Drejtuesit gjermanë të biznesit kërkojnë heqjen e kufizimeve të udhëtimit në SHBA | Gjermania | DW | 18.07.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Drejtuesit gjermanë të biznesit kërkojnë heqjen e kufizimeve të udhëtimit në SHBA

Ndër vite Gjermania ka investuar triliona dollarë në SHBA. Gjurmët e ekonomisë gjermane janë kudo nëpër kontinent. Por kufizimet e pandemisë në SHBA vazhdojnë të pengojnë udhëtimet e biznesit nga shtetet e BE-së.

Kompanitë me pronësi gjermane shtrihen në të gjithë Shtetet e Bashkuara, nga një vijë bregdetare në tjetrën, nga veriu në jug dhe pothuajse kudo tjetër. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, filialet amerikane të firmave gjermane punësojnë rreth 900,000 punëtorë amerikanë.

Gjermania është një nga ofruesit më të mëdhenj të Investimeve të Huaja Direkte në Shtetet e Bashkuara. Marrëdhënia e biznesit gjermano-amerikan është një nga më të fortat dhe më të qëndrueshmet në botë. Por vendimi i administratës së Biden për të rivendosur dhe për të vazhduar me kufizimet e rrepta pandemike të udhëtimit për qytetarët e Bashkimit Europian është zhgënjyes për drejtuesit e biznesit gjerman.

Javën e kaluar, Shoqata e Industrisë së Inxhinierisë Mekanike Gjermane (VDMA), e cila përfaqëson industrinë e prodhimit të makinerive të vendit, i dërgoi një letër ambasadës së SHBA-së në Berlin, duke i  kërkuar që të lejojë qytetarët gjermanë të udhëtojnë më lehtë përtej Atlantikut.

"Udhëtimet tregtare drejt SHBA-së duhet të mundësohen pa kufizime. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës aktualisht po bllokon udhëtarët europianë të bizneseve", tha në një deklaratë për shtyp Ulrich Ackermann, specialisti i tregtisë së jashtme të VDMA-së. "Është e pakuptueshme që shtetet e Shengenit klasifikohen ende si zona me rrezik të lartë nga Shtetet e Bashkuara."

Rregulla të ashpra për udhëtarët tregtarë

Në mars të vitit 2020, në fazat e hershme të pandemisë së koronavirusit, presidenti Donald

Trump vendosi kufizime për europianët që udhëtonin drejt SHBA-së. Edhe pse ai i lehtësoi këto kufizime para se të largohej nga detyra, presidenti Joe Biden i rivendosi me shpejtësi.

BE kishte rregulla të ngjashme, por që nga mesi i qershorit të këtij viti, udhëtarët amerikanë kanë qenë në gjendje të udhëtojnë relativisht më lehtë në zonën Shengen, për shkak të niveleve të larta të vaksinimit dhe numrit të ulët të rasteve të infektimeve.

Gjithsesi ka përjashtime nga ky rregull. Qytetarët amerikanë dhe ata që kanë "Kartën e gjelbër” (Green Card),  mund të udhëtojnë. Të tjerët mund të aplikojnë nëse punojnë në zona që përfshijnë "infrastrukturë kritike" ose "aktivitet të rëndësishëm ekonomik". Kërkesa të tilla mund të bëhen në ambasadat amerikane dhe zyrat konsullore jashtë vendit.

Megjithatë, sipas Ackermann, përjashtimi nuk ndihmon shumë. Ai thotë se zbatohet vetëm në "raste të jashtëzakonshme" dhe zakonisht nuk vlen për gjermanët që dëshirojnë të udhëtojnë për të takuar klientë ose për panaire tregtare.

Ai thotë se situata është më kritike për gjermanët (dhe qytetarët e tjerë të BE-së) me leje të përkohshme pune dhe të drejtash qëndrimi në SHBA, të njohur si mbajtës të vizave të punës jomigruese.

"Ata mund të aplikojnë për rregullat përjashtuese pasi hyjnë në Gjermani ose duhet të kenë qëndruar në një vend jo-Shengen për 14 ditë para se të kthehen," tha ai.

Kjo do të thotë që një inxhinier gjerman që punon në një fabrikë makinash në SHBA, mund të kthehet në Gjermani, por rruga e kthimit do të ishte e gjatë, e komplikuar, e kushtueshme dhe e pasigurt. Shtuar kësaj situate edhe faktin se nuk ka përjashtime për njerëzit plotësisht të vaksinuar.

Humbjet e bizneseve të reja

Para pandemisë, fluturimet nga Gjermania drejt SHBA-së ishin të mbushura çdo ditë me udhëtarë biznesi: drejtues kompanishë që takonin klientët, ekspertë teknikë që vizitonin fabrikat, punëtorë që ktheheshin në shtëpi. Pandemia e dëmtoi këtë lëvizje intensive pasagjerësh mes dy vendeve, por fakti që edhe pas 18 muajsh udhëtime të tilla janë thuajse të ndaluara, është burim i një irritimi të madh.

"Kjo na pengon të bëjmë biznes ashtu siç jemi mësuar", thotë Carl Martin Welcker, drejtor menaxhimi në Schütte, prodhues gjerman i veglave të makinave. Firma ka selinë në Këln por operon edhe me një kompani gjigante në Jackson, Miçigan.

Ai i tha DW-së se kufizimet i goditën bizneset në mënyra të ndryshme: nga ekspertët që nuk ishin në gjendje të udhëtonin për të ndihmuar në çështje teknike, deri tek biznesi i ri që humbet mundësinë për të takuar personalisht klientët.

Thirrje Merkelit për të zgjidhur çështjen me Biden

Në kuadër të takimit të kancelares Angela Merkel me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, drejtuesit gjermanë të biznesit shpresojnë se kjo mund të marrë zgjidhje.

Gjermania është ende larg lehtësimit të kufizimeve. Muajin e kaluar, Stavros Lambrinidis, diplomati i lartë i BE-së në Uashington, tha se Brukseli po punonte shumë për të zgjidhur çështjen dhe tha se ishte gabim që udhëheqësit e biznesit europian nuk mund të mbikëqyrnin personalisht investimet e tyre në SHBA.

Ai gjithashtu shtroi çështjen e europianëve që punojnë legalisht në SHBA, të cilët nuk janë në gjendje të kthehen lehtësisht në vend, edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar. "Ne duhet të jemi në gjendje t'u japim sërish një shtysë të fortë ekonomive tona ", tha Lambrinidis në një aktivitet tregtar në Uashington.