Diskutimi mbi torturën del nga korsia | Bota | DW | 26.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Diskutimi mbi torturën del nga korsia

Çdo vit më 26 qershor Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për solidaritet me viktimat e torturës. E drejta për pacenueshmëri trupore dhe psiqike edhe për të burgosurit dhe të dyshimtët jo vetëm që është pjesë e të drejtave bazë të njeriut, por sanksionohet edhe në konventën kundër torturës të Kombeve të Bashkuara, e ratifikuar nga 136 shtete - mes të cilëve edhe nga ato shtete që denoncohen çdo vit për torturë nga organizata Amnesty International. Për këtë një koment nga Helle Jeppesen.

default

Kina e ka nënshkruar konventën kundër torturës, edhe Kongoja, Kuba, Maroku, Turqia - dhe SHBA. Megjithatë kur ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld e siguron opinionin botëror se në Guantanamo nuk torturohen të burgosur, por përdoren vetëm metoda marrjeje në pyetje të miratuara nga ministria e mbrojtjes, atëherë në të vërtetë jemi në prag të shitjes së një të drejte bazë. Atëherë bëhet pazar për metodat e torturimit si tek kasapi: Të të peshoj ca më shumë? Nën petkun e gjoja masave të nevojshme për luftimin e terrorit pak nga pak në peshore shtohet tortura ose forma të ngjashme me të. Së fundi Amnesty International përsëri e ka kritikuar këtë dukuri.

Konventa kundër torturës, e ratifikuar nga 136 shtete, përcakton qartë: Tortura në çdo lloj forme përbuzet. Nuk ka justifikim për torturën; qoftë në rastin e terroristëve, kriminelëve, kundërshtarëve politikë, apo të pakicave fetare: tortura, thotë konventa, nuk mund të justifikohet asnjëherë.

Tortura nuk shërben asnjëherë për gjetjen e së vërtetës. Kush torturohet do të thotë gjithçka duan të dëgjojnë specialistët e marrjeve në pyetje. Ka shumë gjasa që kjo të mos jetë e vërteta. Dhimbja, qoftë kjo fizike apo psiqike, e zotëron kokën e trupin dhe një njeri që mundohet nga dhimbjet është dikur i gatshëm të thotë gjithçka për të shpëtuar nga dhimbjet. Këtë do ta pohonte çdo pacient me dhimbje kronike që do të pyetej se ç'do të bënte që të largoheshin dhimbjet.

Në të shumtën e rasteve në mbarë botën tortura as që përdoret për të nxjerrë pohime gjyqësore, për të parandaluar veprime terroriste apo për të zbuluar bashkëpunëtorët. Tortura ka para së gjithash një synim: të poshtërojë ose të shkatërrojë viktimën, për ta përdorur këtë ndoshta më vonë si paralajmërim për të tjerët. Tortura është një mjet pushteti për të treguar: "Ne jemi më të fortë se ti, ne mund të të thyejmë." Edhe për këtë asrye është i drejtë krahasimi që përdor Amnesty International. Në raportin e vet vjetor të publikuar pak kohë më parë kjo organizatë paralajmëron se kampi amerikan i të burgosurve Guantanamo mund të kthehet në "Gulagun e shekullit XXI".

Nën petkun e "luftës kundër terrorit" sot torturohet në shumë vende. Në shumë vende nuk përdoret drejtpërdrejt dhunë fizike, por përqendrohen në metoda të stërholluara të torturimit fizik, i cili nuk lë shenja por shkatërron mendjen e viktimave dhe në këtë mënyrë edhe jetën e tyre. Edhe kjo është thellësisht jonjerëzore. Pikërisht nuk duhet "të peshosh ca më shumë": tortura mbetet torturë. Ajo është ilegjitime, nuk duhet ushtruar. Pikërisht këtë detyrim kanë marrë në fakt përsipër të gjitha shtetet që kanë ratifikuar konventën e Kombeve të Bashkuara kundër torturës.

  • Data 26.06.2005
  • Autor Helle Jeppesen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOs
  • Data 26.06.2005
  • Autor Helle Jeppesen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOs
Reklamë