1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Duhet përqendrim në çështje konkrete'

26 Maj 2010

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për veriun e Kosoves, ambasadori Mikele Giffoni, thotë se relaksimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të ndodhë vetëm kur të dyja vendet nuk i referohen për çdo gjë çështjes së statusit.

https://p.dw.com/p/NNl9
Mikele Giffoni, përfaqësues i BE për Veriun e Mitrovicës e ambasador i Italisë
Mikele Giffoni, përfaqësues i BE për Veriun e Mitrovicës e ambasador i ItalisëFotografi: DW

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për veriun e Kosovës, ambasadori Italian Mikele Giffoni, thotë se në veri të Kosovës vazhdon të ketë një situatë të status-quo-os. Kjo status-quo sipas tij, është si për institucionet e Kosovës, ashtu edhe për institucionet e Serbisë dhe për qytetarët, që jetojnë atje. Që të dilen nga kjo stuatë, sipas tij, nevojiten angazhime nga të gjithë faktorët relevantë që të promovojnë vlera evropiane në këtë pjesë të Kosovës.

“Nevojitet që të ketë koncentrim në disa çështje konkrete. Ato janë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare dhe poashtu edhe kthimi i banorëve të shpërngulur”, thotë Mikele Giffoni.

Bashkimi Evropian ka kohë që ka hapur një zyrë në veri të Kosovës dhe që quhet shtëpija e Bashkimit Evropian. Sipas ambasadorit Giffoni, i cili udhëheq këtë zyre, angazhimi i saj është jo integrimi i serbëve në shoqërine kosovare por intervenimi i BE-së që të promovojë vlerat e saj edhe në këtë pjesë të Kosovës, ashtu siç ka bërë në rajonet tjera të vendit dhe në tërë Ballkanin perendimor. Mirëpo në veri të Kosovës që nga përfundimi i luftës ekzistojnë strukturat paralele serbe. Ambasadori Mikele Giffoni, thotë se këto struktura për ta janë inekzistente.

“Nëse ata synojnë në mentalitetin e tyre që me pjesmarrjen e njerëzve në strukurat paralele t'i përdorin si një instrument që të refuzojnë integrimin, atëherë këto strukura paralele janë pengesë për integrimn e serbëve në shoqërinë kosovare. Por, nëse vërtët qëllimi i tyre është që t'u ndihmojnë njerëzve atje, atëherë kjo është një gjë pozitive, mirëpo, nga pikpamja e përgjithshme ato pengojnë integrimin e serbëve”, thotë ambasadori Mikele Giffoni.

Zgjedhjet serbe - jo relevante

Në fund të këtij muaji, qeveria e Serbisë organizon zgjedhje lokale në veri të Mitrovicës, si kundërpërgjigje ndaj synimeve të qeverisë së Kosovës që të formojë komunën e re serbe të veriut të Mitrovicës. Ambasadori Mikele Giffoni, thotë se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të njihet.

“Nuk mund t'i konsiderojmë këto zgjedhje dhe institucionet që dalin prej tyre si zgjedhje legale, sepse nuk mbështeten në asnjë bazë ligjore, madje as në rezolutën 1244 të KS-it”, thotë ambasadori Giffoni. Diplomati italian nuk pajtohet që autoritetet e Prishtinës duhet të përdorin masa që do ta parandalonin mbajtjen e këtyre zgjedhjeve:

“Pse të intervenohet për diçka që nuk është relevante. Është shumë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar dhe poashtu edhe për institucionet e Kosovës, që të tentojnë të kenë një rol në veri të Kosovës dhe jo thjesht të intervenojnë dhe të parandalojnë ndonjë zhvillim”, thotë Mikele Giffoni. Kjo sipas tij është edhe synimi i BE-së, që me hapjen e një zyre në veri të promovojë vlerat evropiane. I ngarkuari i BE-së për veriun e Kosovës, ambasadori Italian Mikele Giffoni, flet edhe për relaksimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo sipas tij mund të ndodhë vetëm atëherë kur çështja e statusit të lihet anash.

“Mendoj se një element është i rëndësishëm të merret në konsideratë e ky është demitizimi i çështjes së statusit të Kosovës dhe jo për cdo gjë të referohet në statusin e Kosovës. Por të fillohet një dialog për çështje pragmatike dhe në veri ka shumë të tilla që kërkojnë zgjidhje. E përmenda edhe më herët është zhvillimi ekonomik i asaj pjese, është çështja e kthimit të banorëve të shpërngulur, paqartësitë rreth pronave, çështja e gjykatave në veri dhe shumë e shumë cështje tjera. Nëse nga të dyja palët ekziston synimi që në këtë linjë të bisedohet, atëherë mund të kemi relaksim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ambasadori Italian Mikele Giffoni.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi