1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshohet për zjarrvënie të strehimit të azilkërkuesve

aud/sti/pg (afp, dpa, epd)22 Shkurt 2016

Në landin gjerman të Saksonisë një ndërtesë e parashikuar të bëhej strehim azilkërkuesish u përfshi sërish nga flakët. Hetuesit gjetën ndërkohë gjurmë të përshpejtuesve të zjarrit.

https://p.dw.com/p/1HzY8
Deutschland Geplantes Flüchtlingsheim in Flammen in Bautzen
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Löb

Ish- hoteli në Bautzen të landit gjerman të Saksonisë u përfshi nga flakët natën duke gdhirë e diela. Hetuesit ndërkohë zbuluan në godinë gjurmë të përshpejtuesve të flakëve. Sipas hetimeve të para mund të thuhet se kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, bëri të ditur pasdite policia. Të dhëna të tjera hetuesit fillimisht nuk dëshironin të jepnin.

Banorë të shtëpive pranë ish-hotelit dhe sehirxhinj reaguan pjesërisht "me gëzim të pafshehur" ndaj zjarrit, bëri të ditur policia. Disa madje e komentuan zjarrin "me vërejtje përçmuese", edhe puna për ta shuar zjarrin u pengua. Policia regjistroi për këtë shkak dokumentat e shumë personave të pranishëm. Dy të rinj në moshën 19 dhe 20 vjeç, të alkoolizuar rëndë dhe që patën penguar shuarjen e zjarrit u morën në arrest nga policia.

Tillich: Njollosje e guximit të njerëzve në revolucion

Stanislaw Tillich, kryeministër i Saksonisë
Stanislaw Tillich, kryeministër i SaksonisëFotografi: picture-alliance/dpa/S. Pilick

Kryeministri i Landit të Saksonisë, Stanislaw Tillich (CDU) i quajti të pështira ngjarjet në Bautzen dhe të tjera në Clausnitz. "Ata që bëjnë gjëra të tilla nuk janë njerëz. Janë kriminelë", u tha Tillich medieve. Organet e ndjekies penale do të bëjnë hetime me konsekuencë dhe do t'i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Vepra të tilla "njollosin guximin e njerëzve në revolucionin paqësor dhe zellin në punën ndërtimtare të Saksonisë". Në Clausnitz, një grumbull i zemëruar njerëzish bllokoi të enjten në darkë për orë të tëra një autobus me refugjatë të sapoardhur. Para strehimit të refugjatëve ata thërrisnin parullën "ne jemi populli", slloganin e njohur në demonstratet e vitit 1989.

Zemërim edhe te autoritetet federale

Në të gjithë Gjermaninë, ngjarjet e Bautzenit dhe të Clausnitzit shkaktuan revoltë dhe shqetësim. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere (CDU) tha se në Gjermani secili mund t'i shprehë frikërat dhe shqetësimet e tij, kjo vlen edhe për mendimet politike, të cilat nuk i pëlqejnë dikujt. "Por ka një kufi të civilizimit dhe të së drejtës, i cili nuk duhet kapërcyer - dhe në ngjarjet në Saksoni këto pragje u tejkaluan dukshëm".

Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Heiko Maas (SPD) deklaroi përmes shërbimit të internetit Twitter: "Ai që duartroket hapur, kur shtëpitë janë përfshirë nga flakët, ai që frikëson për vdekje refugjatët, vepron në mënyrë të pështirë". Ndërsa zëvendëskryetari i CDU-së, Armin Laschet i tha gazetës Die Welt:" Mua më shkojnë të rrënqethura nga pamjet e njerëzve që brohorasin me gëzim, kur shtëpitë përfshihen nga flakët. Sepse të gjitha këto kanë ndodhur një herë".