1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rëndësia e Donbasit

Jeanette Seiffert/Angelina Verbica16 Prill 2014

Në zonën qymyrgurore të Donbasit në lindje rreh zemra industriale e Ukrainës. Tani rajoni është bërë një vatër trazirash. Por sa i rëndësishëm është Donbasi për Kievin dhe çfarë rëndësie ka ai për Moskën?

https://p.dw.com/p/1BjX8
Reparte industriale në Krivoj Rog
Reparte industriale në Krivoj RogFotografi: picture-alliance/itar-Tass

"Donbas është zemra e Ukrainës", lexon në hyrje të Donjeckut në Ukrainën lindore. Nga pikëpamja ekonomike fjalia është e justifikuar. Zona qymyrmbajtëse, që arrin nga lindja deri në territorin rus, është e katërta për nga madhësia në Evropë. Rezervat e qymyrit vlerësohen në mbi 10 miliardë tonë. Rajoni përreth qytetit Donjeck përbën vetëm pesë për qind të territorit të Ukrainës, këtu jetojnë dhjetë për qind e popullsisë, por prodhohen 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe rreth një e katërta e vëllimit të eksportit të vendit. Në pjesën tjetër të vendit dominon bujqësia.

Trazirat në pjesët lindore të Ukrainës e sollën këtë zonë jo fort të parëndësishme papritur në qendër të vemendjes botërore. Separatistët prorusë kanë vënë nën kontroll pjesë të ndërtesave të administratës dhe objekte të policisë dhe shërbimit sekret, qeveria në Kiev ka sjellë njësitë e antiterrorit.

Nëse i beson guvernatorit të rajonit Donesk, Serhi Taruta, kjo nuk ka të bëjë me rëndësinë ekonomike të Donbasit: "Në të kaluarën ka qenë miti, që Ukraina ushqen të gjithë Bashkimin Sovjetik", tha së fundmi Taruta për gazetën "Novosti Donbassa". "Sot, shton Taruta, ekziston miti që Ukraina ushqen Donbasin Por po të shohim statistikat, shohim se Donbasi është një rajon i subvencionuar."

Ewald Böhlke
Ewald BöhlkeFotografi: Dirk Enters/DGAP

Qymyri i Donbasit nuk është konkurrues

Kur është fjala për fushat qymyrgurore të Donbasit, atë e mbështet edhe Ewald Bohlke, drejtor i qendrës Berthold-Beitz në Berlin: "Duhet thënë se që nga vitet 1980 fushat janë jorentabël, të shtrenjta dhe mbahen në fakt artificialisht në jetë vetëm për arsye sociale."

Megjithatë ekziston një shqetësim i justifikuar se Rusia mund të synojë të aneksojë pas Krimesë dhe Ukrainën lindore. Ndryshe nga gadishulli i Krimesë, këtu shumica e popullsisë nuk ndjehen me përkatësi ruse dhe vetëm rreth një e katërta janë rusë etnikë. "Në thelb është një popullsi shumë e përzier", thotë eksperti Ukrainës Bohlke në intervistë me DW. "Dhe deri në fillim të këtij viti askush atje nuk ka menduar që të orientohet në drejtim të Rusisë."

Por tani Kievi dhe Moska prej disa javësh po bëjnë një luftë të vërtetë propagandistike: Por popullsinë është e vështirë të marrë informacione të paanshme, shumë marrin vesh nga thashethemet dhe bëhen gjithnjë e më dyshues ndaj qeverisë qendrore në Kiev."

Miti i vendit të kozakëve

Por çfarë interesi ka Moska për Ukrainën Lindore në këtë situatë të paqartë? Nga ana ekonomike aneksimi as nuk do t'ia vlente, thotë Bohlke: "Rusia në fakt duhej të thoshte. Sa mirë që Donbasi është pjesë e Ukrainës dhe ne nuk kemi nevojë ta subvencionojmë rajonin."

Shumë më vendimtare se leverdia pragmatike është diçka krejt tjetër: "Në Moskë ka një rilindje të mendësisë: Ne duam ta krijojmë sërish perandorinë ruse." Këtu Donbasi, dikur qendra e industrisë së rëndë sovjetike, luan një rol më shumë simbolik: "Këto janë zonat e vjetra kozake, që shekuj me rradhë ishin agrare dhe që u industrializuan vetëm me Stalinin."

Çelik për tanket ruse

Prorussische Kundgebung in Donezk
Demonstratë proruse në DonjeckFotografi: picture-alliance/dpa

Këtyre arsyeve më shumë simbolike i shtohet edhe ajo që kompani të shumta në Ukrainën lindore furnizojnë Rusinë me materiale të para të rëndësishme dhe produkte, kryesisht për industrinë e fluturimeve në hapësirë dhe të mbrojtjes. Për këtë arsye ishte shumë i efektshëm lajmi, që ndoshta nuk u regjistrua fort në botën perëndimore: Do ta ndërpresin bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, njoftoi qeveria kalimtare në Kiev në fund të marsit. Menjëherë u përgjigj zëvendëskryeministri rus Dmitri Rogozin. Rusia duhet të bëhet më e pavarur nga teknologjitë dhe furnizimet nga jashtë, tha Rogozin, i cili përgjigjet edhe për industrinë e mbrojtjes.

Por kjo nuk mund të jetë aq e lehtë. Kështu dymbëdhjetë lloje të raketave interkontinentale ruse prodhohen në Dnipropetrovsk të Ukrainës lindore, duke përfshirë edhe pjesët e këmbimit dhe mirëmbajtjen. Në Donbas prodhohet edhe një çelik i veçantë për tanket e forcave të armatosura ruse dhe shumica e helikopterëve luftarakë rusë fluturojnë me motorë nga Saporishje në lindje të Ukrainës.

Kush varet prej kujt?

Megjithatë varësia e kompanive ukrainolindore prej kërkesës nga Rusia është shumë më e madhe, thotë Andreas Umland i Akademisë Mohyla në Kiev. Ata kanë frikë se Rusia mund ta mbyllë tregun e saj: "Kjo do të jetë një problem, sepse produktet, pajisjet dhe sistemet, prodhohen enkas për tregun rus dhe nuk mund të shiten aq thjesht në tregjet e tjera", thotë Umland në intervistë me DW.

Edhe nëse pjesë të industrisë janë të varura nga subvencionet, produktet e eksportit të Ukrainës lindore janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për qeverinë e Kievit. Për më shumë pasi Ukraina është thuajse e falimentuar dhe për këtë arsye gjithnjë e më e varur nga donatorët ndërkombëtarë: "Në qoftë se atje do të ketë lëvizje separatiste, Kievi do të shkatërrohej në vlerësimin e rrezikut të tregjeve të parasë, sepse vendi do të humbiste kështu shumë burime", thotë eksperti i Ukrainës Ewald Bohlke.

Ai nuk beson se është ide e mirë që Ukrainës lindore t'i jepet më shumë autonomi për të qetësuar këtë pjesë të vendit. Në situatën e paqëndrueshme aktuale Ukraina ka një shans vetëm si shtet i fortë i centralizuar: "Çdo lloj federalizimi do ta përçante vendin, në rastin ekstrem mund të shpërbëhej e gjithë Ukraina."