1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit ftoh marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës

Angelina Verbica30 Shtator 2010

Përfaqësuesit e të dy partive politike pajtohen se në rrethanat e krijuara vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo ato janë të ndara në qëndrime për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

https://p.dw.com/p/PRUX
A do të ketë zgjedhje të parakohshme?Fotografi: AP

Dy partitë politike më të mëdha në vend PDK-së dhe LDK-së, të cilat përbëjnë koalicionin qeveritar janë të ndara në qëndrime për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nëse një gjë e tillë do të ndodhë. Përfaqësuesit e dy partive pranojnë se ka një ftohje marrëdhëniesh ndërmjet tyre pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit. Pikërisht për këtë fakt LDK pajtohet se mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme, mirëpo jo në një afat të shurtër, por të paktën pas gjashtë muajsh.

Kosovos Präsident Sejdiu tritt zurück
Ftohje marrëdhëniesh pas dorëheqjes së SejdiutFotografi: picture alliance/dpa

LDK jo për zgjedhje të shpejta

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, i tha DW-së se nuk duhet organizuar zgjedhje të shpejta, sepse Kosova nuk ka kapacitete ta bëjë një gjë të tillë.

“LDK nuk pranon dhe qëndrimi i saj është shumë i qartë se Kosova nuk ka kapacitete që të përgatisë zgjedhje brenda 45 ditësh, dy muajsh apo tre muajsh. Këtë nuk e ka arritur nga OSBE-ja. Minimumi për të pasur një proces normal zgjedhor duhet përgatitje të paktën gjashtë muaj”, thotë Ismet Beqiri.

Nëse ka zgjedhje, atëherë menjëherë

Mirëpo me këtë konstatim të zotit Beqiri nuk pajtohet Ramë Buja, shef i grupit parlamentar të PDK-së, e cila është në koalicion qeveritar. Zoti Buja thotë për programin tonë.

“Në secilat zgjedhje, që ka mbajtur Kosovo gjithmonë ka pasur defekte, mirëpo nëse imponohet që të ketë zgjedhje të shpejta, atëherë duhet bërë zgjedhje, megjithë defektet që mund të përsëriten”, thotë Ramë Buja.

Nëse PDK dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje për presidentin, zgjedhjet janë të pashmangshme

Imponimi i mbajtës së zgjedhjeve të parakohshme dhe të shpejta, sipas analistëve mund të ndodhë, nëse në parlamentin e Kosovës nuk mund të zgjidhet presidenti i vendit. Kështu thotë për programin tonë Ramush Tahiri, analist politik.

Ramush Tahiri
Ramush Tahiri, analist politikFotografi: DW

“Mund të ndodhë teorikisht, nëse nuk ka organizim politik dhe marrëveshje, që zgjedhja e presidentit të mos i kalojë të tre raundet e votimit, sepse votimi është i fshehtë, mund që koalicioni nuk voton ashtu siç janë marrë vesh, por deputetët votojnë në mënyrë individuale, atëherë vendi hyn në krizë qeveritare dhe patjetër në zgjedhje të parakohshme”, thotë Ramush Tahiri.

Mandati i presidentit të Kosovës në bazë të kushtetutës është pesë vjet, edhe nëse në gjysmë të mandatit për rrethana të ndryshme duhet zgjedhur president tjetër, prapë mandati duhet të jetë pesë vjet. Pikërisht në këtë situatë ndodhet tash Kosova. Kjo ka bërë që PDK të mos pajtohet në këtë fazë që parlamenti ta zgjedhë presidentin e ri për një mandat pesëvjecar, thotë Ramë Buja nga kjo parti.

“Unë mendoj se asnjëri nga subjektet politike nuk mund ta pranojë tash një mandat pesëvjecar të presidentit, kur tashmë kanë kaluar gati tri vjet të mandatit, që kishte Fatmir Sejdiu."

Sipas analistëve në këtë situatë, në të cilën ndodhet skena politike kosovare, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Ambasadat e vendeve më të industrializuara në Kosovë akoma nuk kanë qëndrim për situatën politike të krijuar pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit, edhe pse pothuaj çdo ditë ata takohen me përfaqësuesit e partive politike, mirëpo larg syrit të medias.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica