Dritë e gjelbër për misionin ushtarak të BE-së në Kongo | Evropa | DW | 14.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dritë e gjelbër për misionin ushtarak të BE-së në Kongo

MPJ të BE-së dhanë të hënën zyrtarisht shenjën e startit për fillimin e misionit të II të BE-së në Kongo. Trupat e pararojës janë nisur tashmë në Kinshasa, ku kanë filluar me ndërtimin e vendeve ku do të strehohen 2000 ushtarët

default

Kryekomandanti i misionit të BE-së në Kongo, gjenerali gjerman Karlheinz Viereck i sheh i relaksuar demonstratat e fundit të zhvilluara në Kinshasa kundër përzierjes së të huajve në politikën e Kongos. Kjo ndërhyrje nuk përbën ndonjë rrezik të posaçëm për rreth 2000 ushtarët e BE-së që vijnë nga 20 vende anëtare dhe nga Turqia.

"Si nga vizitat e mia në vend edhe nga raportet që kemi marrë, unë mendoj se gjendja është relativisht e qetë. Ne kemi parë që në vend ka demonstrata, por sipas mendimit tim ato bëjnë pjesë në një proces politik demokratik dhe gjatë procesit zgjedhor zhvillohen edhe demonstrata. Një gjë e tillë nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, sepse gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka shkak për t'u shqetësuar."

Gjithsesi gjenerali Viereck mendon se ende ka shumë nevojë për punë sqaruese për popullsinë kongoleze në lidhje me misionin e ushtarëve evropianë. Duke filluar nga dt. 10 korrik njësitë kryesore do të dislokohen në Kinshasa, Libreville dhe në Gabun. Si datë e zgjedhjeve pas shumë shtyrjesh u caktua 30. korriku. Me kërkesë të OKB-së trupa e BE-së do të ndihmojë për organizimin dhe mbikqyrjen e zgjedhjeve dhe do të qëndrojë në këtë vend katër muaj. Gjatë kësaj periudhe mendohet se do të jetë zgjedhur edhe presidenti i ri i vendit si dhe do të ketë filluar prej punës parlamenti, mendon i ngarkuari i BE-së për këtë rajon Aldo Ajello:

"Mandati aktual është ai që është dhe zgjat katër muaj, pra po aq sa edhe periudha elektorale. Në rast se do të ketë ndryshime na duhet ta analizojmë sërish situatën dhe të marrim një vendim të ri. Deri atëhere kemi këtë vendim i cili i përshtatet procesit elektoral."

Në rast pra se gjatë numërimit të votave dhe formimit të qeverisë do të ketë probleme, misioni mund të zgjatet. Qeveria gjermane, e cila ka vënë në dispozicon 870 ushtarë dhe kuartjerin qendror në Pocdam e ka përjashtuar kategorikisht zgjatjen e misionit. 2000 ushtarët e trupës së BE-së, prej të cilëve vetëm gjysma do të stacionohet në Kongo, do të kujdesen që procesi zgjedhor të zhvillohet pa incidente dhe në rast nevoje do të evakuojnë vëzhguesit e huaj. Gjenerali gjerman Karlheinz Viereck nuk sqaroi se si do ta përballojë këtë detyrë me kaq pak ushtarë në një vend me sipërfaqe kaq të madhe sa Kongoja. Ai qartësoi vetëm se trupat e BE-së nuk do të dislokohen në katër provincat e përfshira nga lufta civile në lindje të Kongos:

"Ne do të jemi prezentë si nëpër rrugë edhe në ajër, si në Kinshasa edhe në pjesët e tjera të Kongos me përjashtim të katër provincave rebele në verilindje të vendit."

Gjenerali gjerman theksoi se përveç trupës së BE-së në vend janë të stacionuar edhe 17.000 ushtarë të OKB-së. Në rast nevoje ai do të përdorë mandatin që i është besuar, duke mos u stepur edhe prej dhënies së urdhërit për të goditur me armë për të vrarë milicë apo njerëz të tjerë që mund të përpiqen për të dëmtuar procesin zgjedhor. Gjenerali Viereck vetë do ta drejtojë këtë operacion prej Pocdamit, por thekson se i ka në dorë të gjitha instrumentat e domosdoshme, të përcaktuara sipas katër shkallësh, përfshirë madje edhe shkallën më të fundit, urdhërin për të vrarë.

I ngaruari i parlamentit gjerman për ushtrinë Reinhold Robbe dhe sidikata e ushtarakëve janë shprehur me nota kritike rreth ndërhyrjes në Kongo, sepse për shkak të urgjencës ushtarët nuk janë përgatitur si duhet. Po ashtu në Kongo veprojnë 14 grupe milicësh të cilën përbëjnë një rrezik serioz. Gjenerali Viereck i kundërshton të tilla kritika:

"Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët gjermanë kanë përvojë të madhe në Afrikë, vërtet jo në Kongo, por në Xhibudi kemi kohë që jemi dhe kemi zhvilluar edhe misione të tjera. Prandaj unë nuk shoh asnjë problem në zhvillimin e këtij misioni."

Në rast se misioni do të zgjatet përtej afatit prej katër muajsh, atëhere duhet të këmbehet edhe kontigjenti i ushtarëve. Një gjë e tillë do të çonte në shpenzime të mëtejshme. Për katër muajt e parashikuar deri tani vetëm për kontigjentin gjerman do të shpenzohen 56 milionë euro.

  • Data 14.06.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAu
  • Data 14.06.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAu