Drezdeni vendos rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve | FOKUS | DW | 01.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Drezdeni vendos rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

Sipas gjasave zgjedhjet e vonuara në Dresden nuk do të jenë vendimtare për raportin e forcave në Berlin, por fitorja do të kishte domethënie psikologjike

Pllakatat e zgjedhjeve në Drezden mbetën varur

Pllakatat e zgjedhjeve në Drezden mbetën varur

Në lëndinat idilike buzë lumit Elbë me birraritë e tyre Partia Socialdemokrate organizoi dje Oktoberfest. Edhe këngëtari Roland Kaiser, fama e të cilit është venitur paksa në Gjermani, kishte një paraqitje njëorëshe. Drejtuesi socialdemokrat në rang landi, Frank Herschmann, shpresonte se në fund shumë vetë do të qëndronin për të dëgjuar Gerhard Schröderin:

"Me këtë veprimtari ne largohemi qëllimisht nga sheshet e qytetit për të mos i mbingarkuar zgjedhësit në këtë njësi zgjedhore. Mendoj se ngjashëm me festimet paralele në Mynih ky Oktoberfest paraqet një alternativë. Së paku shpresoj."

Edhe Partia Kristiandemokrate ngriti dje një tribunë të madhe pranë një kompleksi tregtar në qendër të qytetit. Kishte muzikë xhazi për të tërhequr zgjedhësit që ende duhet të votojnë e edhe kryetarja e CDU-së foli. Manaxheri i fushatës zgjedhore të kristiandemokratëve, Lars Rohwer:

"Shkuam pikërisht atje sepse mendojmë se është vendi i duhur për të prodhuar atmosferën e një feste të vogël popullore. Qytetarët të shumtë erdhën sic vijnë gjithnjë në raste vendimesh politike. Dhe zonja Merkel si kancelare e ardhshme është një person interesant.

Për 219.000 qytetarët e Dresdenit që mbetet të votojnë nuk ka qenë e lehtë këto ditë t'u shmangen grupeve të politikanëve nga Berlini. Të gjelbërit dërguan në këtë garë kryetaren e fraksionit të tyre parlamentar, Renate Künast. Partia Liberale u paraqit me krejt udhëheqjen e vet politike, me në krye shefin Guido Westerwelle. Por zëvendëskryetari i liberalëve në rang landi, Torsten Herbst, thotë se festë të vërtetë popullore nuk pati:

"Besoj se në një fushatë zgjedhore nuk ka rëndësi nëse u tërhiqen me salsice dhe me stilolapsa zgjedhësit, por bëhet fjalë për mobilizimin e tyre për të vendosur se kush zgjidhet anëtar parlamenti nga kjo njësi zgjedhore."

E ja që këta nuk mund të jenë prominentët e partive. Në parlament mund të zgjidhet një nga kandidatët e drejtpërdrejtë të njësisë zgjedhore Dresden I. Këta u takuan në fillim të javës për të parën e njëkohësisht për të fundit herë në një podium diskutimi në kuadër të fushatës zgjedhore. Ne këtë rast nga kandidati kristiandemokrat, Andreas Lämmel, mund të dëgjoje këtë prononcim lidhur me misionet e ushtrisë gjermane jashtë vendit:

"CDU-ja është një parti që ka në emër të krishterën dhe për këtë arsye ne duhet ta refuzojmë parimisht luftën. Nën drejtimin e qeverive kristiandemokrate nuk ka pasur asnjëherë misione të ushtrisë gjermane jashtë atdheut."

Andreas Lämmel kërkon ta fitojë me cdo kusht këtë mandat të drejtpërdrejtë. Aq më shumë që, sic thotë ai, konkurrentet e tij nga Partia Socialdemokrate, Marlies Volkmer, dhe Katja Kipping nga Partia e Majtë kanë hyrë tashmë në parlament e ri nëpërmjet listave të proporcionalit. Nga konkurrimi për mandatin e drejtpërdrejtë përjashtohet edhe kandidatja e Partisë Liberale, Peggy Bellmann, sepse ajo nuk bën më reklamë për veten, por kërkon vetëm votën e proporcionalit:

"De facto vetëm dy parti kanë mundësi reale për të dërguar kandidatë të tjerë saksonë në Berlin. Këto janë Partia Kristiandemokrate, në rast se e fiton mandatin e drejtpërdrejtë; dhe Partia Liberale, në rast se arrin një rezultat shumë të mirë në proporcional. Partitë e tjera, edhe kandidatët e drejtpërdrejtë, janë siguruar tashmë me anë të vendeve të proporcionalit. Është shumë jorealiste që këto parti të dërgojnë kandidatë të tjerë në Berlin."

Sipas gjasave zgjedhjet e vonuara në Dresden nuk do të jenë vendimtare për raportin e forcave në Berlin; por fitorja do të kishte domethënie psikologjike. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2002 mandati i drejtpërdrejtë u fitua me epërsi të vogël nga kristiandemokratët; por në proporcional kryesonin socialdemokratët, të cilët dolën edhe partia më e fortë. Atyre që mbetet të votojnë në Dresden nuk duket se u bëjnë përshtypje llogari të tilla ose edhe votimi taktik.

"Mendoj se tani për mua nuk ka kuptim të bëj një zgjedhje taktike", thotë një burrë. Kurse një grua: "Kam mendimin tim, nuk e ndryshoj dhe edhe votën ashtu do ta jap."

  • Data 01.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiU
  • Data 01.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiU