Drejt perëndimit me pasaportë dhe avion | Evropa | DW | 28.06.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Drejt perëndimit me pasaportë dhe avion

Mjaft refugjatë vijnë në Gjermani me avion: Shitja e pasaportave për refugjatë të interesuar të vijnë në Evropën Perëndimore është një model biznesi ilegal në rritje.

Në faqe të ndryshme në Facebook ofrohen rekomandime se si mund të vish ilegalisht në Evropë - me pasaportë dhe avion. Kuptohet me pasaporta të blera. Ne duam të dimë më tepër se sa e lehtë është kjo dhe e bëjmë sikur jemi të interesuar për të blerë një pasaportë. Legjenda jonë: "Amiri, 24 vjeç, nga Siria ofron për shitje pasaportën e tij si refugjat në Gjermani se gjoja do të kthehet në vendlindje."

Sapo e japim këtë njoftim në FB, njoftohet shpejt një person i interesuar. Ne shkojmë te ai dhe takojmë një sirian rreth 30-vjeç. Ai na tregon se do të sjellë të vëllain në Gjermani. Vëllai po pret në Turqi dhe i duhet një pasaportë. Ai na tregon një fotografi të tij. "Sapo vëllai të hyjë në Greqi, do t'i nis pasaportën tënde. Kur të jetë në Gjermani nuk kam më nevojë për pasaportën, të marr në telefon dhe ta kthej. Askush nuk do ta marrë vesh." - thotë siriani.

E si do vijë ai nga Greqia në Mynih?  "Do të fluturojë me avion për Francë dhe nga aty për në Mynih. Sepse kontrollet në avionet që vijnë direkt nga Greqia në Gjermani po bëhen gjithnjë e më rrepta. Kurse avionët që vijnë nga Franca apo Italia nuk kontrollohen kaq shpesh." - shton siriani.

A dinë autoritetet e sigurisë për këto gjëra?

Europoli nuk pranon të japë intervistë përpara kameras. Por konfirmon me shkrim: "Përdorimi i  dokumenteve të vërteta për trafikimin e emigrantëve është i njohur si fenomen për Europolin. Dokumente të tilla janë mjaft të kërkuara nga emigrantët ilegalë." Europoli flet për një model biznesi ilegal në rritje. Por nuk jep shifra të sakta.

Në Holandë takojmë një sirian që e kemi kontaktuar përmes forumit në Facebook. Ai ka ardhur  me aeroplan në Evropë duke përdorur një pasaportë të vërtetë. Ai është në fillim të të 30-tave, kimist, ka lindur në Siri. Më shumë se një vit iu desh për të ardhur në Evropën Perëndimore. Edhe pse vëllai i tij është i njohur si refugjat, atij iu refuzua hyrja se nuk kishte  vizë. Ai vendosi të vinte me ndihmën e trafikantëve. Nga Siria nëpërmjet Turqisë në Greqi, dhe nga aeroporti i Athinës për më tej.

Jo si kriminel, më tepër si ndonjë tregtar

"Trafikanti më pa në fytyrë dhe pastaj filloi të kërkonte në laptopin e tij për fotografi që më ngjanin mua. Ai kishte shumë pasaporta refugjatësh, por edhe pasaporta të zakonshme të të gjitha kombësive. Dukej si një person mjaft normal. Jo si kriminel, por më tepër si ndonjë tregtar. Nuk qe i dhunshëm dhe nuk shiste qenie njerëzore. Biznesi i tij është trafikimi i njerëzve." - tregon siriani, i cili kishte depozituar 3.500 euro tek një ndërmjetës.

Dy ditë më vonë ai u nis me avion nga Athina. Në avionin e tij, tregon siriani, ishin edhe dy refugjatë të tjerë. Njëri shkonte për në Belgjikë, tjetri në Gjermani - edhe ata i kishin blerë dokumentet tek i njëjti kontrabandist.

Shumë të interesuar

Qeveria gjermane përgjigjet ndaj një kërkese se nga refugjatët që vijnë nga Greqia në Gjermani avioni përdoret intensivisht. Vetëm vitin e kaluar "autoritetet nuk kanë lejuar të hipin në avion në aeroportet e Greqisë rreth 4.000 vetë. Krahasur me një vit më parë ka një rritje prej 6%. Këtyre u shtohen edhe "rreth 6.000 persona që janë ndaluar në aeroportet gjermane, sepse nuk kanë pasur dokumentat e duhura"

Kush arrin të vijë deri në Gjermani mund të marrë këtu me dokumentet e falsifikuara një apartament me qira, si dhe ndihma sociale.  Dhe me të tilla dokumente mund të hyjnë në Evropë edhe terroristë për t'u fshehur dhe organizuar sulme. Sulmet në Paris, Bruksel dhe Berlin tregojnë se frika nuk është e pabazuar. Kjo dhe për shkak se shpërdorimi i dokumenteve vazhdon të jetë i mundur dhe normalitet në biznesin e trafikantëve.