″Dogfall″ - Fuqia e teatrit kundër luftës e urrejtjes | Ballkani | DW | 20.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Dogfall" - Fuqia e teatrit kundër luftës e urrejtjes

Pjesa teatrale "Dogfall" është një reflektim mbi luftën, pajtimin e të ardhmen e përbashkët në Ballkanin Perëndimor - Premierën e sjell në Tiranë Tetori Gjerman 2018.

Në Teatrin Metropol në Tiranë u shfaq mbrëmë (19.10.2018) premiera e shfaqjes „Dogfall" e autorit australian Caleb Lewis, me regji të Stefan Çapalikut, e përzgjedhur në larminë e aktiviteteve artistike që Tetori Gjerman 2018,  po ia ofron publikut në Shqipëri për herë të parë. Zgjedhja është shumë e qëlluar: „Dogfall" i bën jehonë sfidave kryesore, me të cilat përballen sot shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë si ajo e  reflektimit ndaj historisë, nevojës për pajtim mes popujve fqinjë  në emër të së ardhmes së përbashkët dhe lënia e konflikteve në të shkuarën.

Kundër luftës dhe pro pajtimit

E përzgjedhur për aktivitetet e Tetorit Gjerman 2018, 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, pjesa teatrale „Dogfall", rendit në mënyrë kronologjike, në 100 vitet e fundit , vend-ngjarje të ndryshme ku u zhvilluan beteja të përgjakshme, sulmi atomik në Japoni apo aktet terrorist të 11 shtatorit 2001, në SHBA. E vënë në skenë me mbështetjen e Ambasadës së Gjermanisë dhe Francës në Tiranë, dy vende simbol për pajtimin mes tyre, pas historisë së luftërave të përgjakshme në shekullin e kaluar, shfaqja „Dogfall" apelon kundër luftës dhe pro pajtimit. Pajtimi është sot fjala kyҫ në BP për të ecur drejt hyrjes në BE, vendet e të cilit jetojnë në paqe prej më se 80 vitesh dhe përpiqen ta garantojnë paqen.

Albanien Dogfall in Metropol Theatre in Tirana (DW/A. Ruci)

Regjisori Stefan Çapaliku

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, në fjalën e saj të përshëndetjes në premierën  e shfaqjes „Dogfall" tha:

„Pas luftërave të mëdha, që i vunë popujt evropianë kundër njëri-tjetrit, Franca dhe Gjermania nisën rrugën e pajtimit. Në vitin 1963, pas dy luftërash botërore dhe shekujsh të tërë armiqësie Franca dhe Gjermania e vulosën pajtimin me Traktatin e Elizesë. Falë integrimit evropian, Evropa ka mundur të flasë në një gjuhë të përbashkët. Mes shteteve anëtare të Komunitetit  dhe Bashkimit Evropian nuk ka më luftë".

Pse duhet të ketë luftë? Kundër kujt luftojmë? Pse duhet të vrasim?

"Dogfall" ngre të tilla pyetje ekzistencialiste. Dy protagonistët e saj, ushtarët Will dhe Jack, mundohen të gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve por nuk ia dalin dot. Simbolika e fortë kundër luftës shfaqet qartë që në titullin e kësaj pjese teatrale: Dogfall është një term ndërkombëtar që përdoret në ndeshjet e mundjes, kur të dy kundërshtarët bien të kapërthyer në një pozicion, prej nga ku asnjëri nuk mund të ngrihet më për të vazhduar lojën. Të dyja palët- nxitësit e luftës dhe popujt, që vihen kundër njëri-tjetrit, janë të rrëzuar, të humbur në fund të fundit. Simbolika vazhdon me zgjedhjen e bunkerit si vendin ku zhvillohet i gjithë narracioni dhe veprimi dramaturgjik. Bunkeri është "atdheu" i dy ushtarëve, Will dhe Jack, që përshkojnë së bashku 100 vjet histori, nga fillimi i shekullit 20-të deri në fillim të këtij shekulli.

