1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duhet iniciativë - Maria Böhmer e ngarkuara për integrimin

Bernd Gresler13 Shkurt 2006

Integrimi i migrantëve në shoqërinë gjermane është pa dyshim një detyrë urgjente. Përgjegjësi të veçantë në këtë proces mban e ngarkuara e qeverisë federale për integrimin, politikania kristian-demokrate, Maria Böhmer

https://p.dw.com/p/Ar1L
Maria Böhmer, e ngarkuara për integrimin
Maria Böhmer, e ngarkuara për integriminFotografi: picture-alliance/dpa

Në katin e shtatë të ndërtesës së kancelarisë në Berlin është zyra e Maria Böhmer dhe ajo pret çdo gjysëm ore gazetarë. E ngarkuara e qeverisë federale për integrimin është një person, së cilës i kërkohen vazhdimisht intervista, nga njëra anë, sepse ajo është e re në detyrë, nga ana tjetër edhe sepse raporti i gjermanëve me migrantët është një temë mjaft e diskutueshme në ditët tona. Këtyre i shtohet konflikti mbi karikaturat e Muhametit.

Për katoliken 55-vjeçare Böhmer ky është një shkak për të menduar dhe për t´u thelluar lidhur me qëndrimin ndaj besimeve fetare në botën tonë të sekularizuar: "Ne duhet që në një botë të sekularizuar fort të mendojmë edhe një herë se çfarë do të thotë besim fetar, çfarë do të thotë respekt ndaj simboleve fetare si edhe sensibiliteti në sjelljen me ndjenjat e njerëzve me besim të fortë. Në ditët tona është hapur një diskutim dhe unë besoj se ne në tërësi do t´na bëjë mirë të ndërgjegjësohemi se ç´janë vlerat, ç´janë traditat."

Kjo është pjesë e sjelljes me përgjegjësi ndaj lirisë së medieve, mendon Maria Böhmer. Ajo është anëtare e kryesisë së partisë kristiandemokrat, CDU, dhe drejtuese e bashkimit të grave kristiandemokrate, si edhe ka qenë zëvendëskryetare e fraksionit të Unionit konservator në Bundestag. Emërimi i saj në postin e së ngarkuarës për integrimin është një vlerësim i këtij institucioni. Kancelarja Merkel e ka emëruar kolegen e partisë së saj në postin e sekretares së shtetit dhe i ka dhënë direkt një zyrë në kancelari.

Drejtuesja e re e zyrës së themeluar në vitin 1978 mendon se një iniciativë e re duhet ndërmarrë pasi përfytyrimet për një shoqëri multietnike të qeverisë së mëparshme të koalicionit kuq e gjelbër nuk kanë arritur qëllimet e synuara. Profesorja e pedagogjisë do që në rradhë të parë migrantët të mësojnë gjuhën gjermane, gjë e cila për një kohë të gjatë është lënë pas dore.

Kush kërkon të bëhet shtetas gjerman duhet të ndjekë kurse nënshtetësimi ashtu si edhe në SHBA: "SHBA ofrojnë kurse dhe broshura nënshtetësie me qëllim që njerëzit të marrin njohuri mbi kushtetutën, mbi historinë, mbi kulturën e vendit dhe mbi vlerat. Ai që do jo vetëm të punojë dhe jetojë këtu, por edhe të thotë po për shtetësinë gjermane do kështu që edhe të identifikohet me këtë pa iu dashur të mohojë rrënjët e tij. E për këtë ai edhe duhet ndihmuar."

Ndryshe nga kolegët e saj të partisë në landin e Baden -Vyrtembergut, e ngarkuara për integrimin vlerëson më shumë transmetimin e njohurive sesa testet për bindjet si për shembull se si mendojnë imigrantët për homoseksualitetin. Por duke qenë se dhënia e nënshtetësisë eshtë e drejtë e landeve asaj i mbetet vetëm të shpresojë, se nuk do të arrijnë të fitojnë propozimet e ministrave të brendshëm më konservatorë. Politikania beqare do të angazhohet më shumë për vende shkollimi dhe punë për të rinjtë e familjeve të migrantëve.

Në këtë drejtim ajo me sheh zili nga një vend fqinj i Gjermanisë, Franca, vend ku shumë sipërmarrës janë angazhuar për të punësuar të rinj migrantë: "Unë kam filluar bisedime me shoqatat ekonomike dhe tani jam angazhuar në paktin midis qeverisë me biznesin për edukimin. Ne duam që ta bëjmë temën e migracionit një nga temat më të rëndësishme dhe unë dua që të flas për këtë edhe me sipërmarrësit e mëdhenj gjermanë. Kështu në Francë ka një kartë të shumëllojshmërisë, që i detyron firmat të punësojnë të rinj nga familjet e migruara dhe t´u krijojë atyre shanse profesionale. Ky është një shembull shumë i mirë."

Një nevojë të veçantë për përkujdesjen e së ngarkuarës për migracionin kanë edhe 200 mijë të huajt të cilët qëndrojnë në Gjermani prej vitesh pa leje qëndrimi të rregullt, por që edhe për arësye të ndryshme nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Organizatat e azilimit kërkojnë që t´u jepet e drejta e qëndrimit atyre të huajve që jetojnë në Gjermani prej më shumë se pesë vjetësh. Maria Böhmer e mbështet këtë, por duke vënë kufizime: të prekurit duhet të kujdesen që të mos bëhen barrë e shtetit. Atyre u duhet dhënë leje qëndrimi e përkohshme duke u dhënë mundësi këtyre njerëzve të gjejnë punë, sigurisht nëse ka të tillë.