1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250910 UN-Generaldebatte 2. Tag

25 Shtator 2010

Temë qendrore e ditës së dytë të debatit ishte reforma e organizatës ndërkombëtare, para së gjithash e Këshillit të Sigurimit. Veç kësaj u fol për procesin e paqes në Lindjen e Afërme, për ekonominë botërore dhe Iranin.

https://p.dw.com/p/PMbm
Selia e përgjithshme e OKB-së në Nju-JorkFotografi: picture alliance/dpa

Nevojitet reformimi i Këshillit të Sigurimit

Prej vitesh bashkësia ndërkombëtare nuk merret vesh për atë se si duhet të reformohet Këshilli i Sigurimit. Që përbërja e tij nuk pasqyron më raportet e forcave të shekullit XXI, për këtë folësit u pajtuan edhe gjatë kësaj Asambleje të Përgjithshme. Si shumë folës afrikanë presidenti i Senegalit, Abdoulaye Wade, kërkoi një vend të përhershëm për kontinentin afrikan, përfshirë të drejtën e vetos. Zëvendëskryeministri britanik Nicholas Clegg tha:

"Mbretëria e Bashkuar kërkon qartë një vend të përhershëm për Brazilin, Indinë, Gjermaninë dhe Japoninë dhe një përfaqësim për Afrikën. E thënë thjesht: Kombet e Bashkuara nuk mund të flasin për shumë kur dëgjojnë vetëm zërat e disave."

Nick Clegg England Großbritannien
Zv.kryeministri britanik Nick CleggFotografi: picture-alliance/dpa

Clegg foli edhe për grindjen bërthamore me Iranin dhe për fjalimin e presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad të një dite më parë:

"Erdha sot këtu me synimin për të përshëndetur përparimet në negociatat me Iranin. Në të njëjtën kohë desha të shprehja shqetësimin tonë rreth programit bërthamor të Iranit. Por sërish një çështje brengosëse ndërkombëtare u vu në hije nga shpalljet e çuditshme, fyese dhe që tërheqin vëmendje të presidentit Ahmadinexhad nga ky podium. Vërejtjet e tij synonin të zhvendosnin vëmendjen prej detyrimeve të Iranit dhe të prodhonin tituj për mediat. As njëra as tjetra nuk lejohet të ndodhë."

Deklaratat e Ahmadinexhadit fyese

Edhe presidenti Barack Obama i kishte cilësuar deklaratat e Ahmadinexhadit, se pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 fshihet qeveria amerikane, si "fyese" dhe "plot urrejtje".

Me sa duket në prapaskenë Ahmadinexhadi nuk ishte aq agresiv. Presidenti iranian deklaroi të premten në Nju-Jork, se kishte miratuar bisedime të reja mbi programin e diskutueshëm bërthamor. Sipas tij përfaqësues të pesë fuqive me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të Gjermanisë do të takohen në tetor me një të dërguar të Teheranit. Fillimisht do të zhvillohen negociata paraprake.

Frauen an der Macht Cristina Fernandez de Kirchner Flash-Galerie
Presidentja argjentinase Cristina FernándezFotografi: AP

Kritika nuk u kursye as në ditën e dytë të debatit të përgjithshëm. Presidentja argjentinase Christina Fernández e akuzoi Britaninë e Madhe, se shfrytëzon fuqinë e vet në Këshillin e Sigurimit. Britanikën nuk kanë të drejtë të shpojnë për naftë në ujërat para ishujve Malvine, tha Fernández. Këto dy vende grinden për përkatësinë e ishujve. Për këtë arsye në 1982-in ato bënë luftë.

Tema e tjera: Nga Kuba te objektivat e mijëvjeçarit

Shumë folës dënuan sanksionet e vendosura nga SHBA-ja kundër Kubës, kundër të cilave janë shprehur disa herë edhe Kombet e Bashkuara. Edhe presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe, i dënoi sanksionet e njëanshme kundër vendeve të veçanta.

Presidenti haitian, René Garcia Préval, falenderoi për ndihmën ndërkombëtare për viktimat e tërmetit. Préval deklaroi, se synimet e mijëvjeçarit, sipas të cilave deri në 2015-ën duhet të ulen në masë të konsiderueshme uria, varfëria dhe sëmundjet, janë më të rëndësishme sesa projektet e armatimit dhe spekulimet financiare, për të cilat harxhohen shumë para.

Autor: Christina Bergmann / Elert Ajazaj

Redaktoi: Sonila Sand