Shfaqja nis diku në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, me betejen famëkeqe Somme, në Francë, mes trupave franko-gjermane dhe britanike. Ajo vijon pastaj duke ҫuar spektatorin në vende të tjera, që kanë hyrë në histori si simbol i mizorive të luftës: në Edesa të Greqisë, Nankin të Kinës, Londrën e vitit 1941, të bombarduar nga nazistët, kampin e përqëndrimit në Treblinka të Polonisë, betejën e Stalingradit, Nagasaki të Japonisë, Pnom Pen, Kuvajt, Izrael, e kështu me radhë deri te rrëzimi i kullave binjake në Nju Jork apo në kampin famëkeq të Guantanamos në ditët tona. Dy ushtarët, Will dhe Jack, luftojnë në një betejë të pafundme ku armiku ndryshon papushim. Drama përshkruan një botë të shkuar, ku nga qielli nuk bie vetëm shi, por dhe mace dhe qen, ku burrat sillen si kafshë dhe vdekja është përherë e pranishme. Regjizori i mirënjohur Stefan Çapaliku, që e vuri pjesën teatrale "Dogfall” në skenë meritoi duartrokitje të fuqishme. 

Albanien Dogfall in Metropol Theatre in Tirana (DW/A. Ruci)

Aktori Alert Çeloaliaj

"Është një pjesë teatrale bashkëkohore nga më interesantet që kam vënë në skenë, ka qënë një sfidë për mua. Lëvizja në një hark kohor prej 100 vitesh e bën veprën të kalojë nga një estetikë realiste tek  një substrat absurd dhe eksperimental. Është një shfaqje e ashpër, e egër por shpesh edhe lirike dhe e përzemërt. Ka një dekonstruksion intensiv të luftës. Teksti dramatik i autorit australian Caleb Lewis është mahnitës, pothuajse i frikshëm. Kemi një histori ambicioze, të shkruar në mënyrë të përsosur, të kontrolluar dhe të mbushur me njohuri dhe referenca.  "Dogfall” i tejkalon të gjitha pritshmëritë. Tema komplekse e luftës, karakteret simpatikë të dy ushtarëve dhe një komplot absurd e kthen dramën në një lojë të tensionuar dhe shpesh të pandërgjegjshme.” thotë për DW, regjisori Stefan Çapaliku.

Që fëmijët e sotëm të mos dëgjojnë më histori luftërash

Edhe për aktorët shfaqja teatrale ”Dogfall”është sfidë profesionale. Aktori Alert Çeloaliaj, që interpreton rolin e ushtarit Will, flet për DW lidhur me konceptimin e rolit të tij. " Ushtari Will është jo vetëm viktimë e luftës, por edhe mbartës i fatkeqësive, padrejtësive, dhimbjes dhe vuajtjeve personale që lufta sjell. Jam përpjekur që spektatori të kuptojë që ushtari ka ide fikse, të betonizuara për armikun që duhet ta qëllojë, ta vrase para se te futet në bunker. Idetë e bunkerizuara sjellin luftën, idetë se interesat e dikujt dominojnë mbi interesat e popujve. Prej gjyshërvë të mi kam dëgjuar histori nga Lufta e Dytë Botërore, nga prindërit për Luftën e Ftohtë dhe kam qënë fëmijë në kohën e Luftës në ish Jugosllavi. Për fat të keq, fëmijët edhe sot dëgjojnë për luftëra. Duhen ndriҫuar mendjet e njërëzve që të reflektojnë ndaj historisë jo të largët dhe të mos nxisin konflikte që mund të shkallëzohen deri në luftë. Modeli franko-gjerman i pajtimit vlen dhe është frymëzues edhe për popujt e Ballkanit, edhe për ne shqiptarët. Dhe Tetori Gjerman 2018 po me gjuhën e artit për nevojën e pajtimit dhe mendjeve të hapura” thekson aktori.

Shfaqja "Dogfall” do të shfaqet të shtunën ,( 20.10.2018) në Teatrin Metropol për të vijuar më pas në Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Korҫë.

 

 

 

Reklamë