1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë e zezë për Italinë

Jörg Seiselberg17 Nëntor 2005

Senati italian miratoi ndryshime kushtetuese të cilat i japin shumë kompetenca kryeministrit. Opozita kërkon referendum.

https://p.dw.com/p/ArCk
Berluskoni tepër i lumtur për vendimin e senatit
Berluskoni tepër i lumtur për vendimin e senatitFotografi: AP

Për muaj të tërë në parlamentin italian u zhvilluan debate të ashpra për reformën kushtetuese. Fjala ishte për fuqitë e kryeministrit të vendit. Më në fund senati italian e miratoi me 170 vota pro dhe 123 kundër reformën kushtetuese. Meqë nuk u arrit shumica absolute vitin e ardhshëm me kërkesë të opozitës pritet të zhvillohet një referendum.

Me shumicë votash dhe shoqëruar prej duartrokitjeve të forca të kampit qeverisës, senati në Romë votoi pro reformës më të madhe kushtetuese në Itali që prej fundit të fashizimit. Kjo reformë i jep kryeministrit të vendit pushtet sa kurrë më parë që prej kohës së themelimit të republikës në vitin 1948. Në të ardhmen përshembull, kryeministri do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe do të ketë të drejtë të emërojë apo të pushojë me vendim të vet ministrat. Ajo që është më e rëndësishmja, kryeminsitrit i jepet e drejta që të propozojë shpërndarjen e parlamentit në rast se koalcioni nuk është më pro tij.

Italia rrezikohet nga diktatura e kryeministrit

Sipas mendimit të opozitës në këtë mënyrë vendi kërcënohet prej diktaturës së shumicës dhe të kryeministrit. Ish-presidenti i vendit Oscar Luigi Scalfaro, tha se kjo është një orë e zezë për Italinë: "Jam i hidhëruar dhe i turpëruar prej këtij vendimi. Po vihet dorë ndaj shtyllave themelore të demokracisë. Po përjetojmë vërtet varrosjen e kushtetutës sonë. Dhe ata që e kanë përgatitur këtë gjë, e dinë mjaft mirë këtë."

Përveç reformave të mësipërme pritet të pakësohet numri i vendeve në dhomën e ulët të parlamentit dhe të senatit italian. Njëkohësisht rajoneve do t'u jepen më tepër kompetenca në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të policisë. Ndërsa shefi i demokratëve të majtë në opozitë, Piero Fasino tha se opozita do të angazhohet që këto ndryshime të hidhen poshtë përmes një referendumi popullor.

“Ne do t'u bëjmë thirrje qytetarëve që të votojnë kundër këtyre ndryshimeve në kushtetutë. Ndryshe nga ato që pretendon qeveria kjo nuk është reformë por një ndryshim që deformon institucionet demokratike të vendit”, tha Fasino.

Pas gjithë gjasash referendumi do të zhvillohet jo shumë kohë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që parashikohet të zhvillohen në fillim të prillit të vitit të ardhshëm.