë qoftë në nivel qëndror qoftë në nivel lokal”, tha kryeministri Thaçi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Katherine Ashton, tha se nga takimet që pati me udhëheqësit e misioneve evropiane në Kosovë, e ka kuptuar se në Kosovë është duke u punuar, duhet më shumë për tu bërë, mirëpo edhe progresi sipas saj është i dukshëm. “Është shumë e rëndësishme që së bashku të ndërtojmë një lloj zhvillimi ekonomik që do tu mundësojë njerëzve në Kosovë të kenë përfitime dhe t' i afrohen sa më shumë BE-së. Këtë mund ta bëjmë duke mbështetur tregtinë nëpërmjet projekteve dhe planeve ekonomike," tha zonja Ashton.

Zhvillim ekonomik dhe ligj

Sipas saj, për tu arritur zhvillimi ekonomik dhe në mënyrë që të ketë investime të jashtme duhet të ketë një ambient të qetë, ku mbisundon rendi dhe ligji. Ajo tha se është e vetëdijshme se pesë vende të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo siguroi autoritetet kosovare se vendet anëtare të BE-së, 100 përqind janë së bashku sa i përket të ardhmës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama