1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e tretë e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

6 Qershor 2009

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian hynë në ditën e tretë. Pjesëmarrja në zgjedhje pritet të jetë e ulët.

https://p.dw.com/p/I4aA
Kalimtar përpara posterit elektoral për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2009.Fotografi: AP

Në gjashtë vende evropiane këtë të shtunë (6.6.) qytetarët e BE-së votojnë për Parlamentin e ri Evropian. Në Qipro, Letoni, Maltë dhe Sllovaki qendrat e votimit u hapën që në mëngjes. Duke filluar nga pasditja e sotme e duke vazhduar nesër (7.6.) votat e tyre do t'i japin edhe italianët. Në Çeki sot filloi dita e dytë dhe e fundit e zgjedhjeve. Në Gjermani ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të tjera anëtare të BE-së do të votohet të djelën.

Në të gjithë BE-në të drejtën e votës e kanë më shumë se 375 milionë qytetarë, por pjesëmarrja në zgjedhje pritet të jetë e ulët. Si shkak kryesor për këtë mungesë interesi në zgjedhje, konsiderohet mungesa e temave të polemizuara dhe e kandidatëve të shquar.

Ekziston madje frika se pjesëmarrja mund të jetë më e dobët se ajo e vitit 2004, që konsiderohet më e ulëta në historinë e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Pöttering u bëri thirrje qytetarëve të BE-së të marrin pjesë në zgjedhje. Në krahasim me më parë Parlamenti Evropian është më i fuqishëm dhe ka më shumë influencë, tha Pöttering të premten (5.6.) në radion 'Deutschlandradio'.

Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Pöttering gjatë një konference për shtyp në samitin e Lisbonës, tetor 2007.
Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Pöttering.Fotografi: picture-alliance/dpa

"Sot Parlamenti Evropian ka të njëjtat të drejta me Këshillin e Ministrave në 75 për qind të proceseve legjislative evropiane. Ne jemi ligjvënës. Legjislacioni për klimën p.sh. apo tani ai për kontrollin më të mirë të sistemit bankar, janë të gjitha çështje që vendosen nga Parlamenti Evropian. Sot ky parlament është i fuqishëm dhe me influencë. Për këtë arsye është e rëndësishme që qytetaret dhe qytetarët e BE-së, të zgjedhin deputetët që do t'i përfaqësojnë në Parlamentin Evropian", u shpreh Pöttering.

Në Britaninë e Madhe, Holandë, Irlandë dhe Çeki zgjedhjet përfunduan. Rezultatet zyrtare priten pas mbylljes së qendrave të votimit në të gjithë BE-në, të dielën rreth orës 22:00.

Në Hollandë, ku në kundërshtim me rregullin e BE-së rezultatet e para të numërimeve tashmë janë bërë publike, ka patur një zhvendosje djathtas në preferencat e elektoratit. Fitues në zgjedhje dhe forca e dytë politike pas kristiandemokratëve në pushtet, rezultoi partia e populistit të djathtë Geert Wilders, PVV, e njohur për qëndrimin e saj tejet kritik ndaj Evropës.

Në Britaninë e Madhe pritet një disfatë e fortë për Kryeminstrin Gordon Brown dhe partinë e tij laburiste. Në Gjermani sipas sondazheve kryeson Unioni Kristiandemokrat (CDU) i Kancelares Angela Merkel.


Autor:dpa/afp/rtr/exh

Redaktoi: Sonila Sand

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë