Diskutimi për zgjedhje të parakohshme në Gjermani. Takimi Bush Bler dhe ndihma për Afrikën | Studimi në Gjermani | DW | 09.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Diskutimi për zgjedhje të parakohshme në Gjermani. Takimi Bush Bler dhe ndihma për Afrikën

Një nga temat më të komentuara të politikës së brendëshme në Gjermani është diskutimi për zgjedhje të parakohshme dhe vështirësitë që po has partia socialdemokrate. Komentatorët i kushtojnë vemendje edhe takimit Bush Bler në Uashington dhe iniciativës për rritjen e ndihmës për Afrikën.

Pasqyrën e shtypit e hapim me pjesë nga artikulli i së përditshmes "Die Welt" që ka intervistuar kryeadministratorin e Kosovës Soren Jesen Petersen: I dërguari i posaçëm i OKB-së në Kosovë, Petersen akuzon qeverinë serbe në Beograd për mungesë bashkëpunimi lidhur me çështjen e Kosovës. Petersen thekson për "Die Welt", se "Beogradi po e pengon pakicën serbe të krahinës që ndodhet nën administratën e OKB-së të marrë pjesë në institucione dhe në përbërjen e qeverisë. Me një veprim të tillë qeveria e Vojislav Koshtunicës luan një "lojë të dyfishtë", sepse nga ana tjetër ajo kërkon dialogun. Petersen kritikon më tej polemikën publike të qeverisë së Koshtunicës, sipas tij Beogradi kritikon vazhdimisht qeverinë në Kosovë, për mos avancimin e procesit të kthimit të të zhvendosurve, por "njëkohësisht politikanë drejtues japin komente të pabesueshme, duke i krahasuar enklavet serbe me kampet e përqëndrimit, të cilëve u mungojnë vetëm dhomat e gazit. Nëse unë do të isha refugjat dhe do të dëgjoja të tilla gjëra, nuk do të dëshiroja të kthehesha", nënvizon Petersen në intervistën dhënë së përditshmes gjermane "Die Welt".

Kalojmë tani në temën më të nxehtë të politikës së brendëshme në Gjermani, diskutimi për zgjedhje të parakohshme dhe problemet e partisë socialdemokrate të kancelarit. gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Shrëderi është një njeri me taktikë, por ai nuk është strateg. ndonëse me deklarimin e zgjehdjeve të parakohshme ai mundi të dalë nga fortesa e rrethuar, qysh nga ky moment ai ka mebtur i pambrojtur kundrejt linjave armiqësore dhe nuk di nga t´ia mbajë për të vazhduar ofensivën e tij. Meqënëse kjo nuk kuptohet prej të gjithëve, të gjithë vëzhguesit e mundshëm mendojnë ç´të mundin duke i dhënë garnitura me shumë ligësi. Ndoshta edhe dorëheqja mund të jetë një nga opcionet pas mureve tashmë jo të sigurta të periudhës normale legjislative. Partia socialdemokrate fillimisht mund të presë që të shpërthejë sherri në kampin e atyre që kanë rrethuar fortesën. Së dyti ndoshta mund të shuhet shkëlqimi i kandidates për kancelare të sapo zgjedhur më nxitim nga unioni opozitar. Së treti zgjedhësit duke iu referuar programit të opozitës mund kthjellohen e të mendojnë, se e keqja e vjetër nuk është edhe aq e madhe, sepse e reja mund edhe t´ia kalojë asaj", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Gazeta "Abendzeitung" që botohet në Mynih duke komentuar të njëjtën temë ndalet në rolin e presidentit dhe mundësitë që ka ai brenda kushtetutës për të shpërndarë parlamentin dhe për të shpallur zgjedhjet e reja: "Kjo do të jetë beteja e fundit e kancelarit, ai nuk mund të fitojë sepse qysh nga 22 maji kur shpalli zgjedhje të parakohshme asgjë nuk ka ndryshuar. Diskutimi dominohet prej eksitimit dhe gjërave anësore. Zgjedhjet e reja i dëshirojnë të gjithë dhe as që mund të mendohet, se presidenti mund t´i pengojë ato. Luahtjet për çështjet e kushtetutës të ngrenë nervat dhe të shkëpusin vëmendjen nga ato që janë vërtetë të rëndësishme", tërheq vëmendjen "Abendzeitung".

Iniciativa e krymeinistrit britanik Toni Bler për faljen e borxheve vendeve të Afrikës dhe bisedimet e tij në Uashington me presidentin Xhorxh Bush janë tema tjetër e pasqyrës së shtypit. Gazeta "Die Welt" komenton: "Afrika nuk mund të shpëtohet me qëllime të mira, e vetmja gjë që ë shpëton atë është ndihma konkrete. Por kjo rrezikon të mos ketë efikasitet. Mjaft i lartë
është pretendimi që kanë banorët e Downing Street ten dhe eleven. Kjo u bë mëse e qartë me përpjekjen e Toni Blerit në Uashington për ta involvuar Xhorxh Bushin në axhendën e samitit të G8 në Gleneagel të Skocisë. katër janë qëllimet e takimi: falja e borxheve 18 vendeve të varfëra kryesisht në Afrikë, dyfishimi i parave të ndihmës për Afrikën, rritja e ndihmës së zhvillimit nga vendet e industrializuara dhe së fundi qeveria e SHBA duhet t´i bashkangjitet protokollit të Kiotos. Një program i ngjeshur ky. Bler, që u prit në uashington me nderime protokollare nga më të sofistikuarat, siç duket bën llogari që amerikanët i detyrohen atij diçka për vendimin e guximshëm për t´iu bashkuar SHBA në luftën e Irakut duke marrë përsipër edhe rrezikun e madh në Gjirin persik. "Pay back time" siç quhet në zhargonin e politikës angolsaksone - koha për të më kthyer borxhin", analizon "Die Welt."

Dhe së fundi një citat nga komenti i "Wetzlarer Neue Zeitung": "Asnjë diskutim, kontineti i zi është një problem i madh. Por vallë a janë mjetet e propozuara nga Bleri dhe Bushi rruga e duhur për ndihmat? Pikërisht shtetet afrikane, që janë në gjendje disi më të mirë, nuk duan t´u falen borxhet, sepse me këtë shohin t´u rrezikohet kredibiliteti në tregun e kredive private. Më e mira do të ishte heqja e barrierave tregtare në mënyrë që vendeve afrikane t´u lehtësohet hopi ekonomik nga forcat e brendëshme. Në këtë drejtim u bëhet thirrje si SHBa ashtu edhe vendeve të BE-së", nënvizon "Wetzlarer Neue Zeitung".

  • Data 09.06.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvA
  • Data 09.06.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvA