1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtorët për Ballkanin Perendimor nga shtetet që kanë njohur Kosovën po qëndrojnë në Prishtinë

Bekim Shehu/Prishtinë 12 Shtator 2008

Ata duan të shohin nga afër procesin e vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë. Drejtorët thanë se gjendja në veri të Kosovës duhet të normalizohet, që misioni të ketë shtrirje të plotë edhe në këtë pjesë të Kosovës

https://p.dw.com/p/FGyM
Prishtina
PrishtinaFotografi: Zulfija Jakupi

Grupi Ndërkombëtar për Kosovën i kryesuar nga Piter Feith, shef i misionit të BE-së në Kosovë, kërkon nga institucionet e këtushme që të angazhohen maksimalisht në implementimin e procesit të decentralizimit, në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe të bëjnë reforma në sektorin e sigurisë. Këto tri fusha i ka identifikuar Grupi Ndërkombëtar për Kosovën, për të cilat misioni BE-së do të japë ndihmën e vet.

Në një takim të zhvilluar në Prishtinë ku morën pjesë drejtorët për Ballkanin Perendimor të shteteve evropiane që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u tha se situata në veri të Kosovës duhet të normalizohet shpejtë në mënyrë që misioni evropian për polici dhe drejtësi, EULEX, të ketë shtrirje edhe në këtë pjesë të Kosovës.

"Qeveria e Kosovës dhe misioni i BE-së me të drejtë janë të shqetësuara për gjendjen në veri të Kosovës. Kjo gjendje duhet të përmirësohet shpejtë, të vendoset kontrolli kufitar me Serbinë dhe në pjesën veriore të kemi respektim të rendit dhe ligjit"

,

thotë Piter Feith. Ai e mbështet UNMIK-un, i cili po luan rolin e lehtësuesit në bisedat me autoritetet e Beogradit, ndërkaq dhe vetë Piter Feithi pranon që të bisedojë me autoritet serbe në mënyrë që misioni i BE-së të ketë shtrirje të plotë edhe në pjesën veriore të Kosovës. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Piter Feith kërkoi nga TMK-së që me dinjitet t'i nështrohen procesit të shpërbërjes në mënyrë që të krijohet Forca e Sigurisë së Kosovës.

"Ky është një proces që duhet të shtyhet përpara dhe ne së bashku me KFOR-in dhe NATO-n po ndihmojmë në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të arrijë kapacitetin e plotë më së largu deri në gjysmën e vitit të ardhshëm", thotë Piter Feith.

Misioni i BE-së duket më aktiv në këtë fazë. Kjo për faktin që po afron koha kur misioni i administratës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK, duhet të përfundojë procesin e rikonfigurimit për t'ia lënë vendin misionit të BE-së. Ky mision do të ketë vështirësi për shtrirjen e tij në pjesën veriore të Kosovës, për faktin që kundërshtohet nga serbët të mbështetur edhe nga qeveria e Beogradit. Krerët e misionit të BE-së thonë se ata nuk do ta perdorin forcën që të vendosen në pjesën veriore të Kosovës, mirëpo gradualisht do të përpiqen t'i bindin serbët se ky mision është edhe në të mirë të tyre.