Doris Pak: Sa më shumë që të shtyhet vendimi për Kosovën aq më i vështirë do të bëhet ai | Ballkani | DW | 13.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Doris Pak: Sa më shumë që të shtyhet vendimi për Kosovën aq më i vështirë do të bëhet ai

Doris Pak kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore në intervistë për DW thekson, se misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit nuk do të sjellë ndonjë të re

Doris Pak, eurodeputete

Doris Pak, eurodeputete

Më 19 prill në Kosovë mbërrin misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit. Një ndër kërkesat e këtij misioni është përpilimi i një raporti gjithëpërfshirës mbi zbatimin e standardeve të përcaktuara.

Misioni nuk do të sjellë ndonjë gjë të re, sepse gjithçka është në planin e Ahtisarit si dhe në raportet që kanë dhënë në Nju Jork, kryeadministratori Ryker dhe paradhësite tij, thotë Doris Pak ((Doris Pack)

Pak: "Unë mendoj, se ky mision është në thelb vetëm një shtyrje e vendimit të domosdoshëm të Këshillit të Sigurimit. Por nëse ky mision do të ndihmojë për të përshpejtuar vendimin që duhet të merret në Këshillin e Sigurimit, atëherë s´kemi përse të jemi kundër."

Lidhur me një vendim për të ardhmen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit ka zëra, se ky proces mund të ndodhë në fund të shtatorit. E pyetur për këtë zonja Pak thotë, se nuk do të spekullojë, por sa më shumë që të shtyhet ky vendim aq më shumë do të veshtirësohet ai:

"Sa më shpejt që të arrihet në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që do të çojë në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, aq më mirë është për të gjithë rajon, aq më mirë është për Serbinë dhe për Kosovën dhe për të gjitha shtetet përreth. Serbët duhet ta lënë pas vetes të shkuarën dhe duhet të shohin drejt së ardhmes duke ndjekur një politikë që t´i afrojë ata me Bashkimin Evropian. Ata mund t´ia dalin vetëm pasi të jenë çliruar prej kësaj barre."

Çfarë kuptohet me një pavarësi nën mbikqyrjen e Bashkimit Evropian dhe si do të angazhohet BE-ja në Kosovë?

"Pavarësia do të duhej të shpallej nga Kosova dhe nga vendet që duan do ta njohin këtë pavarësi, sigurisht këtë do ta bëjmë edhe ne, nëse kjo është dëshira e Këshillit të Sigurimit. Por kuptohet, që për këtë duhet të përmbushen kushtet e përcaktuara në planin e Ahtisarit. Në mënyrë që të përmbushen këto kushte është i nevojshëm funksioni mbikqyrës i BE-së. Ne kemi nevojë atje për një prezencë që të kujdeset lidhur me përpjekjet për decentralizimin e parashikuar në planin e Ahtisarit, për respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe të çështjeve të kufirit. Të gjitha këto duhet të vihen në jetë, ndaj është e rëndësishme që ne të përgatitemi si një prezencë politike, por ne nuk do të ndërhyjmë në punën e qeverisë si OKB-ja. Ne vetëm do të kujdesemi për zbatimin e kritereve të përcaktuara nga Marti Ahtisari."

Pavarësi e kufizuar do të thotë krijimi i një shteti të ri, pra do të kemi në Ballkan dy shtete shqiptare, gjë kjo që mund t´u hapë oreksin rajoneve të tjera. A ka parashikuar bashkësia ndërkombëtare mekanizma, se si mund veprohet në një rast të tillë?

"Unë mendoj, që oreks ka gjithmonë, por nuk duhet të bëhen lëshime patjetër. Nëse do të kishte një tjetër zgjidhje për këtë çështje, atëherë ajo do të merrej në konsideratë, por në rastin konkret nuk ka zgjidhje tjetër. Ndaj duhet të avancojmë tani me këtë zgjidhje dhe duhet të përpiqemi që ta sigurojmë atë në atë mënyrë që të mos ketë pretendime të tjera. Ne duhet të ndjekim rrugën e përcaktuar tani nga Ahtisari dhe duhet të angazhohemi me gjithçka kemi mundësi për të krijuar një konstrukt, që brenda këtij plani të realizohen të gjitha ato që janë të nevojshme: të drejtat e minoriteteve, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe decentralizimi. Ne duhet ta kemi të qartë që rastin e Kosovës nuk mund ta krahasojmë me rajone të tjera në Evropë, si p.sh. me Katalonjën në Spanjë. Katalonja asnjëherë s´ka jetuar nën një diktator Millosheviç, në këtë krahinë s´ka pasur asnjëherë regjim aparteidi nga ana e shtetit spanjoll. Ky është një rajon në Spanjë që ka të drejta të caktuara të decentralizuara, por që nuk ka asnjë arësye për t´u shkëputur nga shteti i Spanjës.

Ndaj nuk duhet t´i ngatërrojmë gjërat. Unë e kam parë vetë atë që ka përjetuar Kosova në vitet 90-të, një regjim të vërtetë aparteidi, ndaj mendoj se kushdo duhet ta pranojë, që është e pamundur që ky rajon të rivendoset nën qeverinë serbe, pavarësisht se cilat forca demokratike janë atje në pushtet.

Madje kjo nuk është e mirë as për vet Serbinë. Serbët e dinë tashmë, se me një shumicë shqiptare brenda shtetit të tyre ata nuk do të kenë paqe. Unë mendoj, se asnjë prej politikanëve zyrtarë në Serbi nuk ka ndonjë interes të qeverisë Kosovën, por ata janë të interesuar që ta mbajnë këtë vend, e kjo nuk e zgjidh problemin."


  • Data 13.04.2007
  • Autor Nada Steinmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWY
  • Data 13.04.2007
  • Autor Nada Steinmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWY
Reklamë