Drama e rrëmbimit të arkeologes Osthoff | Studimi në Gjermani | DW | 03.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Drama e rrëmbimit të arkeologes Osthoff

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman janë drama e rrëmbimit në Irak e arkeologes gjermane Osthoff, dhe ekzekutimi më i ri në ShBA që e ka çuar në 1000 numrin e të dënuarve të ekzekutuar që prej rihyrjes në fuqi atje e dënimit me vdekje

Shtabi i krizës në Ministrinë e Jashtme gjermane për lirimin e Susanne Osthoff

Shtabi i krizës në Ministrinë e Jashtme gjermane për lirimin e Susanne Osthoff

Mbi qëndrimin e qeverisë gjermane në dramën e rrëmbimit të arkeologes Osthoff në Irak, gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: 'Qeveria gjermane është e vendosur të mos lejojë presionin politik nga terroristët. Por kjo nuk përjashton mundësinë e disa lëshimeve në çështje më pak parimore. Shpresat mbështeten jo së fundi edhe tek vetë e rrëmbyera. Zonja Osthoff e njeh Irakun dhe botën arabe, është po aq e familjarizuar me mentalitetin atje sa edhe me gjuhën. Askush nuk i njeh kushtet e saj prej pengu por nëse është në gjendje të flasë me rrëmbyesit shanset e saj për t'i bindur se akti i tyre është sa i pakuptimtë aq edhe amoral, nuk janë ndoshta edhe aq të këqija. Pas plot dy javësh në Irak do të votohet sërish dhe qeveria në Bagdad nuk ka asnjë qëllim të ndryshojë planet e saj.'

Gazeta berlineze "Tageszeitung" kritikon mungesën e angazhimit civil në Gjermani për lirimin e Suzane Osthoff. Citojmë:'Në Itali qindra mijëra vetë dolën në rrugë për të kërkuar lirimin e gazetares së rrëmbyer Sgrena, të mbështetur natyrisht nga organizatat myslimane. Në Gjermani ku sensi i kritikës është mjaft i fortë por ai i angazhimit për çështje të përbashkëta i pazhvilluar demonstrimet për të tilla gjëra janë të pazakonta. Do të ishte një akt i bukur nëse organizatat myslimane do të inicionin një demonstrim për shpëtimin e së rrëmbyerës. Dhe akoma më bukur do të ishte nëse në demonstrimet për myslimanen Suzane Osthoff do të merrnin pjesë edhe kishat e krishtera.'

Ekzekutimi të premten i të dënuarit të 1000-të në ShBA që prej rivendosjes së dënimit me vdekje në vitin 1976 ka tërhequr vëmendjen e gazetave të sotme gjermane. Për këtë temë në gazetën "Abendzeitung" që del në Mynih lexojmë:'Ekzekutimi i 1000-të që prej rivendosjes së dënimit me vdekje në vitin 1976 është për ShBA është një turp. Megjithatë edhe në Gjermani ka patur sërish thirrje për rivendosjen e dënimit me vdekje veçanërisht në rastet e vrasjeve të fëmijëve. Por nuk është fjala nëse vdekja mund të jetë një dënim i "drejtë". Bëhet fjalë për atë që një shoqëri e civilizuar nuk duhet të pranojë që në emër të saj të vdesin njerëz që mund të jenë të pafajshëm. Kjo nuk mund të përjashtohet asnjëherë edhe në rastin e provave të rënda. Përsa kohë është e mundur që në rradhën e 1000 të ekzekutuarve të ketë qoftë edhe një të pafajshëm të vetëm shteti duhet të ngrihet mbi instinktet njerëzore dhe të thotë:JO!'

Të njëjtin qëndrim kritik mbi dënimin me vdekje gjejmë edhe në gazetën "Sächsische Zeitung" të Dresdenit e cila vë në pah se drejtësia nuk ka detyrë të marrë hak por duhet të udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë dhe drejtësisë. Citojmë:'Në sistemin modern të drejtësisë dënimi me vdekje nuk duhet të ketë vend. Ai është një atavizëm i epokave të kaluara kur drejtësia ndiqte maksimën biblike "sy për sy e dhëmb për dhëmb". Por kush gjykon në këtë mënyrë e lë veten të udhëhiqet nga hakmarrja e jo nga parimet e ligjshmërisë dhe drejtësisë. Vendimi me vdekje është i vjetëruar dhe nuk i përshtatet idealeve të një shoqërie humaniste, por kjo mënyrë të menduari është në kundërshtim me perceptimin e drejtësisë të pjesës më të madhe të amerikanëve. Përkrahësit e dënimit me vdekje vënë në dukje efektin frikësues të këtij dënimi. Ky argument është i pakuptimtë pasi një vështrim në statistikat e kriminalistikës tregon se pikërisht këtë synim dënimi me vdekje nuk është në gjendje ta përmbushë.'

  • Data 03.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsY
  • Data 03.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsY