1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy ministra të tjerë francezë japin dorëheqjen

21 Qershor 2017

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka humbur dy ministra të tjerë. Pas ministres së Mbrojtjes, Sylvie Goulard, dorëheqjen e dhanë ministri i Drejtësisë, François Bayrou dhe ministrja e Evropës, Marielle de Sarnez.

https://p.dw.com/p/2f5HE
François Bayrou dhe Marielle de Sarnez
François Bayrou dhe Marielle de SarnezFotografi: Imago/PanoramiC

Ministri francez i Drejtësisë, François Bayrou deklaroi se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Shkaqe për dorëheqjen ai nuk përmendi. Ministrja e Evropës, Marielle de Sarnez, sipas të dhënave nga qarqe partiake, e dorëzon postin për t'u bërë kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë së qendrës MoDem, në Asamblenë Nacionale.

Aktualisht kjo parti po tronditet nga një aferë punësimesh fiktive, për këtë arsye të martën dha dorëheqjen edhe ministrja e Mbrojtjes, Goulard. Goulard, Bayrou dhe de Sarnez ishin tri përfaqësuesit e MoDem në kabinetin e Macronit.

Bayrou fillimisht nuk përmendi hollësi për dorëheqjen e tij. Për pasdite ai tha se do të mbajë një konferencë shtypi. Zëdhënësi i qeverisë, Christophe Castaner tha se Bayrou e jep dorëheqjen për arsye personale.

Goulard, që ndodhej në post vetëm që prej një muaji, e argumentoi dorëheqjen e saj me kritikat për një punësim fiktiv në Parlamentin Evropian kundër MoDem. Ekziston dyshimi, se Partia e Qendrës në aleancë me Macronin, i ka angazhuar bashkëpunëtorët e deputetëve të BE në të vërtetë për detyra partiake. Emri i Goulard-it, e cila ka përfaqësuar për vite të tëra MoDem në Parlamentin e BE, deri tani nuk qe përmendur në aferë. Kundër Bayrou dhe de Sarnez kanë ekzistuar kritika. Të dy i kanë hedhur poshtë të gjitha kritikat.

Formim i paqetë i qeverisë

Kryetari socialliberal i shtetit, Macron, siç është e zakonshme në Francë, bëri një ristrukturim të qeverisë pas zgjedhjeve të së dielës.

Kryeministri Edouard Philippe paraqiti të hënën dorëheqjen, për t'u ngarkuar menjëherë me formimin e një qeverie të re. Ristrukturimi i qeverisë po bëhet megjithatë më me zhurmë dhe më i gjerë seç pritej. Krahas Goulardit, Bayrou-së dhe de Sarnezit, nga qeveria largohet edhe ministri i deritashëm i Kohezionit Territorial, Richard Ferrand. Ai do të bëhet kryetar i Grupit Parlamentar i partisë së Presidentit, La République en Marche. Macroni do ta paraqesë kabinetin e ri në mbrëmje (në orën 18.00).