1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220809 Vertriebene Politik

23 Gusht 2009

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi në "Ditën e Atdheut" përgjegjësinë historike përballë padrejtësisë së dëbimit të gjermanëve.

https://p.dw.com/p/JGvf
Presidentja e Shoqatës së të Dëbuarve, Erika Steinbach dhe kancelarja Angela Merkel.Fotografi: AP

Ishte hera e parë në katër vjetët e qeverisjes së saj, që kancelarja foli në "Ditën e Atdheut". Ajo mbajti fjalimin kryesor në Berlin, para dymijë anëtarëve të Shoqatës së të Dëbuarve. Kjo shoqatë përkujton që prej vitit 1950 në këtë ditë 15 milionë gjermanët, të cilët u dëbuan nga atdheu i tyre në fund dhe pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Shoqata e të Dëbuarve e afërt politikisht me kristjandemokratët

Me mirëdashje të madhe dhe me shumë duartrokitje u prit kancelarja gjermane, Angela Merkel në "Ditën e Atdheut". Shoqata e të Dëbuarve, e cila është e afërt politikisht me kristjandemokratët, sheh te kryetarja e CDU-së një avokate të besueshme për projektin e saj më të rëndësishëm: për ngritjen në Berlin të një qendre të dokumentimit të historisë së arratisë dhe dëbimeve. Pas mosmarrëveshjeve shumëvjeçare një qendër e tillë tashmë është vënë në udhë, edhe vendi se ku do të ngrihet qendra tashmë është gjetur. Ekspozita po ngrihet nga "Fondacioni Arrati, Dëbim, Pajtim", të cilin qeveria gjermane e themeloi pak muaj më parë.

"Për këtë unë jam shumë e gëzuar. Unë e shoh, që ju po e bëni edhe këtë, një gjë që nuk mund të na e marrë më askush, kjo tani është vendosur", tha kancelarja Merkel.

Merkel: Ne pranojmë përgjegjësinë tonë për kapitullin më të errët të historisë gjermane

I diskutueshëm projekti është para së gjithash sepse atë e ka nxitur në mënyrë të konsiderueshme Shoqata e të Dëbuarve, përfaqësia e fuqishme e interesave të të dëbuarve nga atdheu, me dy milionë anëtarët e saj. Ka shumë që nuk kanë besim se kjo Shoqatë dhe presidentja e tij, Erika Shtajnbah (Steinbach) kanë një vështrim objektiv për shkaqet e arratisë dhe dëbimit në fund të Luftës së Dytë Botërore. Vështrimi i presidentes së shoqatës për këtë temë shumë vetëve u duket i njëanshëm.

Kancelarja gjermane e bëri të qartë: "Ne pranojmë përgjegjësinë tonë për kapitullin më të errët të historisë gjermane. Me ne nuk do të ketë intepretim të ndryshëm të historisë. Dhe kështu ne mund të shtojmë: në një përkujtim që respekton masën dhe të vërtetën bën pjesë edhe kujtimi i vuajtjes dhe i padrejtësisë së dëbimit."

Shtajnbah nuk do të heqë dorë në asnjë mënyrë

Në Këshillin e Fondacionit, Shoqatës së të Dëbuarve i takojnë tri vende, por ajo ka zënë deri tani vetëm dy vende. Një vend ka mbetur i lirë për Erika Shtajnbahun, kundër emërimit të së cilës paraqitën kundërshtime socialdemokratët dhe politikanë polakë. Presidentja e shoqatës shpreson tani se do ta zërë vendin e saj pas zgjedhjeve në Bundestag, kur Partia Socialdemokrate ndoshta nuk do të jetë më në qeveri.

Shtajnbah nuk do të heqë dorë në asnjë mënyrë nga të drejtat e saj: "Në këtë çështje nuk bëhet fjalë për mua. Bëhet fjalë për të drejtat e lirisë së këtij shteti. Bëhet fjalë për të drejtën e lirisë së Shoqatës sonë të viktimave, që t'i përqafojë pa kufizim në këtë demokraci të drejtat e saj. Këtë të drejtë ne si Shoqatë e të Dëbuarve nuk lejojmë të na e marrë njeri, askush, as brenda vendit dhe as jashtë vendit!"

Tag der Heimat Merkel spricht vor Vertriebenen in Berlin
Angela Merkel duke folur para të dëbuarve, 22. gusht 2009, BerlinFotografi: DW

Raporti i tensionuar i Shoqatës së Të Dëbuarve me Partinë Socialdemokrate Gjermane doli në pah edhe njëherë në një formë tjetër në Ditën e Atdheut: politikani 77-vjeçar socialdemokrat dhe ish-ministri i Brendshëm, Oto Shili (Schily) mori një dekoratë, sepse ai ka merita për afrimin e të dëbuarve nga atdheu dhe së majtës politike. Si e ka arritur këtë, Shily e tregoi në fjalën e tij të falenderimit, e cila përmbante një apel pa ekuivoke: njeriu duhet të jetë në çdo kohë në gjendje që t'i vërë në pikëpyetje këndvështrimet e tij, ndryshe nuk është i mundur një dialog i hapur.

Autor: Nina Werkhäuser/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani