Duhet urgjentisht një kod i detyrueshëm nderi për politikanët | Studimi në Gjermani | DW | 12.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Duhet urgjentisht një kod i detyrueshëm nderi për politikanët

Komentet e gazetave gjermane të së hënës kritikojnë pranimin prej kancelarit Gerhard Shrëder të postit mbikqyrës në shoqërinë gjermano-ruse të gazsjellësit të Detit të lindjes.

Shrëder dhe Putin në panairin e Hanoverit, 10 prill 2005

Shrëder dhe Putin në panairin e Hanoverit, 10 prill 2005

Për Shrëderin, GENERAL ANZEIGER që del në Bonn shkruan: "Pasi të njolloset emri i mirë, mund të jetosh fare pa shqetësime. Kjo shprehje i kujtohet njeriut po të vështrosh biznesin e dytë të Gerhard Shrëderit pas postit të tij kancelaror. Të marrësh tani kryesinë në projektin e gazsjellësit gjermano-rus, kjo shkon shumë larg, aq më tepër nëse janë të vërteta ato që thuhen se ish-kancelari do të marrë atje honorare të majme. Nuk është çështja që të hartohet një kod nderi për ish-pushtetmbajtës, nuk është cështja e kalimit të kohës nga posti zyrtar dhe i direktivave. Eshtë thjesht një cështje e sjelljes. Di të sillesh ose nuk di të sillesh." HAMBURGER ABENDBLATT plotëson: "Tani ai përballet me kritikën se është duke përfituar nga një biznes të cilin e ka organizuar vetë si politikan. Por kritikëve të tij do t'u kujtohet se për politikën brutale të Çeçenisë të presidentit rus dhe për kuptimin e çuditshëm të demokracisë nga ana e Putinit gjithmonë është treguar jashtëzakonisht i butë. A është ky shpërblimi nga Kremlini?" ABENdZEITUNG që den në Mynih e akuzon Shrëderin se kërkon të pasurohet: "Rregullat e dinjitetit politik kërkojnë që të mos pranosh të paguhesh nga firma, për të cilën sapo ke vënë piketat vetë. Pikë. Veçanërisht jo në rastin special të Vladimir Putinit, të cilin Shrëderi, për cdo gjë që ka bërë e ka kritikuar jashtëzakonisht lehtë. Dhe nëse kancelari i vjetër nuk arrin ta shohë vetë këtë, atëherë neve na duhet urgjentisht një kod i detyrueshëm nderi për politikanët, i cili t'i përcaktojë me saktësi këto gjëra." Ngjashëm e sheh këtë cështje edhe WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Dyseldorf: "Kur mungon ndjenja e nderit, atëherë duhet të hyjnë në punë rregulla të tjera të qarta: si p.sh. një klauzolë dyvjeçare përjashtuese për shkak të konkurencës, siç është e zakonshme
në tregun e lirë. Kësaj mund t'i shtohet edhe llogaritja e të ardhurave në vazhdim nga puna e politikanit, të cilat mund të eleminohen nëse dikush fillon punë diku tjetër. Por kalimi nga politika në ekonomi nuk ka pse të ndalohet parimisht. Një gjë e tillë mund të japë fryte. Para së gjithash në krahun e anasjelltë. Nëse për të mirën e përgjithshme do të angazhoheshin menaxherë në gjendje dinamike, në vend të politikanëve të ngadaltë, kjo do të ishte një bamirësi." Për përfundimin e takimit të nivelit të lartë të OKB-së për klimën në Montreal të Kanadasë, më shumë se 150 shtete pjesëmarrëse kanë rënë dakord për një vazhdim të Protokollit të Kiotos. FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan për këtë temë: "Montreali nuk shënoi hapin drejt së ardhmes. Sepse Uashingtoni nuk do të eci në kursin e Kiotos, për aq kohë sa pushtetin ta ketë Bushi. Po ashtu do të zgjasë një sërë vitesh, derisa vendet në zhvillim të nënshkruajnë detyrime ambicioze për ruajtjen e klimës, megjithëse ndërkohë Kina ka avancuar në numrin dy në botë për sasinë e dioksidit të karbonit që nxjerr në atmosferë. Megjithatë, Montreali solli një përparim të vërtetë. Ata që ende mendojnë se dielli rrotullohet rreth tokës, po bëhen gjithnjë e më pak." Edhe ESSLINGER ZEITUNG vë në objekt të kritikave SHBA: "Protokolli i Kiotos, që parashikon reduktimin e gazrave të efektit serë nuk është ratifikuar kurrë nga SHBA. Nëse Montreali do të sjellë fryte, kjo mbetet për t'u pritur me skepticizëm. Rregulla të detyrueshme Uashingtoni vazhdon të refuzojë. E rëndësishme do të ishte që kombe me rritje të vrullshme ekonomike si Kina dhe India të marrin pjesë në marrëveshjet e reja. Qëndrimi i tyre i rezervuar, si në rastin e Kiotos nr 1, është një element tjetër trishtues." Së fundi edhe NORDWEST-ZEITUNG që del në Oldenburg: "Gjermania ka shanse të mira që ta shfrytëzojë mbrojtjen e klimës edhe ekonomikisht. Mbështetja e lënë shpesh pas dore e energjive alternative e ka forcuar këtë degë të ekonomisë dhe e ka përgatitur atë për tregun botëror. Epokës së naftës po i vjen fundi. Vende që duan të sigurojnë prodhimin e energjisë nga ky shkak mbështeten në zhvillimet dhe produktet gjermane. Për këtë e tërhoqi me të drejtë vëmendjen ministri i ambjentit Sigmar Gabriel."
  • Data 12.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsP
  • Data 12.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsP